Kryeministri Albin Kurti në takim me kryetarët e komunave të Kosovës | Foto: ZKM

Qeveria Kurti ndan 2 milionë euro për komunat, çereku shkon për ato të LVV-së

Qeveria Kurti javën që shkoi i ka ndarë 2 milionë euro për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e të cilat do t’i shpërndahen komunave të Kosovës për 29 projekte të komunave të Kosovës.

Deçani, Gjilani, Mamusha, Drenasi, Kamenica, Vushtrria, Skenderaj, Shtimja, Podujeva, Istogu, Prizreni, Ferizaji, Gjakova, Juniku, Lipjani, Hani i Elezit, dhe Novobërda janë komunat të cilat do të përfitojnë nga kjo pako e ministrisë.

25% fondeve do t’i shkojnë Gjilanit, Kamenicës e Podujevës dhe Shtimes të cilat drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Në total nga dy milionëshi i ndarë 4 komunat e LVV-së do t’i marrin 512 mijë euro.

KALLXO.com ka siguruar listën e projekteve të cilat do të financohen dhe në bazë kësaj liste të gjitha projektet kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore lokale.

Nga ministria e Ambientit për KALLXO.com kanë sqaruar se deri tek ky vendim ka ardhur pas nënshkrimit të memorandumeve me 17 komuna, për financimin e 29 projekteve.

“Sa i përket përzgjedhjes së projekteve (komunave), fillimisht janë marrë për bazë komunat me të cilat MMPHI-ja nuk ka nënshkruar memorandume vitin e kaluar, nga numri i përgjithshëm i projekteve 9 (nëntë projekte) të përzgjedhura kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve ku jetojnë komuniteti joshumicë” – thuhet në përgjigje të ministrisë.

Tutje sipas ministrisë, përpara se të vendoset për këto projekte, MMPHI-ja ka pritur në takim të gjithë kryetarët e komunave të cilët kanë shprehur interesim dhe kanë kërkuar takim dhe kanë paraqitur kërkesat e tyre për financimin e projekteve që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës rrugore.

“Marrë parasysh se kërkesat e kryetarëve të komunave kanë qenë të shumta dhe MMPHI-ja e ka të pamundur t’i plotësoj të gjitha kërkesat për financimin e projekteve, nga ana e tyre është kërkuar që t’i përzgjedhin projektet prioritare” – thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Vendimi i qeverisë për ndarjen e parave për komunat
Vendimi i qeverisë për ndarjen e parave për komunat

Edhe në gusht të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që t`i ndajë mbi 1 milion euro për 7 nga 38 komunat e Kosovës për t`i ndihmuar në projekte në ndryshme.

Ndarja e këtyre fondeve ishte bërë marrëveshjeve të mirëkuptimit të nënshkruara nga Komunat dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Edhe nga këto marrëveshja nga 7 komuna përfituese, 4 nga to ishin të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në 4 komuna të drejtuara nga LVV-së dhe 3 nga LDK shkojnë mbi 1 milion euro nga Qeveria