Ilustrimi: Flickr
Respektimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë – Betejë me mullinjtë e erës
Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili është miratuar në vitin 2006 dhe është konfirmuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2008, gjuha serbe dhe shqipe janë gjuhë zyrtare në Kosovë. E drejta në gjuhë fatkeqësisht ende është një e drejtë themelore e njeriut e cila nuk respektohet në Kosovë. Gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe pandërprerë ballafaqohen me problemin e mossigurimit të përkthimit në ngjarjet me interes publik, ndërsa beteja e tyre për të ndryshuar diçka duket si beteja me mullinjtë e erës. Nuk është aspak më lehtë as për kolegët nga Prishtina kur raportojnë nga mjediset me shumicë serbe dhe në ato raste, siç thonë, ia bëjnë disi me forca vetanake.
Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve të gjitha institucionet publike janë të detyruara të publikojnë të gjitha dokumentet në dy gjuhët, ndërsa në të gjitha ngjarjet është e domosdoshme prezenca e përkthyesit profesional. Megjithatë kjo nuk ndodh, kështu që gazetarët të cilët raportojnë në gjuhën serbe nga ngjarjet e caktuara largohen pa përkthim, audienca serbe ngelet e painformuar, ndërsa politikanët janë të painteresuar.
“Aspak nuk mundohen dhe hiç nuk lodhen. Si të mos kishte serbë në Kosovë, si të mos ekzistonte gjuha serbe fare, thua si të mos të ketë nevojë për informim të popullatës me kombësi serbe, ja kështu sillen. Njëjtë siç sillen sa i përket të drejtave të tjera, ashtu sillen edhe sa i përket të drejtës në gjuhë. Asesi nuk bëhet fjalë që i intereson kjo. Ndoshta ka raste të rralla kur u intereson, nëse ndonjë gazetar ngre zërin dhe thotë se nuk ka përkthim në serbisht”, theksoi gazetarja nga Graçanica, Millica Stojanoviq.
Edhe në ato raste kur ka përkthim, zakonisht nuk është i duhuri dhe nuk është në pajtim me drejtshkrimin e gjuhës serbe, thotë gazetarja e Radio Kontakt Plus nga Mitrovica, Daniela Tomasheviq.
“Shumica e institucioneve publike të Kosovës me të cilat komunikojmë në përgjithësi na drejtohen në gjuhën shqipe. Institucioni të cilit i drejtohemi më së shpeshti është Policia e Kosovës. Gjatë gjithë kësaj kohe sa jemi në komunikim, vetëm një herë ka ndodhur të pranojmë përgjigjen në gjuhën serbe. Këtu nuk flas për përfaqësuesit e Policisë së Kosovës nga rajoni Veri, me të cilët komunikojmë vetëm në gjuhë serbe. Megjithatë, ka institucione që mundohen të respektojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç është Zyra e Avokatit të Popullit, Gjykata Kushtetuese, Kabineti i Presidentes të Kosovës… Megjithatë, kur flasim për cilësinë e përkthimit, aty ka goxha shumë hapësirë për përmirësim”, thekson Tomasheviq.
Shkelja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve ishte veçanërisht problematike në kohën e pandemisë së coronavirusit, rikujton Tomasheviq.
“Për neve mediat, mosrespektimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve paraqet një pengesë të madhe për informimin e publikut me kohë, që është veprimtaria jonë primare. Ka pasur situata, në veçanti në kohën e pandemisë së koronës, që kërkonin para së gjithash raportim me kohë, por edhe të saktë, ndërsa mediat, për shkak të mosekzistencës së përkthimit të vendimeve zyrtare nga ana e institucioneve, ishin të detyruara të trokisnin në të gjitha dyert për të marrë informatat e duhura dhe t’ia paraqisnin publikut”, tha Tomasheviq.
Gazetari Berzat Berzati thekson se situata është e ngjashme edhe në komunën e Prizrenit dhe Dragashit.
“Në institucionet siç është policia, prokuroria, gjykata, në shëndetësi… shumë pak respektohet, respektivisht zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Gati se nuk ka përkthyes, ndërsa ata që kanë zënë këto pozita nuk e njohin gjuhën serbe mirë kështu që gjatë përkthimit në rastet shumë të ndjeshme për dikë që nuk e flet gjuhën shqipe është shumë e vështirë të merret vesh. E njëjta vlen edhe për mjediset në veri të Kosovës ku ka shumë pak të punësuar që përkthejnë nga gjuha serbe në shqip”, deklaron Berzati, duke shtuar se problem madhor paraqet përkthimi i dokumenteve të rëndësisë publike.
“Nëse e kërkoni zyrtarisht përkthimin e një dokumenti ose deklarate, kjo shkon shumë ngadalë, zgjat me disa muaj. Bashkëbisedimi është shumë i vështirë, në veçanti me zyrtarët e rinj të cilët aspak nuk e njohin gjuhën e komuniteteve të tjera, e që është gjuhë zyrtare në komunë. Sa i përket institucioneve qendrore, situata është paksa më e mirë në vitin e fundit, por jo mjaftueshëm. Shembulli i fundit është aplikacioni (për 100 euro për punëtorët dhe studentët), i cili është vetëm në gjuhën shqipe dhe nuk ka përkthim në asnjë gjuhë tjetër, respektivisht në serbisht, që është gjuhë zyrtare e Kosovës”, theksoi Berzati.
