Zjarrfikësit e Deçanit Një Dimër Pa Kulm Mbi Kokë (TV)

Objekti i vjetër i zjarrfikësve është rrënuar vitin e kaluar, para se të ndërtohej i riu, i cili tash është në përfundim e sipër.

Zyrtarët komunalë thonë se kanë qenë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë, meqë kanë pasur një buxhet me kufizim kohor nga Ministria e Punëve të Brendshme, për ndërtimin e Qendrës së Regjistrimit Civil dhe Regjistrimit të Automjeteve dhe se kjo i ka detyruar që të dërgojnë zjarrfikësit në zyra të improvizuara në Pallatin e Kulturës.

Rasim Selmanaj, kryetar i Deçanit e quan veprim të guximshëm rrënimin e objektit të vjetër ende pa u ndërtuar i riu.

“Ne si komunë kemi qenë në një situatë me i humbë dy projekte ose me i realizu. Kur e kemi analizu këtë fakt kemi provu me ba nji zgjidhje të përkohshme në mënyrë që me u implementu këto dy projekte”, thotë Selmanaj.

Sipas tij objekti i ri që po ndërtohet te Stacioni i Autobusëve është në pozitë më të mirë dhe do të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për zjarrfikësit.

Selmanaj pret që objekti i ri do të përfundohet brenda dy ose tre muajsh, ndërkaq vlera e projektit sipas kontratës së nënshkruar në gusht të vitit të kaluar me ndërmarrjen “Albes” nga Istogu  është 172 mijë e 300 euro.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Deçan Besim Selmanaj ka thënë që janë duke pritur përfundimin e objektit të ri të zjarrfikësve që të vendosen në të.

“Sigurisht se jemi duke pasur vështirësi, sepse nuk kemi kushte adekuate për të cilat ne kemi nevojë, mirëpo shpresojmë që objekti i ri dhe ambienti i ri do të krijojë kushte më të mira për punë”, tha komandanti Selmanaj

Ai më pas tha të jenë detyruar që t’i mbushin kamionët në mëngjes dhe ‘ti zbrazin ata në mbrëmje kur kanë qenë temperaturat e ulëta, porse siç tha ai në rast emergjencash nuk ka munguar as bashkëpunimi me brigadat e komunave tjera fqinje si Peja dhe Gjakova.