Vjosa Osmani, deputete e LDK-së

LDK publikoi rezultatet e votimit për shkarkimin e Vjosa Osmanit

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së kësaj partie.

Kështu ka bërë të ditur LDK përmes një njoftimi për media, ku ka treguar se për këtë kanë votuar 70 anëtarë, 16 kundër dhe 9 kanë abstenuar.

“Për sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në njoftim të LDK-së.

Ndërsa, me shkarkimin e Osmanit, në pozitën e saj është vendosur, kryeministri, Avdullah Hoti.

“Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, më 20 qershor 2020 në ora 19:00, pyetjeve: A e përkrahni propozimin që z. Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”,thuhet në njoftim.

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.

Mustafa këtë e ka kërkuar përmes një letre të cilën e ia ka drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij,në të cilën ka kërkuar që Avdullah Hoti të marrë pozitën e nënkryetarit në vend të Vjosa Osmanit.