Çka premtuan partitë politike për pavarësinë e gjyqësorit dhe reformën në sistemin e drejtësisë?

Në Kosovë më 17.12.2025 ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Kosova shkon drejt zgjedhjeve në një klimë të theksuar polarizimi politik dhe shqetësimesh serioze për integritetin e diskursit publik. Në një vit kur ndikimi i dezinformatave në proceset zgjedhore është dokumentuar gjerësisht në nivel global, debati publik në vend po zhvillohet mes akuzave të ndërsjella, gjuhës së ashpër politike dhe mungesës së diskutimeve të thelluara mbi programet konkrete të partive.

Në këtë kontekst, emisioni “Debat Përnime” ka hapur një seri debatesh tematike, të fokusuara në programet politike dhe orientimin europian të vendit, duke u mbështetur në gjetjet e Raportit të Progresit të Bashkimit Europian për Kosovën.

Debati i parë i kësaj serie iu kushtua sundimit të ligjit, një prej fushave më kritike ku Raporti i Progresit vlerëson se Kosova ndodhet ende në një fazë të hershme të përgatitjeve për përmbushjen e standardeve europiane.

Në studio u ftuan pesë kandidatë për deputetë nga pesë subjekte politike. Të pranishëm ishin: Adnan Rustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Arton Demhasaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Nisma Socialdemokrate ishte e ftuar, por nuk dërgoi përfaqësues.

Sipas Raportit të Progresit, një çerek shekulli pas luftës, Kosova vazhdon të ketë një legjislacion të paplotë dhe jo të përafruar plotësisht me standardet e Bashkimit Europian në fushën e drejtësisë, ndërsa zbatimi i ligjeve mbetet i dobët. Raporti kërkon reforma që rrisin llogaridhënien, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në këtë temë, kandidatët prezantuan planet e tyre për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Lëvizja Vetëvendosje: Vazhdim i reformave dhe konfiskim i pasurisë së pajustifikueshme

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se orientimi i partisë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar është vazhdimi i reformave të nisura nga Qeveria Kurti 2, me synim ndërtimin e një sistemi të drejtësisë të pavarur, të paanshëm dhe efikas.

Sipas tij, programi i LVV-së në fushën e drejtësisë mbështetet në katër shtylla kryesore, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

“Orientimi ynë në fushën e drejtësisë është i përkushtuar në katër shtylla të përgjithshme, lufta kundër korrupsionit duke zgjeruar kapacitetet institucionale dhe duke ndryshuar bazën ligjore” – tha Rrustemi.

Ai përmendi zgjerimin e fushëveprimtarisë së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, veçanërisht në fushën e deklarimit të pasurisë dhe dhuratave, si dhe funksionalizimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Kjo pasuri e pajustifikueshme duhet t’i kthehet shtetit. Është një nevojë shoqërore dhe institucionale për të adresuar një fenomen që e ka gërryer interesin publik dhe pasurinë publike” – theksoi ai.

Rrustemi foli edhe për reformat në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke kritikuar, siç u shpreh ai, karakterin “korporativist” të këtij institucioni në të kaluarën.

“Ligji për KPK-në ka hyrë në fuqi dhe efektet e para kanë nisur të shfaqen. Nga janari i vitit të ardhshëm do të kemi edhe përbërjen e re të KPK-së” – tha kandidati i LVV-së.

Partia Demokratike e Kosovës: Kritikë për dështime dhe fokus te Gjykata Speciale

Përparim Gruda nga PDK-ja e nisi prezantimin e tij me kritika ndaj Qeverisë aktuale, duke thënë se para se të flitet për programe, duhet të ketë llogaridhënie për pesë vitet e qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Është gabim të ndërtohet një standard ku dalim direkt të prezantojmë programe pa e bërë kritikën paraprake për ata që kanë qeverisur”- tha Gruda.

Si prioritet të parë të PDK-së në fushën e drejtësisë ai përmendi çështjen e Gjykatës Speciale.

“Ne do të miratojmë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës me të cilën do të kërkojmë që procesi në Hagë të kthehet në binarë normalë të një procesi të drejtë” – deklaroi Gruda.

Ai përmendi shkelje të standardeve minimale të gjykimit të drejtë, përfshirë paraburgimin e gjatë dhe përdorimin e provave të siguruara, sipas tij, në mënyrë të parregullt.

