Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Reduktimi i universiteteve publike, ende në tavolinë

Disa prej shtatë universiteteve publike në Kosovë mund të shndërrohen në kampuse rajonale apo do të detyrohen t’i nënshtrohen profilizimit.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se këto dy opsione kanë dalë si qëndrime zyrtare të ministrisë dhe pritet të diskutohen nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Në këtë intervistë, Bytyqi ka komentuar edhe për problemet e arsimit të lartë në Kosovë, testin PISA, ndërhyrjen politike në universitete e reformat administrative brenda ministrisë.

Ministri po ashtu flet për sfidat e vitit të parë  në krye të kësaj ministrie dhe objektivat për vitin 2019.

KALLXO.com: Ka më shumë se një vit që jeni në krye të Ministrisë së Arsimit, cila konsideroni që ka qenë arritja më e madhe e juaja dhe cili është dështimi më i madh?

Bytyqi: Unë konsideroj që arritja.. ka shumë të arritura që mund t’i vlerësojmë. Konsideroj që është bërë një punë drejt një angazhimi të sinqertë për të ndryshuar gjendjen në sistemin arsimor dhe kjo më së shumti na ka ndihmuar sepse e kemi vlerësuar gjendjen ashtu siç është dhe jemi pajtuar që nuk e kemi një gjendje të mirë dhe mbi këtë bazë jemi nisur dhe kemi marrë hapa konkretë për të ndryshuar gjendjen ose thënë më qartë, për të filluar ta ndryshojmë gjendjen në arsim sepse problemet që ekzistojnë në arsimin në Kosovë nuk janë probleme që mund të zgjidhen për një afat të shkurtër.

Kemi qenë të detyruar që gjatë vitit të kemi angazhime të mëdha me sfida të mëdha, është dashur të marrim vendime të cilat kanë qenë emergjente për shkak të grumbullimit të shumë problemeve në vitet e kaluara që nuk kanë gjetur zgjidhje dhe normalisht kur kemi zgjidhje të shpejta ndonjëherë mund të mos jenë më të mirat të mundshme por konsideroj që ka qenë më e mira për shumë probleme që kanë gjetë zgjidhje

Kemi arritur që sot një student që vie për të nostrifikuar një diplomë, mund të pret maksimumi 60 ditë, varet çfarë lloj universiteti apo cilit shtet i takon universiteti por në kushte normale është 60 ditë.

KALLXO.com: Në fillim të këtij viti në një intervistë na patët folë për disa ide që keni në plan t’i implementoni gjatë këtij mandati. Njëra prej këtyre ideve ka qenë reduktimi i universiteteve, çfarë ndodhi?

Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Bytyqi: Ne kemi qenë të vetëdijshëm që nuk është gjendja e mirë në universitetet publike në tërësi që është një numër jashtëzakonisht i madh dhe shpesh cilësia dhe mungesa e kuadrit e ka bërë të veten që të kemi një cilësi jo të mirë. Është bërë një grup punues shumë profesional dhe kanë bërë një punë të jashtëzakonshme ku është krijuar nga kjo punë e këtyre profesionistëve ka rezultuar një raport shumë profesional me shumë të gjetura dhe konstatime.. Janë dalë me dy propozime konkrete, propozimi i parë që të reduktohet numri i tyre duke i lënë në degë apo kampuse dhe propozimi i dytë është profilizimi i universiteteve, nëse nuk kemi reduktim, minimumi duhet të kemi profilizim. Të identifikohen me programe të caktuara dhe jo siç e kemi sot përsëritje apo tentativë për ta imituar universitetin e Prishtinës dhe në fakt nuk arrijnë as ta imitojnë Universitetin e Prishtinës. Presim këtë raport final që e kemi dorëzuar në dy institucione, në qeverinë e Kosovës dhe Parlamentin e Kosovës, ia kemi dërgu Komisionit për Arsim dhe presim reflektimin e tyre.

KALLXO.com: Një prej ideve që ka kaluar edhe është implementuar krijimi i udhëzimit administrativ për përcaktimin e revistave shkencore që kanë të bëjnë me avancimet akademike. Si ka ecur ky udhëzim dhe cili është ‘feedback’ që e keni marrë nga UP-ja?

