Foto: Ilustrim

Dallime të Mëdha në Çmim të Blerjes së Qymyrit

Janë 13 komuna të cilat vazhdojnë të përdorin qymyrin si lëndë djegëse për ngrohje në kohën e dimrit. Çmimi i blerjes së qymyrit ndryshon nga Komuna në Komunë. Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se rreth 166 mijë euro në vit shpenzohen mesatarisht për ngrohje me qymyr, por ka edhe furnizim falas që janë bërë.

Komunat paguajnë çmime të ndryshme për qymyrin për ngrohje. Çmimi më i shtrenjtë i paguar për një ton qymyr është 64 euro, ndërsa çmimi më i lirë është vetëm 19 euro. Komuna furnizohen me qymyr të terur, që ka kalori më të mëdha dhe kushton më shumë, ndërsa ka edhe furnizim me qymyr të njomë që kushton më pak dhe ndot më shumë.

Gazetën Jeta në Kosovë ka parashtruar kërkesa për të dhëna lidhur me përdorimin e qymyrit si lëndë djegëse për ngrohje në komunat e Kosovës. Janë 28 komuna prej të cilave Gazeta JnK u ka kërkuar të dhëna.

Nga 28 komuna, deri më tani Gazeta JnK ka marrë përgjigje nga 19 komuna apo rreth 68 për qind përderisa janë 9 të tjera prej të cilat nuk kanë ofruar këto të dhëna.

Nga përgjigjet e pranuara nga komunat, del që 6 komuna të Kosovës: Deçani, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Han i Elezit, Prishtinë nuk përdorin qymyrin për ngrohje. Njëkohësisht edhe komuna e Suharekës qymyrin si lëndë djegëse për ngrohje e kishte përdorur vetëm në vitin 2015, përderisa në dy vitet e fundit e ka hequr nga përdorimi.

Komunat Drenas, Dragash, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Kamenicë, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Shtime, Vushtrri dhe Malishevë janë komunat që ende përdorin qymyr si lëndë djegëse për ngrohje në nevoja të komunës.

Në vitet 2015 deri 2017, janë 497.8 mijë euro të shpenzuar për t’u furnizuar me qymyr.

Sipas të dhënave të grumbulluara rezulton se në vitin 2015 janë shpenzuar 208.8 mijë euro, në vitin 2016 janë shpenzuar 122.4 mijë euro dhe në vitin 2017 u rrit në 166.5 mijë euro. Ku rezulton me një mesatare vjetore rreth 165.9 mijë euro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar çmimet për furnizim me qymyr të komunave. Sipas të dhënave të grumbulluara rezulton se çmimet e furnizimit nuk janë në nivelin e njëjtë.

Komuna e Drenasit ka prezantuar të dhëna të detajuara për sasinë dhe çmimin e qymyrit. Ka treguar se mesatarisht ka paguar 34 euro për një ton qymyr të njomë dhe 64 euro për qymyr të terur.

Komunat e Vushtrrisë dhe e Lipjanit për vitet 2015-2017 paguan me çmimin më të lartë në krahasim me komunat tjera në këtë analizë, por edhe u furnizuan më shumë se to.

Çmimi më i lartë i paguar përgjatë këtyre viteve është 64 euro nga komuna e Kamenicës në vitin 2016 dhe më i ulët i Komunës së Shtimes prej 23 euro për ton në vitin 2017.

Në vitin 2015 Komuna e Shtimes bleu qymyr me çmim më të lartë në krahasim me  tri komunat tjera përkundër se u furnizuar me sasi më të vogël se to. Përderisa komuna e Kamenicës pagoi rreth 43.88 euro për një ton qymyr duke rezultuar si komuna që pagoi me çmim më të ulët në mesin e të triave. Komunat Shtime, Kamenicë, Vushtrri dhe Lipjan të gjitha së bashku rezulton se blenë qymyr me një mesatare të përbashkët prej 52.6 euro për ton.

Në vitin 2016, Komuna e Kamenicës priu për çmim më të lartë të paguar për ton qymyr të furnizimit në krahasim tri komunat tjera. Në vitin 2016 pagoi një ton për 64 euro për të blerë 324 tonë qymyr. Për dallim nga një vit më parë kur Komuna e Shtimes bleu tonin e qymyrit me çmim më të lartë, në vitin 2016 ajo pagoi 23 euro më pak. Kjo komunë pagoi për 34.8 euro një ton qymyr.

Në vitin 2017, komuna e Vushtrrisë del e para për çmimin më të lartë të paguar për ton qymyri me çmim prej 58.75 euro për ton për t’u furnizuar me 996 tonë. Komuna e Shtimes kurse edhe më shumë në blerje të qymyrit së bashku me këtë edhe zvogëloi kërkesën për të.