Në planin e brendshëm, Gruda tha se PDK synon rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe digjitalizimin e sistemit të drejtësisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës: Qendër Shtetërore Hetimi dhe ngritje kriteresh

Kandidati i LDK-së, Shkëmb Manaj, e cilësoi drejtësinë si shtyllë kryesore të programit të partisë së tij, duke akuzuar Qeverinë aktuale për dështim në reformat e premtuara.

“Vetë fakti që sot nuk e kemi ministrin e Drejtësisë në këtë debat tregon se ata nuk guxojnë me u ballafaqu me dështimet e tyre” – tha Manaj.

LDK, sipas tij, propozon ngritje të kritereve profesionale për hyrje në sistemin e drejtësisë, duke filluar nga provimi i jurisprudencës, si dhe rritje të kritereve për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Një nga zotimet kryesore të LDK-së është themelimi i një Qendre Shtetërore të Hetimit.

“Kjo Qendër do të jetë një pjesë e profesionalizuar e Policisë së Kosovës që vepron drejtpërdrejt nën drejtimin e Prokurorisë Speciale” – tha Manaj, duke shtuar se mungesa e një mekanizmi të tillë ka penguar luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Pavarësi financiare dhe largim i politikës nga drejtësia

Arton Demhasaj nga AAK theksoi se sundimi i ligjit është elementi bazë i një demokracie funksionale dhe se pa një sistem të pavarur gjyqësor nuk mund të ketë shtet ligjor.

Sipas tij, dy elemente janë vendimtare për pavarësinë e gjyqësorit: mandati afatgjatë i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe pavarësia financiare.

“Momenti kur sistemi gjyqësor ka varësi financiare nga ekzekutivi, atëherë nuk mund të flasim për pavarësi” – tha Demhasaj.

Ai kritikoi ndërhyrjet politike në drejtësi, duke thënë se politika duhet të qëndrojë sa më larg sistemit gjyqësor.

“Sa më shumë që Qeveria dhe politika merren me pushtetin gjyqësor, aq më pak kemi një sistem të pavarur” – u shpreh ai.

Ndërkaq Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se problemi kryesor qëndron në mungesën e konsensusit për identifikimin e problemeve reale në drejtësi, duke mbrojtur qasjen e Qeverisë aktuale ndaj reformave.

“Ne nuk kemi nevojë për një kryeprokuror tonin, por as për një kryeprokuror tuajin. Ne duam një kryeprokuror dhe një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm që nuk i shërben askujt” – tha Rrustemi.

Ai theksoi se synimi i LVV-së është ndërtimi i një sistemi që lufton realisht korrupsionin e nivelit të lartë, duke u distancuar, sipas tij, nga modelet e qeverisjes së mëhershme.

Përfaqësuesi i AAK-së, Arton Demhasaj, reagoi duke theksuar se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e përcaktojnë qartë se zgjedhja e kryeprokurorit nuk është kompetencë e ekzekutivit.

“Nuk është kryeministri ai që përcakton kush duhet me qenë kryeprokuror. Këtë e bën Këshilli Prokurorial. Kryeministri nuk guxon me dalë e me folë për emra të përveçëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve” – u shpreh Demhasaj.

Në këtë linjë, ai paralajmëroi se ndërhyrjet politike, qoftë edhe përmes deklaratave publike, rrezikojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor.

E Rrustemi iu kundërpërgjigj duke argumentuar se politika ka përgjegjësi për ndërtimin e bazës ligjore dhe institucionale të sistemit të drejtësisë.

“Ne nuk e duam një sistem prokurorial dhe gjyqësor që nuk e adreson korrupsionin e nivelit të lartë, siç ka ndodhur gjatë 20 apo 25 viteve të fundit” – tha ai.

Debati vazhdoi më tej me ndërhyrjen e Përparim Grudës nga PDK-ja, i cili e vendosi theksin te përgjegjësia qeverisëse e Vetëvendosjes.

“Kjo Qeveri po i bën pesë vjet në pushtet. Në fund të pesëvjeçarit pyetja është e thjeshtë: pse nuk e rregulluat sistemin e drejtësisë?”- deklaroi Gruda.

Sipas tij, mungesa e rezultateve konkrete e bën të pabesueshme premtimin për reforma të reja në mandatin e ardhshëm.

