Komuna e Graçanicës.

Komuna e Graçanicës e pasur me ngjarje kulturore

Komuna e Graçanicës në vitet e fundit është bërë qendër kulturore për komunitetin serb dhe komunitet tjera që jetojnë në këtë komunë. Në Graçanicë në muajt e fundit përditë mbahen ekspozitat e pikturave dhe skulpturave, promovimet e librave, koncertet e muzikës klasike dhe popullore, shfaqjet e baletit dhe teatrit, shfaqjet e filmave për fëmijë dhe të rritur, si dhe punëtoritë për luajtjen e instrumenteve popullore.

Audienca e kënaqur me aktivitetet kulturore në Graçanicë

“Promovimi i trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, artit bashkëkohor vendor dhe të huaj, përveç edukimit të publikut, veçanërisht të rinjve, tregon rëndësinë e kulturës në jetën e njerëzve”, tha Brankica Niçiq, drejtoreshë e Departamentit të Arsimit dhe Kulturës në Komunën e Graçanicës.

“Përmbajtja, ruajtja e traditës, ruajtja e vlerave shpirtërore dhe shoqërore në këto treva në të njëjtën kohë do të thotë edhe ndihmë në zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe shoqërisë në përgjithësi. Investimi në kulturë është shumë i rëndësishëm, sepse në të vërtetë paraqet investim në të ardhmen, të tashmen, e njëkohësisht do të thotë edhe ruajtjen e të kaluarës sonë nga harresa”, theksoi Niçiq.

Shtëpia e Kulturës në Graçanicë tregon si të investohet në të tashmen dhe të ardhmen, si dhe si të ruhet e kaluara, ku pothuajse nuk ka ditë pa ngjarje kulturore.

“Gati përditë kemi program dhe çdo ditë ky program tërheq një audiencë të madhe. Tani kemi audiencë të konsoliduar dhe kjo audiencë vjen rregullisht në të gjitha ngjarjet kulturore që organizojmë”, thotë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë, Zhivojin Rakoçeviq.

Megjithatë, sipas Rakoçeviqit, pandemia e koronavirusit ka prekur shumë ngjarje kulturore që ishin në plan të organizoheshin. Gjatë periudhës së mbylljes së plotë ishte shumë e vështirë për të mbajtur audiencën, por pati sukses mënyra e re e prezantimit të ngjarjeve kulturore.

“Në atë moment, i gjithë programi jonë, në kuptimin e plotë të fjalës, kaloi në internet sepse kishim mbyllje hermetike. Thjesht, dukej se punonin vetëm mjekët, gazetarët dhe punëtorët e kulturës. Baza e kulturës gjatë epidemisë së koronavirusit ishte: lirohu nga frika, kujdesu për të tjerët, shiko që të punosh dhe prite momentin kur do të jesh i lirë nga frika dhe i lirë për të komunikuar me dinjitet dhe normalitet”, shtoi drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë.

Artet figurative, promovimi i artistëve të njohur dhe të rinj

Pas përmirësimit të situatës epidemiologjike vazhduan edhe ngjarjet kulturore me prani të audiencës.

“Kemi organizuar koloninë artistike “Vjeshta në Prizren”. Shtatë artistë nga zona të ndryshme të Serbisë, por edhe të rajonit, kanë pikturuar në muajin nëntor në portat e Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren”, ka thënë redaktori i Galerisë së Arteve të Shtëpisë së Kulturës “Graçanica”, Nebojsha Jevtiq.

Ekspozita nga kjo koloni artistike u hap në Galerinë e Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë, ndërsa para kësaj audienca e Graçanicës pati mundësinë të shijonte ekspozitën e piktorit Millosh Shobajiq, i cili vitin e kaluar ndërroi jetë për shkak të koronavirusit.

“Ai vazhdimisht ishte në kërkim të së vërtetës dhe njohurive dhe kjo e frymëzoi të krijonte piktura shpërthyese impresioniste të cilat ishin të ekspozuara në Graçanicë”, tha gruaja e Shobajiqit, Maja Iskjerdo.

Galeria e Shtëpisë së Kulturës po ashtu promovon artistët e rinj vendas të bëjnë ekspozita dhe në këtë mënyrë të prezantojnë artin dhe krijimtarinë e tyre. Vend në muret e Galerisë në Graçanicë kishte zënë edhe ekspozita vetanake e artistit nga Gjilani, Goran Mihajloviq, me titullin “Peizazhet e pashpresës”.

Ndërsa, krahas pikturave, interesim të madh të kulturëdashësve kishin tërhequr edhe skulpturat e skulptorit Svetomir Arsiq Basara, i lindur në Sevac, rrëzë maleve të Sharrit. Skulpturat e skulptorit nëntëdhjetë e tre vjeçar janë punuar në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2018, nga druri, bronzi dhe metali dhe për tre muaj ishin ekspozuar në Graçanicë.

