Quni: Rusia e përdor Serbinë për interesat e veta

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka deklaruar se për një sërë arsyesh Rusia e përdor Serbinë për interesa të veta.

Sipas Qunit, për Rusinë njëri ndër aleatët më të mëdhenj në Ballkan është Serbia.

“Për shkak një historie të përbashkët, të besimit, afërsisë në të kaluarën në mes Rusisë dhe Serbisë, ideologjive, është shumë e mundur dhe pritet që të krijohen vatrat e reja të krizës…  Rusia e përdor (Serbinë) për favore të veta”- ka thënë Quni.

Ai tutje në emisionin “Kallxo Përnime” teksa ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ka thënë se shpreson që Kurti të bëjë një rishikim të vendimeve dhe veprimeve që lidhen me këto zhvillime.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër (e premte) do të mblidhen në një seancë të veçantë për të debatuar në lidhje me situatën në veri.

Serbët në veri të Kosovës kanë vazhduar sot protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Serbët lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.