PDK e AAK bojkotojnë adresimin e Vjosa Osmanit para deputetëve

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke iu adresuar deputetëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Osmani po vepron në kundërshtim me rolin e saj kushtetues.

Sipas Tahirit, Osmani heshti kur u desh të ngris zërin për sfidat e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

Ai shton se Osmani nuk u tregua unifikuese por e anshme ndaj pushtetit dhe kryeministrit Kurti.

Fatkeqësisht në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente nuk shquhet për asnjë nismë të vetme, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore. Po ashtu, duke qënë përfaqësuesja më e lartë e shtetit, zonja Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare” – ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tutje, Tahiri thotë se Osmani ka mbyllur sytë karshi skandaleve dhe aferave korruptive të Qeverisë.

Zonja Osmani, ka vazhduar të hesht përballë aferës në fushën e energjisë e cila për protagonist e ka ambasadorin e Kosovës në Kroaci, vendimi për emërimin e të cilit e ka vulën e saj. Ajo e ka mbrojtur verbërisht të njëjtin edhe përballë hetimeve ndërkombëtare që janë zhvilluar ndaj tij, ndërsa e ka cenuar përfaqësimin e interesit shtetëror, jo vetëm në Kroaci ku i njëjti është duke shërbyer, por edhe në Slloveni ku i njëjti është duke u hetuar” – shton Tahiri.

Tahiri kritikoi Osmanin edhe për qasjen e saj karshi dialogut me Serbinë si dhe masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Zëdhënëse e Qeverisë” – u quajt Osmani nga Tahiri.