Bajrami: MF po i mban të bllokuara 37.5 milionë euro mjete vetanake të komunave

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami edhe njëherë ka kritikuar Ministrinë e Financave për bllokim të 37.5 milionë euro, mjete vetanake të komunave.

Përmes një postimi në Facebook, ish-ministrja e Financave, ka thënë se si pasojë e këtij bllokimi kanë bërë që komunat të ngecin në projekte kapitale, e për këtë ajo ka pyetur “Kush i ka fajet?”.

“Qeveria/Ministria e Financave që buxhetin e planifikuar me Ligj për këtë vit e ka 3.2 miliardë euro edhe sot e kësaj dite i mbanë të bllokuara 37.5 milionë euro, mjete këto vetanake të komunave. Si pasojë, janë qindra projekte kapitale që komunat as nuk mund t’i inicojnë sepse ministri i financave nuk lejon Thesarin ta bëj alokimin e mjeteve financiare”- ka shkruar ajo në facebook.

Lidhja Demokratike e Kosovës javë më parë ka kushtëzuar edhe pjesëmarrjen në seancë duke kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati që të zhbllokojë mjetet vetanake të komunave të Kosovës.

Zhbllokimin e këtyre mjeteve e kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të Kosovës të cilët të hënën kanë zhvilluar takim me kryeministrin, Albin Kurti.

E në anën tjetër, vet ministri i Financave në seancën e 4 majit ka thënë se është duke u manipuluar me Ligjin për buxhetin.

“Po manipulohet se çfarë ka Ligji i buxhetit, MF-ja nuk ka problem me interpretime të buxhetit aty shkruan shumë qartë se të hyrat vetanake komunale nga viti 2022 barten në vitin 2023, opozita LDK-ja në këtë rast po kushtëzon po thotë barti, shkele ligjin, barti edhe të hyrat e viteve paraprake kështu duke shkelur ligjin pasi kjo nuk parashihet në ligjin për buxhet”- ka thënë ai.

“Për këtë qëllim këta pikërisht për këtë e kanë bërë një amendament kur ka qenë votimi në lexim të dytë i ligjit të buxhetit dhe patën thënë që e kanë rregulluar këtë çështje, tash po del që s’është shkru si duhet amandameti. Unë kërkoj që LDK-ja nëse kërkon të zbatohet kjo ne duhet të ketë amendament të ligjit, mirëpo nuk mund të pretendohet që ministria po bllokon, Ministria e Financave po e zbaton ligjin”, ka theksuar ai.

LDK kushtëzon votimin në Kuvend, kërkon nga Qeveria t`i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave