Foto: Gjimnazi "Frang Bardhi" në Mitrovicë

“Kuizi i Diturisë” në shkollë, si parapërgatitje për testin e maturës

Rezultati i mirë në testin e maturës është qëllimi i maturantëve çdo vit, mirëpo që këto rezultate të arrihen puna dhe përkushtimi nuk duhet të mungojë asnjëherë. Nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, përgatitjet për këtë test i fillojnë shumë më herët me ndihmën e drejtorisë së shkollës dhe profesorëve, që mënyrë që nxënësit e tyre të dalin sa më mirë dhe të arrijnë rezultatet e dëshirueshme.

Në 75-vjetorin e themelimit të gjimnazit “Frang Bardhi”, maturantët mbajtën Kuizin e Diturisë “Matura 2021”, kuiz i cili ka për qëllim përgatitjet për testin e maturës. Kuizi gjatë gjithë kohës zhvillohet nën vëzhgimin e drejtorisë së shkollës, profesorëve dhe ekipit punues. 

Ky kuiz përmban 30 pyetje nga lëndë të ndryshme, si gjuha shqipe, matematika, gjuha angleze e lëndët e tjera natyrore, të cilat çdo vit janë pjesë e testit të maturës. Në kuiz marrin pjesë të gjitha klasat e dy drejtimeve të gjimnazit, shoqëror dhe natyror. Në çdo klasë përzgjidhen 5 nxënës në mënyrë vullnetare dhe me aprovimin e klasës.

Foto: Erona Baliu/Gjimnazi “Frang Bardhi” në Mitrovicë

Ndërsa detyrat dhe pyetjet e kuizit përgatiten nga profesorët e shkollës, të cilët nuk janë mësimdhënës të nxënësve pjesëmarrës në garë. Fillimisht zhvillohet rundi i parë dhe grupet fituese të rundit të parë në ditët vijuese e zhvillojnë garën mes vete, duke eliminuar klasat deri në finale. 

Dëshira për fitore e rritë edhe motivin për përgatitje sa më të madhe për kuizin e rrjedhimisht edhe për testin e maturës. Sa më afër finales, ndihet edhe rivaliteti më i madh mes klasave. 

Në finale shkojnë 4 klasë dhe dy prej tyre dalin fituese, një klasë nga drejtimi shoqëror dhe një tjetër nga ai natyror. 

Nxënësit pjesëmarrës në kuizin “Matura 2021” u shpërblyen me dhurata simbolike dhe me mirënjohje, në mënyrë që ata të motivohen dhe të shpërblehet puna dhe njohuritë e tyre. 

“Libra të ndryshëm të dhuruar nga shkolla, certifikata për çdo klasë me emrat e pjesëmarrësve që e përfaqësojnë klasën dhe një certifikatë e veçantë për klasën fituese”, ka thënë njëri nga profesorët e TIK-ut, i cili është edhe organizator i kuizit, Xhevat Beka.

Dëshira për punë nuk mungon asnjëherë as nga ana e nxënësve as nga ana e profesorëve të gjimnazit “Frang Bardhi”, të cilët e kanë primare arritjen e suksesit, i cili gjithnjë është i pranishëm dhe është rezultat i punës së shkollës në bashkëpunim me nxënësit.

“Kuizi ka ndihmuar shumë meqenëse maturantët e vitit të kaluar shumicën e kohës e kanë kaluar me mësim online. Gara ka qenë një paratest dhe rezultatet kanë qenë të dukshme”, ka thënë profesori Beka.

Edhe këtë vit stafi punues i kësaj shkolle do zhvillojnë kuizin për maturantët e vitit 2022.

Autorja Erona Baliu është nxënëse e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.