Premiera të shfaqjeve teatrale dhe të filmave për të rritur dhe fëmijë

Graçanicën nuk e ka anashkaluar kremtimi i 150 vjetorit të fillimit të shkollimit institucional të dramës në Serbi. Në Graçanicë u mbajt ekspozita “Një shekull e gjysmë e shkollës serbe të aktrimit” e autorit Pavlle Llaziq, e cila përmes dokumenteve, fotografive, video dhe audio materialeve rikujton zhvillimin historik të shkollës serbe të dramës.

Teatri Kombëtar i Prishtinës me të madhe po luan shfaqje si për të rritur ashtu edhe për fëmijë. Ky teatër, së bashku me Asociacionin e Teatrove Profesionistë të Serbisë, organizoi festivalin e fëmijëve “Joakimi i vogël” në Graçanicë.

“Ky është suksesi më i madh dhe çmimi më i madh për të gjithë ne, si për organizatorët ashtu edhe për të gjitha teatrot që erdhën këtu për festivalin. Së bashku kemi kontribuar që të kemi një festë të madhe teatrore në Graçanicë. Për audiencën tonë më të re në Kosovë, kjo është një ngjarje kulturore e paprecedentë në kohët e fundit”, deklaroi drejtori i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, Predrag Radonjiq.

Përveç shfaqjeve për fëmijë, aktorët e Teatrit Kombëtar vetëm në këto katër muajt e fundit kanë interpretuar edhe këto shfaqje: “Zvonar Bogorodičine crkve” [Kambanari i kishës së Zojës], “Sumlj(nj)ivo lice” [Personi i dyshuar/dyshimtë] dhe “Ribarske svađe” [Grindjet e peshkatarëve].

As teatroja amatore “Janićije Popović” [Janiqije Popoviq] në Graçanicë nuk mbetet prapa kolegëve të tyre profesionistë. Aktorët e rinj amatorë luajnë shfaqje për fëmijë në teatrin e Shtëpisë së Kulturës, e njëkohësisht janë të ftuar edhe në festivale të shumta.

“Vitin e kaluar filluam të vëmë në skenë shfaqjen “Loja”, e cila bazohet në tekstin e Aleksandër Davideskut e në regji të Boshko Boshkovit, i cili në të njëjtën kohë edhe ka nënshkruar skenarin e shfaqjes. Shfaqja është për fëmijë dhe me të fituam çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar “Moravski cvetić” [Lulja e Moravës] në Tërstenik, tha redaktori i programeve teatrore të Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë, Aleksandër Guxhiq.

Aktorët e teatrit amator luajnë edhe në shfaqje humanitare. Para pak kohësh ata luajtën në dy shfaqje, ke ç’rast të gjitha të ardhurat nga këto shfaqje janë dedikuar për mjekimin e një bebeje shtatëmuajshe, Vukan Stoilkoviqit nga Vraja, i cili vuan nga atrofia muskulare spinale.

“Në një mënyre duam ta ndihmojmë Vukanin e vogël, por edhe të theksojmë nevojën për të qenë human dhe se është e nevojshme t’i përgjigjemi aksioneve të shumta humanitare. Kjo nuk është hera e parë që teatri ynë dhe seksioni ynë i aktrimit luajnë shfaqje me karakter humanitar”, shtoi Guxhiq.

Pas një kohe të gjatë në Graçanicë u hap kinemaja ku çdo të enjte transmetohen filmat e mëngjesit dhe të pasdites. Disa nga filmat që audienca mund t’i shihte janë: “Qielli”, “Batman”, “Sekretet e Dumbledorit”, “Të rrethuar”. Shtëpia e Kulturës organizoi edhe një festival ndërkombëtar filmi, ku u shfaqën filma vendas, të huaj dhe për fëmijë.

“Fillimisht ishte paraparë që ky festival të jetë “udhëtues”, më saktë, të mbahet çdo vit në një mjedis tjetër në Kosovë. Mirëpo, bashkëpunimi dhe organizimi me Shtëpinë e Kulturës ishte vendimtar që ky Festival ndërkombëtar i filmit të mbahet në Graçanicë tash e pesë vjet”, thotë producenti ekzekutiv i festivalit, Stefan Mlladenoviq.

Krijuesit vendas patën mundësinë të konkurrojnë edhe në krijimtari të filmave dokumentarë në kuadër të festivalit “Grafest”, në të cilin u shfaqën edhe dokumentarë botërorë.

