Ngërçi akademik: Sërish shtyhet votimi, Universiteti i Prizrenit mbetet pa rektor

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” ende nuk kanë arritur të bëhen bashkë për të votuar rektorin e ri të këtij universiteti.

Intervistat e kandidatëve ishin mbajtur me 6 maj të këtij viti dhe votimi ishte shtyrë për datën 8 maj, nën arsyetimin se intervistat ishin të gjata, por as data 8 maj nuk ishte përfundimtare.

Parlamenti Studentor i këtij universiteti, kishte reaguar ndaj tej zgjatjes së këtij procesi të votimit, duke e akuzuar për ndikim politik partinë Nisma Socialdemokrate, nga e cila vjen edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Arsyetimi i kryesuesit të Këshillit Drejtues të UPZ-së, Bedri Muhadri ishte se arsyeja e shtyrjes së këtij votimi edhe pas datës 8 maj, ishte se po bëhet për shkak se disa profesorë gjenden jashtë vendit.

Muhadri është kontaktuar sot(13 maj) përmes telefonit nga KALLXO.com, për ta pyetur nëse ky votim pritet të mbahet sot, mirëpo rezulton se rektori nuk do të zgjedhet as sot sepse takimi për votim është shtyrë përsëri.

Ai ka thënë se pritet që votimi të mbahet brenda javës, por nuk është i sigurt për ditën e saktë sepse sipas tij, beson që disa profesorë ende gjenden jashtë shtetit.

“Po presim konfirmimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues për mundësinë e prezencës së tyre në një mbledhje kur të caktohet. Mund të jetë që e mbajmë edhe nesër, por na duhet kohë me i prit përgjigjet prej anëtarëve të Këshillit Drejtues që janë jashtë se a mund të vijnë nesër. Mirëpo besoj që nesër mbahet”, ka thënë Muhadri.

Kryesuesi tha për KALLXO.com se nëse gjatë ditës merr konfirmimin për prezencën e atyre që janë jashtë vendit, mbledhja pritet të mbahet nesër (14 maj).

“Zakonisht mbledhjet i mbajmë në ora 13:00 ose në 15:00. Varet edhe prej orarit të ligjëratave por edhe prej një anëtari të KD i cili është jashtë e nuk e di a është kthy ende a jo. Emrat e anëtarëve që janë jashtë nuk mundem t’i jap sepse mund të kenë vizita private apo studimore nuk e di unë aty.”, ka shtuar tutje Muhadri.

Kandidatët potencial për rektor janë profesorët Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.

Të hënën(6 maj) kur u mbajt intervistimi, Demir Limaj, vëllai i Fatmir Limajt ishte fotografuar bashkë me Ismet Temajn, kandidatin për rektor, i cili aktualisht është U.D. i rektorit në këtë universitet.

Ky universitet ka funksionuar me ushtrues detyre të rektorit që nga dhjetori i vitit të kaluar, për shkak të problemeve të shfaqura nga zgjedhjet e fundit.

Përzgjedhja e Ismet Temajt si rektor sipas votimit të Këshillit Drejtues më 22 maj të vitit 2018 u quajt e jashtëligjshme dhe u kundërshtua nga sekretari i këtij universiteti dhe kandidati tjetër për rektor (njëkohësisht rektori i kaluar) Ramë Vataj i cili kishte paditur universitetin për këtë çështje.

Gjykata Themelore e Prizrenit më pas vendosi të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Njëkohësisht Këshilli Drejtues tërhoqi vendimin për zgjedhjen e Temajt rektor ndërkaq, Ismet Temaj u zgjodh ushtrues detyre i rektorit deri në zgjedhje të reja.

Historiku i problemit

Këshilli Drejtues i UPZ-së  më 22 maj të vitit 2018-të në rundin e dytë të votimit, zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim të shkruar më datën 30 maj 2018 për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.

Në fakt zgjedhja u bë në sallën ku prezentë ishin katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit dhe në mesin e shumë tensioneve.

Statuti i Universitetit të Prizrenit  ‘Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë anëtarëve, së paku katër prej tyre me të drejtë vote’.

Ky statut poashtu parasheh që për zgjedhjen e rektorit duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.

“Jena dalë jashtë për konsultë, deri sa ne kemi qenë jashtë, në media e kam dëgjuar se është mbajtur një rund tjetër i votimit me katër anëtarë të bordit… Këtu ka pasur shkelje se nuk ka pasur kuorum dhe nuk i ka marrë pesë vota”, tha Berisha.

Berisha poashtu akuzoi kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti se ka marrë me vete materialin zgjedhor nga votimi për zgjedhjen e rektorit.

Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e konsideroi vendimin legjitim, duke thënë se janë të hapur ndaj ankesave.

“Rundi i parë dhe rundi i dytë është pjesë integrale dhe është një tërësi e njësuar për një çështje, po të ishte ndryshe mbi konstatimet e mia atëherë rektori do të ishte një maratonë e procesit të votimit, pasi nëse nuk kemi rezultate të duhura për një grupacion dhe lëshimi i mbledhjes do ta bënte një garë monotone dhe maratonike për zgjedhjen e rektorit”, tha Muhadri.

Muhadri thotë se vendimi ishte bazuar edhe në rregulloren për Punën e Këshillit Drejtues.

Megjithatë në rregulloren që e ka siguruar KALLXO.com në nenin 13 të saj parashihet se ‘Vendimet e Këshillit Drejtues janë të plotfuqishme vetëm nëse kuorumi vërtetohet në kohën e votimit’.

Muhadri poashtu pranoi se kishte marrë me vete materialin zgjedhor dhe për këtë çështje kishte dhënë deklaratë në polici.

Ai tha se meqë nga mbledhja ishte larguar Sekretari i Përgjithshëm dhe një zyrtar ligjor i KD-së, ai nuk kishte ditur çfarë të bënte me atë material.

Rektori i përzgjedhur, Ismet Temaj tha se vërtetësia e zbatimit të rregullave në votim është në kompetencën e atyre që kanë qenë prezentë.

“Mënyra si ka shkuar ka qenë shumë legjitime, shumë e drejtë, mënyra më e mirë e mundshme edhe gjatë intervistës, pyetjet kanë qenë me vend. Pastaj kur të kryhet intervista kandidatët nuk duhet të jenë aty… e bëjnë punën e tyre Këshilli Drejtues. Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj.

Në kohën kur për këtë rast kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, rektori aktual Ramë Vataj nuk kishte pranuar të flasë para kamerës, mirëpo kishte thënë se është ankuar në Ministrinë e Arsimit dhe te kryeministri i Kosovës.

Përzgjedhja e Ismet Temajt si rektor sipas votimit të Këshillit Drejtues më 22 maj të vitit 2018 u quajt e jashtëligjshme dhe u kundërshtua nga sekretari i këtij universiteti dhe kandidati tjetër për rektor (njëkohësisht rektori i kaluar) Ramë Vataj i cili kishte paditur universitetin për këtë çështje.

Gjykata Themelore e Prizrenit më pas vendosi të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Njëkohësisht Këshilli Drejtues tërhoqi vendimin për zgjedhjen e Temajt rektor ndërkaq, Ismet Temaj u zgjodh ushtrues detyre i rektorit deri në zgjedhje të reja.

Ramë Vataj ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kandidat për kryetar të Suharekës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ishte zgjedhur rektor në vitin 2014.

Në anën tjetër, Ismet Temaj ka thënë se ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për problemet në zgjedhjet për rektor në UPZ dhe raportimet mund t’i gjeni në këtë link.