Komuna e Klinës ka pasur një kontratë kornizë për furnizim me qymyr për 36 muaj me të cilën ka qenë e planifikuar të blihen 1,000 tonë në vlerën e tërësishme prej 28 mijë e 800 euro. Pra, Klina ka paguar mesatarisht 28.8 euro për një tonë qymyr në kontratën e nënshkruar në vitin 2014.

Ndërsa, kontrata e re e nënshkruar në vitin 2017 ka planifikimin blerjen e një sasie prej 250 tonë për vlerën 8 mijë e 250 euro. Pra, në kontratën e vitit 2017, Klina ka paguar mesatarisht 33 euro për një ton qymyr.

Komuna e Malishevës ka paguar 1 mijë e 520 euro për 80 tonë qymyr në vitin 2017, apo mesatarisht 19 euro për një ton.

Në vitin 2016, kjo komunë kishte blerë 70 tonë qymyr për 1 mijë e 393 euro, apo 19.9 euro për një ton.

Kurse në vitin 2015, Malisheva e kishte blerë një tonë qymyr për 25.9 euro, pasi për 50 tonë qymyr kishte paguar 1 mijë e 295 euro.

Komuna e Mitrovicës ka treguar se deri në 1200 tonë shpenzohen për një sezon dimëror por nuk ka treguar se sa euro janë shpenzuar për këto vite.

“Sipas kërkesës së drejtorisë së Arsimit për vitet shkollore 2015/2016,2016/2017 dhe 2017/2018 kërkesa ka qenë nga 900 ton deri në 1200 ton për një sezon dimëror varësisht nga kushtet klimatike për arsye se edhe kontratat kornizë lejojnë një ndryshim plus/minus 30 %”, thuhet në përgjigjen e komunës së Mitrovicës.

Në anën tjetër, komuna e Obiliq qymyrin për ngrohje e siguron nga KEK-u falas.

“Të gjitha institucionet shkollore në të gjitha nivelet e Komunës së Obiliqit, çdoherë kanë përdorur thëngjill për ngrohje.​​ Thëngjilli merret nga KEK-u falas”, thotë komuna.

Komuna e Prishtinës për Gazetën Jeta në Kosove e bënë të ditur se ka kryer instalimet.

“Në këto vite nuk jemi furnizuar me qymyr, pasiqë në vitet paraprake kemi bërë instalimet e ngrohjes me naftë dhe në disa institucione shkollore në vitet 2015,2016 dhe 2017 kemi bërë instalimin  e ngrohjes me pelet(15 institucione)dhe ne procedure te hapur është tenderi për instalimin e ngrohjes me pelet edhe në katër institucione tjera (shkolla)”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Përdorues i qymyrit për ngrohje nuk është as ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj. Madje ministrja Reshitaj në dy institucione në Prishtinë, në një çerdhe private dhe në Fakultetin e Studimeve Islame ua kishte marrë thëngjillin për t’ua zëvendësuar me dru për ngrohje.

Nga kjo ministri, ngrohja me qymyr në anën tjetër po shihet si ndotje e ajrit dhe kërcënues për shëndetin e qytetarëve dhe se planifikohen të zgjerohen  ndalesat për përdorimin e qymyrit për ngrohje.

Për ndotjen e ambientin, shtrenjtimin e energjisë elektrike përkundër se Kosova fle mbi thëngjill, disa qytetarë protestuan para ZRrE-së në shenjë pakënaqësie.

Nga ndotja e ambientit në Kosovë shkaktohen 835 vdekje të parakohshme, 600 raste të pranimeve në spital, dhe 11 mijë e 600 vizita emergjente. Organizatat jo qeveritare mjedisore kanë mbledhur mbi 16 mijë nënshkrime duke kërkuar shfrytëzimin e burimeve të ripërtritshme.

Kosova ka një pasuri nëntoksore me qymyr që kapin shifrën e 12 miliardë tonëve, por në anën tjetër vazhdon të jetë e varfër në furnizimin me energji elektrike. Pavarësisht se ky potencial energjetik nuk përdoret në strategji për zhvillimin ekonomik të vendit por si potencial për grumbullimin e votave në fushata elektorale në emër të kësaj pasurie.

Prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri Kosova duhet ta ndërpresë më së lagu deri në vitin 2050. Kjo u bë e ditur pas publikimit të raporti të Institutit Për Politika Zhvillimore i cili parasheh të ardhmen e energjisë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për qymyrin e Kosovë interesim shfaqi edhe kompania e gjenerali Wesley Clark. Dhënia e licencës kësaj kompanie në krye me gjeneralin që dikur udhëhoqi bombardimet e NATO-së mbi caqet e ushtrisë serbe, kishte nxitur debate në Kuvendin e Kosovës dhe komisionet parlamentare të saj.

15 Janar 2018 - 13:59

Rrahman Ramaj 15/01/2018 - 13:59
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend