Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com
Bytyqi: Studentët e Prizrenit po manevrohen nga menaxhmenti i vjetër
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi e ka quajtur të manevruar protestën e studentëve të Universitetit të Prizrenit lidhur me problematikën e zgjedhjes së rektorit atje.
“Unë konsideroj që studentët kanë qenë të manevruar, të implikuar nga ky menaxhment i vjetër dhe disa profesorë që pretendojnë me e marrë pozicionin e rektorit”, tha Bytyqi.
Historiku i Problemit me zgjedhjen e rektorit në universitetin ‘Ukshin Hoti’
Këshilli Drejtues i UPZ-së më 22 maj të këtij viti në rundin e dytë të votimit zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim të shkruar më datën 30 maj për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.
Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.
Lidhur me këtë zgjedhje kishte reaguar edhe rektori i kaluar, Ramë Vataj që ishte kandidat edhe në këto zgjedhje.
Masa e përkohshme është vendosur duke u bazuar në padinë e Vatajt.
Më pas, Këshilli Drejtues kishte bërë plane të mblidhej për të vendosur lidhur me këtë vendim të gjykatës dhe ta zgjedhnin një ushtrues detyre të rektorit deri në përfundim të procedurave gjyqësore.
Përfundimisht, më 21 dhjetor Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” vendosi për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së rektorit.
Ushtrues detyre është zgjedhur Ismet Temaj dhe ai do të jetë në këtë post deri në zgjedhjen e rektorit.
Në këtë mbledhje ata e kanë anuluar vendimin paraprak për zgjedhjen e Ismet Temajt si rektor.
Lidhur me tërë këtë problematikë, kishte pasur akuza të ndërsjella për ndikime politike nga NISMA (të cilës i takon Ministri i Arsimit) dhe Partia Demokratike e Kosovës ( të cilës i takonte ish-rektori Ramë Vataj).
Ministri Bytyqi për KALLXO.com tha se rektori që ishte zgjedhur, Ismet Temaj, nuk ka kurfarë lidhje politike me partinë e tij.
“Rektori nuk ka qenë çështja që është zgjedhur me ndikime por ka qenë problematika që një pjesë e Këshillit Drejtues nën ndikimin e menaxhmentit të vjetër nuk ka pranuar që po vjen një ndryshim edhe po vjen një rektor tjetër. Rektori që është zgjedhur nuk ka asnjë lidhje politike, nuk vjen nga partia prej të cilës vi unë. Ka qenë një votim i vëzhguar… dhe është tentuar që nga menaxhmenti i vjetër të bëhet një bllokadë brenda këtij universiteti”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se vendimi për anulimin e zgjedhjes së rektorit është bërë për t’i evituar problemet e mëtutjeshme.
“Ka qenë një rezistencë e pakuptueshme e menaxhmentit të kaluar që të pranojë ndryshimet që ka nevojë Universiteti i Prizrenit dhe gjithë kjo luftë është bërë pikërisht nga menaxhmenti i kaluar apo edhe persona tjerë që të mos ndodhë ndryshimi. Tashmë Këshilli Drejtues e ka zgjedhur një ushtrues detyre. E ka anluar vendimin për zgjedhjen e rektorit”, tha Bytyqi.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet e zgjedhjes së rektorit në Universitetin e Prizrenit.
Zgjedhja problematike e Rektorit të Universitetit të Prizrenit