Gorazhdeci, Foto: Radio Gorazhdeci

Çfarë i shtyn të rinjtë që të largohen nga fshati?

Largimi i të rinjve nga fshati është problem prej dekadash.  Qytetet po mbushen dhe ka shumë arsye pse të rinjtë shkojnë në qytet, si studimi, punësimi, jeta më e pasur kulturore dhe artistike.

Kur mbarojnë shkollën e mesme, të rinjtë nga Gorazhdeci kryesisht shkojnë për të studiuar në Mitrovicë të Veriut ose në Serbi.  Megjithatë, viteve të fundit, nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë nuk duan ta vazhdojnë shkollimin por megjithatë vendosin të shkojnë në qytet më të madh, ku e kanë më të lehtë të gjejnë një punë.

Të rinjtë nga Gorazhdeci më së shumti ankohen se në fshat nuk ka punë.  Nuk ka vende për të kaluar kohë të lirë dhe për të dalë.  Ata shpesh thonë me shaka se dita disi kalon, por kur vijë nata fillon të mbretërojë mërzia, që është bërë pjesë e përditshme e jetës në Gorazhdec dhe që shpesh shndërrohet në depresion të lehtë.

Në Gorazhdec është vetëm një kafene, e cila është vendtakimi kryesor i të rinjve.  Shumicën e kohës të rinjtë e kalojnë atje.  Megjithatë, pakënaqësia dhe mospërmbushja e të rinjve që qëndruan këtu shihet në çdo hap.  Sipas tyre, gjithçka është bërë shumë monotone dhe e mërzitshme.  Nga ana tjetër, tek të rinjtë nuk ka asnjë iniciativë për të ndryshuar diçka.  Fakti i vetëm inkurajues është se një grup adoleshentësh u mblodhën dhe filluan të ushtrojnë futboll.  Rreth tyre janë mbledhur të gjithë gjeneratat e reja.  Nuk është e pazakontë të shkojnë në Graçanicë apo Hoçë të Madhe për të luajtur lojë futbolli.

Të rinjtë në Gorazhdec ndajnë fatin e bashkëmoshatarëve të tyre në mjediset e tjera më të vogla ku jeton komuniteti serb.  Lëvizja e kufizuar, mungesa e komunikimit me komunitetet e tjera dhe mungesa pothuajse e plotë e mundësive për socializim dhe për të dalë, përveç mungesës së punës, ndikon ndjeshëm në vendimin e tyre për t’u larguar.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në qytete më të mëdha, për shembull, nuk ka jetë nate, festa, vizita të rregullta në ngjarje e ndeshje sportive, teatër apo kinema.

Megjithatë, pavarësisht se në vende të tilla pothuajse çdo ditë është e njëjtë, secila është e ngjashme me atë të mëparshmen, ka të rinj që janë të vendosur të qëndrojnë e të jetojnë në fshat, të krijojnë familje, të ndërtojnë shtëpi dhe mjedis në të cilin do të jetojnë.

Autorja Jovana Zdravkovic është nxënëse e gjimnazit “Sveti Sava” në Gorazhdec të Pejës.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.