Foto: PDK

Ish-rektori Ramë Vataj zgjidhet kryetar i PDK-së në Suharekë

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se pas procesit të brendshëm zgjedhor në degën e Suharekës, në krye të saj është zgjedhur, Ramë Vataj.

“Partia Demokratike e Kosovës  ka përmbyllur sot procesin e brendshëm zgjedhor në Degën e Suharekës, ku pas një gare fer e demokratike ndërmjet tre kandidatëve, kryetar i degës u zgjodh Prof.dr. Ramë Vataj. Delegatët e Kuvendit Zgjedhor në Suharekë po ashtu votuan për anëtarët e Këshillit Drejtues si dhe propozuan delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së”, thuhet në një njoftim për media.

Tutje thuhet se zëvendëskryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, tha se PDK është parti shtetformuese dhe shtetndërtuese e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit dhe për integrimin në strukturat euro atlantike.

“Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj, folën për platformën Dekada e Re e cila do të thotë evropianizim i Kosovës dhe perspektivë e sigurt për të rinjtë dhe gratë. Në emër të degës, prezantoi një raport kryetari i deritashëm i degës Blerim Xhemjali”, thuhet në njoftim.

PDK po ashtu thotë se po shkon drejt fundit të mbajtjes së zgjedhjeve në mbarë lokalitetet e Kosovës, që do të rezultojnë me mbajtjen e Konventës Qendrore ku do të zgjidhet kryetari i partisë, kryesia qendrore dhe Këshilli Drejtues.

Ramë Vataj ka qenë ish-rektor i Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe ka synuar të jetë sërish rektor.