Edhe gazetarët që raportojnë në shqip ballafaqohen me mosrespektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Mendoj se ky ligj nuk respektohet në nivelin që do të duhej, siç ndodh me shumë ligje në Kosovë. Është fatkeqësi të shihet që Kuvendi i Kosovës, i cili në fakt harton dhe miraton ligjet, shpesh është vendi ku nuk zbatohet ky ligj. Kemi marrë ankesa nga kolegët tanë që raportojnë në gjuhën serbe që kishte raste kur nuk ishte siguruar përkthimi i seancave në serbisht. Gjithnjë ftojmë edhe Kuvendin edhe Qeverinë që të japin shembull të mirë me respektim të plotë të këtij ligji”, ka thënë kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, duke shtuar se po aq është problematike për gazetarët nga Prishtina që nuk e flasin gjuhën serbe kur raportojnë nga mjediset me shumicë serbe.
“Shpesh ata gjejnë mbështetje tek njerëzit e vullnetit të mirë ose koleget tjerë të gjeneratave më të vjetra që ju ndihmojnë. Po ashtu është vështirë të marrin përgjigje në gjuhën shqipe nga institucionet, siç janë komunat, prandaj zakonisht mbështeten tek zëvendës kryetarët e komunave ose asamblistët në kuvendet lokale për përgjigje”, thekson Rexha.
Mediat, por edhe sektori joqeveritar pandërprerë rikujtojnë detyrimin e respektimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Në kuptimin e plotë të fjalës, çdo ditë ka shkelje të këtij ligji, si në institucione lokale, ashtu edhe në nivel qendror. Hulumtimet tona tregojnë që ajo më e rëndësishmja, njerëzit, aspak nuk janë të informuar për këtë Ligj, në veçanti pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, ku më së shumti shkelet ky ligj. Kishim disa raste qesharake, ku në kuptimin e plotë të fjalës përkthehej në mënyrë të shëmtuar në gjuhën serbe dhe krejtësisht humbej kuptimi dhe konteksti, e të mos flas sa është e rëndësishme kjo kur flasim për institucionet, siç është për shembull gjykata”, tha Ivan Nikoliq nga organizata joqeveritare “Komunikimi për zhvillim të shoqërisë” nga Graçanica.
Komisionari për gjuhë në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Sllavisha Mlladenoviq, thotë se niveli i zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk është i kënaqshëm.
“Janë të shpeshta shkeljet e këtij Ligji në institucionet qendrore dhe lokale e kjo shpesh çon në shkelje të të drejtave të tjera të qytetarëve, siç është e drejta në punësim, gjykim të drejtë, kujdes shëndetësor…”, theksoi Mlladenoviqi.
Përgjegjësia për këtë gjendje para se gjithash bie mbi ata që do të duhej të zbatonin ligjin, gjegjësisht institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, konsideron Mlladenoviqi, duke shtuar se zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve paraqet një detyrë tejet të ndërlikuar.
“Që të ndodh kjo, para se gjithash duhet punuar në krijimin e bazës profesionale për administratë dygjuhësore, dhe këta janë përkthyesit dhe zyrtarët që flasin dy gjuhët zyrtare, ose thënë ndryshe, në adresimin e kësaj çështje nëpërmes sistemit arsimor. Po aq e rëndësishme është ngritja e vetëdijes për rolin e gjuhës në procesin e shërbimeve publike dhe të pjesëmarrjes së qytetarëve. Në fund, dygjuhësia duhet të ju imponohet liderëve politik si prioritet ngase gjithsesi paraqet zgjidhje për shumë probleme që sot konsiderohen prioritare”, thekson Mlladenoviqi.
Për respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nevojitet edhe vullneti politik, konsiderojnë bashkëbiseduesit e portalit Graçanica Online.
“Lidhur me këtë, institucionet duhet të sigurojnë trajnimin e stafit te tyre për të fituar shkathtësitë gjuhësore, që ata të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime në dy gjuhët zyrtare në vend”, thekson Rexha.
“Politikanët shumë më rrallë ballafaqohen me këtë problem, si dhe kanë prioritete të tjera politike. Për këtë arsye tema e gjuhës vetëm nganjëherë përmendet në fushata, ndërsa shumë më rrallë në veprim politik. Natyrisht, ka individë që janë të dedikuar në zgjidhjen e këtij problemi, por edhe ata janë në pakicë”, thotë Mlladenoviqi.
Zyra e komisionarit për gjuhë mesatarisht pranon rreth pesëdhjetë ankesa në vit sa i përket shkeljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, nga të cilat “numri më i madh zgjidhet në një afat rekord, por një numër është ende i pazgjidhur sepse rrënja e problemit të identifikuar në ato ankesa është sistematike dhe zgjidhet më vështirë”, thekson Mlladenoviq.
Sa nuk respektohet ky ligj, tregojnë edhe të dhënat e zbuluara nga Jellena Petkoviq dhe Nora Bezera në hulumtimin e tyre që në Kushtetutë dhe shtatë ligje në Kosovë, të cilët konsiderohen si më të rëndësishmit për komunitetin serb, janë mbi 4000 gabime në përkthim.