Ndërsa Shkëmb Manaj nga LDK-ja tha se Kosova aktualisht po përballet me bllokada serioze institucionale në drejtësi.

“Kosova është pa Kryeprokuror për gati një mandat të plotë për shkak të qeverisjes aktuale, e cila e ka bllokuar zgjedhjen e Prokurorit të Shtetit” – tha Manaj.

Ai shtoi se për herë të parë Kosova nuk ka as Strategji shtetërore për luftën kundër korrupsionit, pavarësisht se Qeveria aktuale ka pasur shumicë të plotë parlamentare.

Rrustemi mohoi se përgjegjësia për zgjedhjen e kryeprokurorit bie mbi Qeverinë.

“Formalisht, kryeprokurori propozohet nga Këshilli Prokurorial dhe dekretohet nga presidentja. Kjo nuk është kompetencë e mazhorancës” – u shpreh ai.

Ai argumentoi se mungesa e një dokumenti strategjik nuk është thelbi i problemit.

“Kosova nuk ka vuajtur asnjëherë për dokumente strategjike, por për mungesë vullneti për t’i zbatuar ato” – tha Rrustemi.

Disiplina dhe llogaridhënia në gjyqësor: çfarë premtojnë partitë?

Debati vazhdoi te Raporti i Progresit dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të cilat kërkojnë reforma ligjore që rrisin disiplinën dhe llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa cenuar pavarësinë e tyre.

PDK: Rritje e numrit të gjyqtarëve dhe pavarësi financiare

Përparim Gruda tha se Komisioni i Venecias ka theksuar nevojën për forcimin e mekanizmave të brendshëm të disiplinës dhe vlerësimit të performancës.

“Plani ynë parashikon rishikimin e plotë të legjislacionit për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve” – tha ai.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për rritje të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të përballuar numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura.

“Buxheti që e sjell Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial duhet të miratohet pa ndërhyrje nga Qeveria. Ditën që Qeveria e dikton buxhetin e gjyqësorit, nuk ka më pavarësi” – u shpreh Gruda.

LDK: Ngritje kriteresh dhe garanci ligjore për buxhetin

Shkëmb Manaj prezantoi një qasje që fillon nga filtrimi i kandidatëve për sistemin e drejtësisë.

“Duhet të ngriten kriteret që nga provimi i jurisprudencës, që në sistem të hyjnë vetëm njerëz profesionalë dhe me integritet” – tha ai.

LDK propozon gjithashtu ndryshime ligjore që Kuvendi të mos ketë të drejtë të zvogëlojë buxhetin e institucioneve të drejtësisë.

“Asnjë vit buxheti për drejtësinë nuk guxon të jetë më i ulët se ai i vitit paraprak,”- deklaroi Manaj.

AAK: Forcim i mekanizmave të brendshëm, jo kontroll politik

Arton Demhasaj theksoi se standardet për llogaridhënie ekzistojnë dhe duhet të përshtaten me nevojat e Kosovës.

“Duhet të forcohen mekanizmat e brendshëm në Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, duke u fokusuar jo vetëm në matjen sasiore, por edhe cilësore të performancës”- tha ai.

Ai paralajmëroi kundër çdo forme të kontrollit të jashtëm politik mbi gjyqtarët dhe prokurorët.

“Politika nuk duhet të vlerësojë se cili prokuror apo gjyqtar e ka kryer mirë punën. Kjo do të ishte fundi i pavarësisë së sistemit”- u shpreh Demhasaj.

Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Adnan Rrustemi, deklaroi se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë drejt reformimit të sistemit të drejtësisë, duke hartuar një pako të gjerë projektligjesh.

Sipas tij, këto reforma synojnë rritjen e efikasitetit, integritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë.

“Qeveria tashmë ka hartuar pakon e projektligjeve që adreson secilin aspekt të sistemit të drejtësisë. Janë gjashtë projektligje të miratuara në Qeveri, të cilat janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe kemi opinionet e tyre” – deklaroi Rrustemi.

Ai sqaroi se këto projektligje përfshijnë rekrutimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndryshimet në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, statusin e punonjësve në gjykata dhe prokurori, si dhe përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rrustemi theksoi gjithashtu rëndësinë e një ligji të veçantë për gjykim në kohë të arsyeshme, duke argumentuar se vonesat shumëvjeçare në raste civile dhe të punës po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët.

Opozita: “Pesë vjet pushtet dhe asnjë rezultat”

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PDK-së, Përparim Gruda, e kritikoi ashpër Qeverinë, duke thënë se pas pesë vjetësh në pushtet, Vetëvendosje duhet të matet me rezultate konkrete, jo me premtime për të ardhmen.

“Në fund të pesëvjeçarit matesh me sa premtime i ke përmbushur. Ju keni dështuar këto pesë vjet dhe ky është dështim” – tha Gruda.

Ai vuri në pikëpyetje pretendimet e Qeverisë për një sistem të keq të drejtësisë, duke argumentuar se përgjegjësia bie mbi ata që kanë qeverisur.

Akuza për kapje të sistemit dhe kundërakuza politike

Debati u ashpërsua më tej kur Rrustemi akuzoi partitë e mëhershme në pushtet për kapje të sistemit të drejtësisë dhe mirëmbajtje të korrupsionit.

“Kapja e sistemit, degradimi, vendosja e njerëzve pa kritere dhe përdorimi i tyre për me mirëmbajtë korrupsionin janë trashëgimi e qeverive të kaluara” – tha Rrustemi, duke iu referuar PDK-së.

Këto deklarata u cilësuan si populiste nga përfaqësuesit e opozitës. Gruda reagoi duke kërkuar rezultate konkrete, përfshirë dënime për zyrtarë të lartë.

“Rezultate zotëri. Cilin e keni çuar në burg? Asnjë” – u shpreh ai.

Vettingu premtim i braktisur apo proces në pritje?

Çështja e Vettingut u ngrit nga Shkëmb Manaj (LDK), i cili akuzoi Vetëvendosjen se ka hequr dorë nga një premtim kyç.

“Para se me ardhë në pushtet, Vetëvendosje fliste për Vetting të plotë. Sot as nuk e përmend më” – tha Manaj, duke shtuar se Komisioni i Venecias ka konstatuar tentativa për kapje të sistemit në emër të reformës.

Rrustemi u kundërpërgjigj duke thënë se Vettingu mbetet synim i Qeverisë, por kërkon ndryshime kushtetuese dhe kompromis politik.

“Vettingun do ta realizojmë. Projektligji është gati, por kërkon ndryshime kushtetuese që kërkojnë mbështetje edhe nga komuniteti serb” – deklaroi ai.

Akuza për standarde të dyfishta dhe raste konkrete korrupsioni

Nga AAK, Arton Demhasaj ngriti akuza të drejtpërdrejta për standarde të dyfishta, duke përmendur mosparaqitjen e kryeministrit në prokurori dhe raste konkrete me aktakuza.

“Kur kryeministri nuk shkon me dëshmu në prokurori dhe kur ministra me aktakuza nuk shkojnë në gjykatë, si mund të flasim për gjyqësi të pavarur?”- pyeti Demhasaj.

Ai kritikoi gjithashtu mbajtjen në pozita të zyrtarëve ndaj të cilëve ka aktakuza, duke e cilësuar këtë si shkelje të parimeve që vetë Vetëvendosje i kishte promovuar më herët.

Buxheti për drejtësinë: vetëm 1% dhe borxhe milionëshe

Në pjesën e fundit të debatit, fokusi kaloi te buxheti për drejtësinë. Ndërsa u theksua se vetëm 1% e buxhetit të shtetit i ndahet sistemit të drejtësisë, ndërsa Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial përballen me borxhe rreth 3 milionë euro.

Opozita e konsideroi këtë si dëshmi të mungesës së vullnetit politik.

“Nuk ka drejtësi të pavarur pa pavarësi buxhetore” – tha Shkëmb Manaj, duke kërkuar që buxheti i gjyqësorit të përcaktohet drejtpërdrejt nga Kuvendi, pa ndërhyrje të ekzekutivit.

Ndërsa Rrustemi deklaroi se buxheti për drejtësinë është rritur dhe se nuk do të jetë pengesë për reforma.

“Kosova ka shënuar rritje prej mbi 22% të buxhetit për drejtësi në vitin 2024 krahasuar me 2023-in” – tha ai, duke shtuar se integriteti dhe profesionalizmi janë po aq të rëndësishëm sa fondet.