Qymyri para objektit të ZRRE-së | Foto: KALLXO.com

Protestuesit Sjellin Pak Qymyr Para ZRrE-së

Një grup protestuesish zhvilluan sot një aksion para objektit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku lanë edhe pak qymyr.

Protestuesit qymyrin e sollën edhe për të kujtuar ndotjen, por edhe për të bërë me dije se Kosova fle mbi thëngjill dhe energjia elektrike nuk duhet shtrenjtuar.

Aksionin e sotëm e shpjegoi me një deklaratë, njëri nga protestuesit- Arbër Rushiti.

“Ne qytetarët e Kosovës jemi viktima të ndotjes që na e shkakton termocentrali ynë dhe që do të na shkaktojë çdo termocentral i së ardhmes”, tha Rushiti.

Ai tha më tutje se termocentrali do të kishte kuptim sikur pagesa e rrymës të ishte më e lirë.

“Kjo do të kishte kuptim sikur ne të paguanim më pak, por qeveria jonë po planifikon që përveç kostove shëndetësore që do të na kushtojë shtrenjtë, ta bëjë edhe më të shtrenjtë rrymën në shtëpitë tona”, tha Rushiti.

Ai kërkoi që institucionet publike ta mbrojë interesin e qytetarëve dhe jo atë të kompanive private.

Granit Rushiti, një tjetër pjesëmarrës i aksionit ftoi qytetarët që nesër të protestojnë para KEDS-it.

“Ne e kemi zgjedhur ndërtesën e KEDS-it për ta rikujtuar se protestat për këtë çështje kanë filluar në vitin 2013 me fryrjen e faturave dhe po ashtu për shkak të simbolikës që është e nevojshme për çështje të tilla”, tha Rushiti.

KEDS shprehu dje habi pse për shtrenjtim rryme do të protestohet para objekteve të tij, duke thënë se nuk e përcakton çmimin e energjisë elektrike.

Arbër Rushiti pati përgjigje edhe për këtë.

“Më lejoni t’ia rikujtoj KEDS-it dhe të gjithë atyre që nuk e kanë të qartë, se liria për të protestuar në hapësira publike është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje të vendit”, shtoi Rushiti.

KALLXO.com kishte shkruar edhe për protestat dhe peticionet e mëhershme kundër shtrenjtimit të rrymës.

http://kallxo.com/askush-nuk-premton-rryme-te-mjaftueshme-gjate-dimrit/