Zyrtari i SHBA-së: Kemi probleme komunikimi me Kurtin

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se SHBA-të kanë probleme me komunikimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Escobar tha se këtë problem nuk e kanë vetëm SHBA-të por edhe partnerë tjerë si Bashkimi Europian, NATO, Britania e Madhe, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Në një konferencë online me gazetarë, Esocbar u shpreh se në të kaluarën SHBA-të kanë pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën duke theksuar se do donte ta rikthente siç ishte më parë.

“Partneriteti mes ShBA-së dhe Kosovës, është mes popujve të Kosovës dhe ShBA-së, nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin, nuk është problem që veç ShBA-ja e ka, mendoj se këtë problem Kosova e ka edhe me komunikimin me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën”- ka theksuar Escobar.

Escobar më tej e quajti “vendim katastrofal” atë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për rregulloren me para të gatshme.

Zyrtari amerikan do të vizitojë Kosovën brenda kësaj jave, për të folur për dinarin dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Escobar thuhet se pritet të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në shkurt 2024, kishte hedhur poshtë pretendimet se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u rrezikuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë është Euro.

Duke u përgjigjur rreth deklaratës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Kosova e rrezikon partneritetin me SHBA-të pikërishtë për shkak të kësaj rregulloreje, Kurti tha se Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10 pikësh për zbatimin e rregullores së saj”- tha ai më 14.02.2024.

Për dinarin e dialogun, Escobar viziton Kosovën këtë javë