Studentët prishin mbledhjen ku parashihej të zgjidhej u.d. rektori i Universitetit të Prizrenit

Mbetja pezull e pozitës së rektorit dhe akuzat për ndikime politike në Universitetin e Prizrenit kanë shkaktuar pakënaqësi te studentët.

Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” sot ka reaguar duke e ndërprerë mbledhjen ku parashihej zgjedhja e ushtruesit të detyrës të rektorit.

“Ne jemi të fundit që e deshtëm këtë gjendje në Universitet. Por jeni ju anëtarë të Këshillit Drejtues që na sollët deri në këtë situatë”, thuhet në komunikatën e Parlamentit Studentor pasi anëtarë të tij ndërhynë në mbledhje dhe e ndërprenë atë.

“Ky është veç aksion simbolik për ndërprerjen e mbledhjes, përfundimi i së cilës do ta dërgonte Universitetin në humnerë. Ne nuk do te ndalemi deri në momentin kur politika të heqë dorë përfundimisht nga Universiteti ynë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri tha se studentët e kanë ndërprerë mbledhjen e këshillit drejtues pa paralajmërim dhe në mënyrë të dhunshme.

“Fillimisht zgjedhja ka qenë propozimi i një ushtruesi detyre, kanë pasë me hy në garë propozimet, emri i Ismet Temajt është predikuar, por përderisa nuk ka qenë publik propozimi, studentët e kanë ndërprerë në mënyrë të dhunshme, një grup i studentëve, mbledhjen e Këshillit drejtues, kanë hy brenda pa paralajmërim”, tha për KALLXO.com Bedri Muhadri.

Muhadri tha se ende nuk është zgjedhur askush ushtrues detyre i rektorit.

Ditë më parë, Gjykata Themelore e Prizrenit mori vendim që të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj, rektori të cilit mandati i të cilit përfundoi më 27 tetor, paditi Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të këtij viti.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me problemet me zgjedhjen e rektorit në UPZ.

https://kallxo.com/parlamenti-studentor-reagon-per-ngerrcin-ne-menaxhimin-e-universitetit-te-prizrenit/

Zgjedhja problematike e Rektorit të Universitetit të Prizrenit

https://kallxo.com/gjnk/zgjedhja-problematike-e-rektorit-te-prizrenit/

www.kallxo.com