Publiku ndjek edhe koncerte, si të muzikës popullore ashtu edhe të asaj klasike

Këngëtarja ndërkombëtare e operës dhe anëtarja e studios operistike të Teatrit Kombëtar në Beograd, Natasha Tasiq Knezheviq, mbajti një koncert bamirësie në Graçanicë, ku të gjitha të ardhurat nga koncerti u dedikuan për tri familje rome të rrezikuara sociale. Koncerti i Natasha Tasiq Knezheviq, me përcjelljen në piano nga Sasha Knezheviq, është mbajtur në kuadër të projektit “Promovimi i kulturës rome”, ndërsa koncerti është organizuar nga komuna e Graçanicës në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

“Është e vështirë për të rinjtë të krijojnë një vizion çfarë duan të bëhen dhe si ta arrijnë atë. Rruga e tyre bëhet edhe më e vështirë dhe kjo vjen nga familjet me të ardhura të ulëta. Megjithatë, me mundësi të mëtejshme për të mësuar, përqendruar përpjekjet e tyre dhe pjesëmarrje aktive, ka një mundësi më të ndritshme për artistët e rinj, siç tregon edhe shembulli i Natashës”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Majkëll Davenport, duke iu referuar fillimit të karrierës së Natashës, kur ajo përballej me ngjitje dhe rënie të shumta.

Në festivalin e këngës popullore “Zërat Perandorake”, 15 nxënës të moshave gjashtë deri në 22 vjeç prezantuan para publikut graçanicas performancën tradicionale të këngëve etnike nga këto treva.

“Kam hasur në fëmijë jashtëzakonisht të talentuar. Nuk mund ta besoja që kaq shumë fëmijë ishin muzikorë. Këta fëmijë janë strumbullar të vërtetë të muzikës sonë të vërtetë origjinale nga këto treva”, ka theksuar drejtori i festivalit, Zllatko Stojanoviq.

Folklori me funksion humanitar dhe të ruajtjes së traditës

Pjesë e pazëvendësueshme e manifestimeve kulturore në Komunën e Graçanicës, por edhe shumë më gjerë, është Ansambli Kombëtar “Venac” [Kurora] nga Graçanica, i cili ua prezanton aftësitë profesionale adhuruesve të valleve popullore. Gjatë periudhës së pandemisë, anëtarët e këtij ansambli filluan të prezantojnë programin e quajtur “Domaćine, doma li si” [O zot shpije, a je ne shpi, o hej], ndërsa për shkak të pamundësisë për të performuar para publikut, valltarët dhe këngëtarët e këtij ansambli kanë shkuar shtëpi më shtëpi, nga vendi në vend.

“Shfrytëzuam rastin për të bërë një simulim të një vizite, një dollie, një atmosferë festive me zotin e shtëpisë që na pret dhe më pas këndojmë një këngë së bashku me të. Vendosëm që vendi i parë i miniprojektit tonë “Domaćine, doma li si” të jetë në Hoçën e Madhe. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me njerëzit e Hoçës së Madhe dhe ata na ndihmuan me programin”, tha shefi i sektorit të artit në ansamblin “Venac”, Millosh Cille Mitiq, duke thënë se ansambli planifikon një program të madh tematik, një shfaqje folklorike, për të shënuar 700 vjetorin e Manastirit të Graçanicës.

Ansambli “Venac” organizoi edhe një punëtori për lahutë, kavall dhe tambure për të rinj e të moshuar, si dhe një punëtori për valle që janë regjistruar në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-së. Po ashtu, së bashku me orkestrën e tambureve të Novi Sadit “Gospon tamburaši” [Zotërote lojtar i tamburinës] mbajtën një koncert humanitar, ndërsa mjetet e grumbulluara ishin të destinuara për shërimin e dy fëmijëve nga Kamenica në Anamoravë.

Institucionet mbështesin ngjarjet kulturore në Graçanicë

Mbështetjen më të madhe në organizimin e manifestimeve kulturore në Komunën e Graçanicës e ka dhënë Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, por nuk ka munguar as mbështetja e pushtetit lokal.

“Komuna e Graçanicës e mbështet kulturën në mënyra të ndryshme, financiarisht, në formë të financimit të projekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me kulturën, me logjistikë, e mbi të gjitha fjalën e kam për organizimin e transportit dhe asistencës teknike. Ajo që mund të them është se Komuna e Graçanicës çdo vit ndan mjete financiare për financimin e organizatave joqeveritare të cilat i pranojnë këto mjete financiare për realizimin e projekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me kulturën”, ka konkluduar Drejtoresha për arsimit dhe kulturës në Komunën e Graçanicës.

Ajo që në veçanti gëzon audiencën është se ngjarjet kulturore vazhdojnë, sidomos tani që situata me coronavirusin është stabilizuar.