Foto ilustrim- futbolli në terren të mbyllur

Pjesë të ndryshme të Kosovës - probleme të ndryshme të të rinjve

Jeta e të rinjve në Kosovë ndryshon nga vendi në vend. Të rinjtë që jetojnë në katër komuna në veri, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq janë më të kënaqur me aktivitetet të cilat shpesh organizohen për avancimin e të rinjve. Në Graçanicë, kurset me karakter edukativ organizohen kryesisht nga organizatat joqeveritare, ndërsa në Anamoravë dhe Gorazhdec në Komunë të Pejës, aktivitetet janë kryesisht të natyrës sportive. Problemi i përbashkët për të rinjtë anë e mbanë Kosovës është papunësia.

Duke iu falënderuar faktit se Mitrovica është qytet universitar, në të jetojnë shumë të rinj, kështu që shumica e maturantëve të komunitetit serb në Kosovë drejtohen atje, në “qytetin e studentëve”. Të rinjtë mendojnë dhe presin se në Mitrovicë ka më shumë perspektivë dhe se situata është shumë më e keqe në vendet në jug të Ibrit.

“Të rinjtë në Mitrovicë mund të aplikojnë për kurse të gjuhëve të huaja, programimi, kanë në dispozicion aktivitete të ndryshme sportive, por ka edhe gjëra që ju mungojnë, si Shtëpia e Kulturës, më shumë gjelbërim dhe ndoshta edhe një salla për birile [boulling]. Situata dhe atmosfera në Kosovë ndryshojnë varësisht nga rajoni në të cilin jetoni”, thotë Nemanja Jakshiq, duke shtuar se të rinjtë duhet të përfshihen në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet.

“E drejta e votës në zgjedhje duhet të hiqet për personat mbi moshën 65 vjeç sepse të ardhmen duhet ta krijojnë të rinjtë, e jo ata të cilëve u ka kaluar koha”, shtoi Jakshiq paksa i zemëruar.

Ivan Mitiq është shpërngulur në Mitrovicë nga Graçanica. Ai thekson se të rinjtë në Kosovë më së shumti shqetësohen për paqëndrueshmërinë ekonomike dhe kjo është arsyeja pse po kërkon një të ardhme më të ndritur sa më larg nga këtu.

“Aspekti ekonomik është ndoshta aspekti kryesor që ndikon në pakënaqësitë e të rinjve në Kosovë. Sigurisht që ka gjithmonë shembuj të ndritshëm të njerëzve që vendosën të krijojnë diçka dhe ia dolën mbanë, të prodhojnë diçka të tyren, të themelojnë kompaninë e tyre, natyrisht, e kam fjalën për të rinjtë, por ne ende kemi mentalitetin që puna shtetërore është ajo që vlen dhe është kryesore dhe mendoj se shumë njerëz ende shkojnë drejt kësaj dhe punojnë për të gjetur një punë shtetërore”, theksoi Mitiq.

I pyetur nëse situata në Kosovë po ndryshon për të mirë kur bëhet fjalë për perspektivën për të rinjtë, ai u përgjigj:

“Pothuajse të gjitha hulumtimet tregojnë se shumë të rinj me dëshirë do të largoheshin ose mendojnë të largohen nga Kosova, si në mjediset serbe ashtu edhe në ato me shumicë shqiptare. Pra, nuk do të thosha se ka ndonjë përmirësim kur bëhet fjalë për jetën e të rinjve. Për më tepër, mendoj se pikërisht mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën është e vetmja gjë që po pengon largimin e të gjithë atyre që duan të largohen në të vërtetë”.

Në Graçanicë, organizatat joqeveritare shpesh organizojnë aktivitete edukative për të rinjtë, por sipas fjalëve të kryetarit të Këshillit Rinor, Dushan Borisavleviq, kjo nuk mjafton.

“Sa i përket aktiviteteve të natyrës edukative, mund të themi se oferta është shumë e dobët dhe se të gjitha aktivitetet mund të ndahen në tri grupe: kurse gjuhësore, kurse për IT dhe në fund kurse që synojnë fuqizimin e të rinjve”, theksoi Borisavleviqi.

Ai beson se situata në Prishtinë dhe Graçanicë dallon shumë.

“Prishtina i ka të gjitha kushtet që të rinjtë të përparojnë në çdo drejtim, ndërsa të rinjtë nga Graçanica, e në veçanti kur regjistrohen në fakultet, duhet të largohen nga Graçanica. Nuk ka hapësirë të mjaftueshme për avancim profesional të të rinjve, për dallim nga zonat urbane. Në fund të fundit. jemi dëshmitar se buxheti për arsim në Komunën e Graçanicës është zvogëluar për 93 përqind”, tha Borisavleviqi, duke theksuar se një nga mënyrat për të përmirësuar jetën e të rinjve është zhvillimi i ndërmarrësisë.

Mendim të ngjashëm ka edhe Petar Gjorgjeviq nga organizata joqeveritare “Graçanica e re aktive”.

“Kurset për zanate të ndryshme mund të jenë shumë të rëndësishme për të rinjtë në Graçanicë, në mënyrë që të punësohen apo të vetëpunësohen. Në qytetet e mëdha ka edhe mundësi më të mëdha, sidomos në Prishtinë, ku ka një gamë të gjerë kursesh në fusha të ndryshme”, tha Gjorgjeviqi, duke theksuar se mungojnë plane specifike dhe programe trajnimi për të rinjtë, të cilët, siç thotë, duhet të përfshijnë institucionet arsimore dhe të tjera.