Bytyqi: Konsideroj që pavarësisht zhurmës së madhe që është bërë në momentin kur ne e kemi krijuar edhepse qëllimi ynë në atë kohë ishte që të vëjmë një rend parregullsive të mëdha të cilat vazhdimisht e kishin përcjellë këtë proces, konsideroj që tutje universitetet e kanë kuptuar qëllimin e mirë të këtij udhëzimi administrativ dhe konsideroj që iu ka shërbyer mjaft mirë për avancimet akademike. Ka qenë një hap i mirë në drejtim të vënies së një rregulli dhe rendi të avancimeve akademike por ka nevojë të shkohet më tutje përveq kësaj që është bërë deri më tani.

KALLXO.com: Përveç universitetit të Prishtinës për të cilin diskutohet shumë, universitetet tjera rajonale në Kosovë po përballen me probleme të shumta. Njëri prej tyre është fakti që ata funksionojnë me statute të përkohshme. Kur pritet t’i vijë fundi këtij problemi?

Bytyqi: Mendojmë që gjasat janë që mund t’i vije fundi nëse flasim për çështjen e ligjit pasi ligji veçse është në parlament. Duhet të jemi të qartë që nuk është pengesë ligji që këto universitete të zhvillohen megjithëse kanë statut të përkohshëm, mundësi për t’u zhvilluar i kanë, nuk është pengesë as në avancime akademike në marrjen e kuadrave profesionalë që janë të nevojshëm për ngritjen e cilësisë.

KALLXO.com: Një problem konkret që është shfaqur, tash e kemi universitetin e Prizrenit që nuk po mundet me u rahatu me rektor. Cila është pikëpamja e juaj në këtë problematikë. Jeni akuzuar direkt për ndikime politike, faktikisht aty ka pasur akuza të ndërsjella për ndikime politike lidhur me zgjedhjen e rektorit në Prizren. Cili është qëndrimi i ministrisë në këtë fushë?

Bytyqi: Nganjëherë kur fillon me ndryshime që një kategorie të caktuar të personave nuk ju pëlqen e gjejnë më së lehti arsyetimin ndikimin politik. Këtë kam mujt me e pa edhe në Universitetin e Prishtinës por edhe në shumë vendime të tjera që ne kemi marrë. Ne kemi zgjedhë në Prizren një këshill drejtues dhe në kohën kur kanë ardhur zgjedhjet për rektor kanë shkuar sipas procedurave dhe është ardhë deri te zgjedhja e rektorit. Ka qenë një rezistencë e pakuptueshme e menaxhmentit të kaluar që të pranojë ndryshimet që ka nevojë Universiteti i Prizrenit dhe gjithë kjo luftë është bërë pikërisht nga menaxhmenti i kaluar apo edhe persona tjerë që të mos ndodhë ndryshimi. Rektori nuk ka qenë çështja që është zgjedhur me ndikime por ka qenë problematika që një pjesë e Këshillit Drejtues nën ndikimin e menaxhmentit të vjetër nuk ka pranuar që po vjen një ndryshim edhe po vjen një rektor tjetër. Rektori që është zgjedhur nuk ka asnjë lidhje politike, nuk vjen nga partia prej të cilës vi unë. Ka qenë një votim i vëzhguar… dhe është tentuar që nga menaxhmenti i vjetër të bëhet një bllokadë brenda këtij universiteti. Tashmë Këshilli Drejtues e ka zgjedhur një ushtrues detyre. E ka anluar vendimin për zgjedhjen e rektorit.

KALLXO.com: Në këtë pikë ka pasur edhe protesta të studentëve. Si i komentoni?

Bytyqi: Unë konsideroj që studentët kanë qenë të manevruar, të implikuar nga ky menaxhment i vjetër dhe disa profesorë që pretendojnë me e marrë pozicionin e rektorit

KALLXO.com: Një tjetër problematikë është në Universitetin e Gjilanit, ata po thonë që nuk po munden ta zgjedhin sekretarin e universitetit për shkak të mungesës së anëtarëve të Këshillit Drejtues nga ana e minstrisë. Pse ka pasë vonesa?

Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Bytyqi: Unë mendoj që jo vetëm në Universitetin e Gjilanit por në të gjitha universitetet publike tash jemi në fazën ku duhet të emërohen edhe pjesa tjetër. Ajo që e ka karakterizuar edhe Universitetin e Gjilanit dhe disa universitete, i kanë bërë zgjedhjet e brendshme dhe kanë emëruar Këshill Drejtues pa na njoftuar fare minstrinë, njëfarë mënyre kanë qenë të obliguar të na njoftojnë dhe ne të jemi vëzhgues. Këtë e kanë bërë pa paralajmërim, ne e kemi marrë vetëm informacionin pasi kanë përfunduar zgjedhjet. Konsideroj që tashmë kemi ardhë në një vendim që të hapim rrugë por most të shkaktojmë probleme më tutje sepse përndryshe ne kemi mundur t’i anulojmë tërësisht zgjedhjet që kanë ndodhë në këto universitete pa qenë të lajmëuar ministria. Konsideroj që shumë shpejtë do të emërohen anëtarët nga ana e ministrisë dhe universitetet mund t’i kryejnë obligimet që i kanë.

KALLXO.com: Kalojmë pak te arsimi parauniversitar. Këtë vit keni qenë nikoqir i testit të dytë të PISA-s të cilit i janë nënshturar nxënësit kosovarë. Na jepni një premtim konkret, cila është pritja e juaj për këto rezultate, a pritni se do të jenë më të mira se herës së kaluar?

Bytyqi: Ajo çka unë e pres pa asnjë lloj dyshimi është që të kemi rezultate shumë më të mira sesa që kanë qenë në vitin 2015. Në vetë faktin në formën se si kemi organizuar mbajtjen e testit PISA, pra jo se sa kemi ndikuar ne në ndryshimin e cilësisë sepse kemi ardhë në fundin e vitit 2017, e kemi gjetë një komision i cili vetëm është emëruar dhe inekzistent, asnjëherë nuk është takuar. Ne jemi detyruar ta bëjmë një komision të ri dhe të fillojmë angazhimet tona. Të jeni të sigurtë që ka qenë një organizim i jashtëzakonshëm, kemi arritë deri në pikën që nxënësit e kanë pasur të qartë që po hyjnë në test për të përfaqësues vendin e vet dhe jo vetveten.

KALLXO.com: Ditëve të fundit Shqipëria ka qenë e trazuar prej protestave të studentëve. A mund të ngritet paralele dhe a kanë arsye studentët kosovarë me protestu?

Bytyqi: Paralelja nëse bëjmë me Shqipërinë jemi shumë larg më mirë në krahasim me atë se çfarë ndodhë sot në Shqipëri. Megjithatë, a kemi vend për tu përmirësuar në arsimin e lartë në Kosovë, pa dyshim që kemi vend për tu përmirësuar. Kanë arsye për protesta çdokush por edhe studentët në momentin kur kanë kërkesa dhe problemet e tyre nuk trajtohen dhe nuk ka tentim për zgjidhje dhe ne kemi treguar vullnet që për çdo problematikë të fillohet që të gjejmë zgjidhje.

KALLXO.com: Na thatë në fillim që si ministër iu është dashtë të merrni vendime të shpejta dhe jo të lehta por që kanë qenë në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit. A konsideroni që prej këtyre vendimeve është edhe vendimi për shkarkimin e bordit të kaluar të akreditimit dhe bordit të Universiteti të Prishtinës. Sa jeni të kënaqur me punën e këtyre bordeve tani?

Bytyqi: Kur është shkarkuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë ndoshta ka qenë një vendim i shpejtë por megjithatë po mos të kishte ndodhur nuk do ta kishim sot gjendjen çfarë sot e kemi në Agjencionin e Akreditimit. Pra ka ndodhur kushtimisht po themi një e keqe e vogël për të pasur një të mirë të madhe dhe sot e kemi një të mirë të madhe sepse e kemi një agjencion që po funksionon në mënyrën shumë profesionale dhe në mënyrën më të pavarur të mundshëm. Tek Universiteti i Prishtinës ka qenë çështja që bordi nuk i ka respektuar disa vendime tona, pikërisht ka qenë vendimi i bursave që kemi kërkuar që të rriten dhe kemi vendosur një Këshill Drejtues me njerëz profesionalë, të pavarur, ka dominuar gjinia femërore dhe dhe sot konsideroj që po jep rezultatet e para.

KALLXO.com: E kemi pasur një kërkesë së fundmi të Kryeministrit të Kosovës drejtuar Universitetit të Prishtinës ku është kërkuar shqyrtimi i transferit të studentëve nga Universiteti i Tetovës për në Universitetin e Prishtinës. A mund të konsiderohet ndërhyrje e politikës nëse kërkohet një çështje aq e brendshme prej qeverisë dhe si e keni pa ju si ministër?

