Kryeministri Albin Kurti në takim me kryetarët e komunave të Kosovës | Foto: ZKM

Asociacioni i komunave kritikon qeverinë për moszgjidhje të problemit me ueb-faqet

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka kritikuar qeverinë për moszgjidhje të problemit me ueb-faqet komunale.

Përmes një postimi në facebook AKK ka thënë se komunat janë penalizuar edhe në grantin e performancës për shkak të pamundësisë për vendosje të dokumenteve në ueb-faqe.

“Komunat e Republikës së Kosovës, po hyjnë në vitin e dytë, që kanë probleme të theksuara më ueb-faqet zyrtare. Madje është java e dytë që ueb-faqet nuk janë duke funksionuar fare në publikimin e dokumenteve, çka është duke i penalizuar komunat që janë duke raportuar në platformën interne të Grantit të Performancës”- thuhet në postimin e AAK në facebook.

Sipas Asociacionit, problemin me ueb-faqe Kolegjiumi i Zyrtarëve për Komunikim me Publikun në Komuna, e kanë paraqitur disa herë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por ende nuk është bërë asnjë zgjidhje dhe komunat janë duke marrë barrën e dështimit, pa fajin e tyre.

“Komunat vazhdimisht janë duke u ballafaquar me probleme në mos funksionimin e ueb-faqeve, madje ka pasur raste kur në mos funksionimin e tyre, kanë humbur pjesa më e madhe e dokumenteve dhe është e vështirë të identifikohen dokumentet e humbura. Shumica e indikatorëve në Grantin e Performancës që masin transparencën komunale, kanë të bëjnë me afatet ligjore të publikimit të dokumenteve të ndryshme”- thuhet aty.

Tutje në njoftim Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se zyrtarët për Komunikim me Publikun në Komuna, janë duke shqyrtuar mundësinë të mos raportojnë fare në platformën e Grantit të Performancës për vitin 2022, pasi që të gjitha penalizohen për shkak se shumica e indikatorëve në këtë Grant, kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve.

“Po ashtu Komunat janë duke u penalizuar jo vetëm në matjen për Grantin e Perofmancës nga MAPL, por edhe në të gjitha matjet e OJQ-ve, nga Auditorët e Jashtëm, qytetarët, mediat dhe në secilin dimension tjetër që ka të bëjë me transparencën komunale”- thuhet tutje aty.

Sipas AKK-së ky është viti i dytë, kur zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë tejet vështirësi dhe shumë herë edhe nuk janë funksionale ueb-faqet, ndërsa Qeveria asnjë herë nuk është marrë me këtë problem përkundër që është nën menaxhimin e tyre.

“Zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë përgjegjshmëri të lartë në mirëmbajtjen e tyre dhe falë përkushtimit të tyre, shumica e komunave në vlerësimet që ju bëhen, sikurse nga niveli qendror për grant të performancës, ashtu edhe nga shoqëria civile e mediat, kanë avancim shumë të theksuar në transparencë, sidomos pas unifikimit të ueb-faqeve me programin WordPress, por tani pa fajin e tyre, Komunat në Republikën e Kosovës do të penalizohen në matjen e performancës”- thuhet tutje në postim.

Sipas AKK-së këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunal të IT-ve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës por deri më tani nuk është hetuar ndonjë vullnet nga niveli qendror për të zgjidhur këtë problem.

Ueb-faqet e komunave vazhdimisht problem me funksionimin e tyre. KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë shqetësim të komunave.

Problemet e komunave me ueb-faqet dëmtojnë transparencën