Milla Mihajlloviq, nxënëse e gjimnazit në Laplasellë në Komunën e Graçanicës, beson se mundësitë për pjesëmarrje në jetën kulturore dhe zhvillimin e aftësive profesionale dallojnë në nivele lokale, gjë që, siç thotë ajo është shkaktuar nga nivelet e ndryshme të margjinalizimit social dhe politik të komuniteteve në Kosova.

“Është e rëndësishme të ngrihet vetëdija kolektive, d.m.th. kombëtare për problemet, gjegjësisht pamundësitë e arritjes së bashkëjetesës paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike në Kosovë. Mendoj se mund të flasim për përmirësimin e jetës së të rinjve në Kosovë vetëm kur të kryhet një akt i tillë. Për zhvillim të barabartë dhe të njëjtë ne duhet të zhvillohemi së bashku në një kohezion të balancuar social që do t’u ofrojë të gjithë të rinjve mundësi të barabarta për zhvillim personal dhe arritjen e mirëqenies ekonomike për hir të mbijetesës së mëtutjeshme në Kosovë. Vetëm kështu do ta parandalojmë efektin e padëshiruar të “ikjes së trurit””, thotë Mihajlloviq.

Dushan Borisavleviq është i lumtur që një numër më i madh i të rinjve po vendosin të hapin bizneset e tyre vetanake.

“Shumë njerëz në mjedisin tim vendosin të merren me punë frilens, me punë online, me punë nga shtëpia. Dhe kjo është ajo që më gëzon, që ata prapë së prapë mund të punojnë për kompani botërore e të punojnë nga Graçanica, Gushterica, Dobratini apo ndonjë tjetër fshat përreth…”.

Në anën tjetër, aktivitetet e të rinjve në Anamoravë janë pothuajse inekzistente apo nuk vihen re, thotë Nikollë Vasiq nga Organizata Humanitare “Kosovsko Pomoravlje” [Anamorava]. Shumë shpesh mungon mbështetja institucionale, thekson ai.

“Zakonisht, nëse ka, këto janë kryesisht tryeza të rrumbullakëta ku diskutohen problemet e të rinjve, por ato probleme assesi nuk po zgjidhen. Herë pas here organizohen kurse në fushën e gjuhëve të huaja, gatimit, shkrimit të projekteve apo trajnime për punën në makineri (qepje, printim 3d). Efikasiteti i këtyre kurseve pasqyrohet në uljen e papunësisë, gjegjësisht gjetjen e vendeve të punës nga kandidatët e trajnuar. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Në mjediset e pazhvilluara siç është ky i yni, është shumë e vështirë të bësh diçka pa mbështetjen e institucioneve. Mu këto institucione, më saktësisht pushteti lokal do të duhej të ishte nismëtari kryesor. Prandaj është e rëndësishme të mbështeten nismat rinore, të sigurohen projekte start-ap dhe të ofrohet trajnim cilësor”, thekson Vasiq.

Llazar Petroviq nga Cërnica, fshat i komunës së Gjilanit, nuk e di që ka organizim të aktiviteteve edukative në rrethinën e tij.

“Unë di vetëm për aktivitete sportive, nuk kemi asnjë aktivitet tjetër, as kurse profesionale nuk kemi. Të rinjve u mungojnë shumë, ju mungojnë shkollat e futbollit dhe basketbollit, sepse ka fëmijë që kanë dhunti dhe talent për futboll apo basketboll dhe nuk i kanë ato qendra sportive që të avancojnë dhe të përmirësohen”, pohon Petroviq.

Damjan Portiq nga Gorazhdeci thotë shkurt se të rinjve serbë në Komunën e Pejës u mungon shoqëria dhe puna e sigurt.

“Mendoj se situata në Gorazhdec është drastikisht më ndryshe krahasuar me zonat e tjera në Kosovë. Nëse flasim për komunitetet serbe, siç janë për shembull Mitrovica apo Graçanica, ku ka qytete të mëdha dhe mundësi më të mëdha për punë dhe kurse profesionale dhe ku të rinjtë mund të avancojnë, në anën tjetër të rinjtë në Gorazhdec nuk kanë asnjë kurs ku mund të avancohen. Unë kam marrë pjesë në disa kurse jashtë Gorazhdecit ose që ishin online. Një numër i vogël i të rinjve qëndruan për të jetuar këtu, sepse ia kanë dalë të gjejnë punë diku tjetër, larg nga këtu. Fatkeqësisht, shumica e të rinjve janë larguar sepse nuk mund të gjenin punë në Gorazhdec dhe rrethinë”, përfundon Portiq.

Në një sondazh të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në fund të nëntorit të vitit të kaluar, rreth 78 për qind e të anketuarve të Kosovës ndërmjet moshës 18 dhe 35 vjeç thanë se do të largoheshin nga Kosova nëse u jepej mundësia. Fakti që nga viti në vit po rritet numri i qytetarëve që po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës është po ashtu shqetësues. Sipas të dhënave të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, 46,839 persona kanë heq dorë nga shtetësia e Kosovës në nëntë vitet e fundit, që është më shumë se numri i përgjithshëm i popullsisë së pesë komunave të Kosovës. Sa i përket të rinjve serbë, ata janë çdo vit e më pak, gjë që është veçanërisht e dukshme në shtator, kur fillon viti i ri shkollor.