Bytyqi: Kur kjo ka dalë nga mediat ne kemi thënë se nuk kemi informacione zyrtare. Si Ministri e Arsimit nuk kemi pasur informacion zyrtar. Pastaj si duket kjo është shtyrë dhe nuk është marrë në shqyrtim nga ana e universitetit, nëse ka pasë kërkesë zyrtare sepse ne nuk kemi informacion që ka pasur. Më vonë ka ardhur një kërkesë nga kryeministria për ta pa edhe ne se si ide a mund të funksionojë. E kemi qartësuar që ekzistojnë rregulla se si mund të behet mobiliteti i studentëve. Vazhdojmë të mbrojmë me këmbngulësi, çfarëdo lloj pavarësie që ekziston brenda universitetit është e tyre dhe ne nuk e cënojmë por kërkojmë që universiteti të respektojë regullat që i ka në fuqi. Pavarësisht që është parë si një veprim jo i mirë, ka përfunduar mirë dhe me sa kam informacione nuk kemi lëvizje në këtë drejtim, pra është ndalë ky proces.

KALLXO.com: Ministria ka kaluar në një reformë të brendshme dhe ka pasur largime ose zëvendësime të drejtorëve të departamenteve të ndryshme në kuadër të reformës të adminsitratës. Lidhur me këtë, rishtazi Këshilli i Pavarur Mbikqyrës e ka marrë një vendim, me njëfarë mënyre i ka dhënë të drejtë disa punëtorëve të larguar që sipas këtij vendimi konkursi nuk është dashur të hapet për njerëz të tjerë por të sistematizohen njerëzit e larguar. A do të ketë ankesë ndaj këtij vendimi?

Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Bytyqi: Ministria e Arsimit është duke kaluar në një reformë, të qëlluar. Nuk është bërë me një vendim ad-hoc. Me BE-në  e kemi pasur projektin e rishikimit të funksionimit të minsitrisë, një ndër të gjeturat ka qenë se ministria nuk funksionon mirë. Mund një kategorie të caktuar mos t’i pëlqejë kjo por ne jemi të vendosur që kësaj t’i shkojmë deri në fund. Nëse i kthehemi vendimit apo ankesave individuale, nuk kam të drejtë të komentoj një vendim që na vie nga një organ i pavarur por mendoj që duhet të shqyrtojë mirë edhe ankesën edhe situatën. Fatkeqësisht unë vendimin po e dëgjoj nga mediat dhe ne nuk e kemi vendimin. Do ta shqyrtojmë.

KALLXO.com: Ka pasur raportime, na kanë ardhur edhe raportime në KALLXO.com lidhur me punësimet. Sa kontrata mbi vepër i ka bërë Ministria e Arsimit dhe dhe sa prej tyre kanë qenë të punësuar njerëz që vijnë nga partia juaj?

Bytyqi: Ministria ka kaluar shumë gjëra të rëndësishme duke përfshirë edhe reformën duke përfshirë edhe shumë vendimë të rëndësishme që kanë prekë palë të caktuara dhe si rrjedhojë shpesh minstria ka qenë e sulmuar nga persona të caktuar që kanë prodhuar lajme për publikun dhe kanë qenë për ta ulur imazhin e ministrisë. Ministria nuk e ka asnjë punësim të rregullt. Angazhimi që vie me kontrata mbi vepër është çështje që i takon shërbyesve civilë që ju takon divzioneve e departamenteve dhe sekretari vendos mbi kërkesën e tyre, varësisht prej nevojave vijnë kërkesat për punësim dhe nuk i takojnë ministrit. Nëse pretendohet pastaj që në konkurs nuk ka zgjedhje të mira është çështje që secili mund të ankohet dhe tu drejtohet organeve kompetente.

KALLXO.com: Nëse ka diçka që nuk ju kam pyetur dhe që doni ta shtoni, ju lutem.

Bytyqi: Kemi disa të arritura në ndërkombëtarizimin e arsimit… Është një bashkëpunim i mirë që kemi arritur në Ioëa të SHBA-së, kemi arritur që të kemi jo vetëm bashkëpunim të përgjithshëm por edhe në raste konkrete, ne presim që një kolegj profesional atje të hapë degën në Kosovë. Jemi bërë anëtarë të testeve të tjera ndërkombëtare. Kemi futur buxhet shtesë për arsimin profesionalë.. Kemi bërë katër objektivat kyqe për vitin 2019.