Tradita e 'Darkës së Lamës' në kullën shekullore të Deçanit

Familja Mazrekaj në fshatin Drenoc të Deçanit sivjet për të pestin vit radhazi, ishte nikoqire e “Darkës së Lamës”, e cila mblodhi miq e familjarë në hapësirat e kullës të ndërtuar tre shekuj më parë.

Derisa djemtë e shtëpisë merren me përgatitjen e vendit ku do të ulën të ftuarit, kryefamiljari qëndron në oborr të kullës duke i pritur banorët të cilët në mënyrë të organizuar vijnë me ushqime tradicionale në duar për të begatuar festën e cila ndryshe njihet edhe si “Darka e Bereqetit”.

“Me hajër iu koftë” e “mirë se iu ka pru Zoti”, janë dy fjalitë më të shpeshta të cilat shkëmbehen te dera kryesore.

Trashëgimtari i kullës, Sali Mazrekaj, i drejton mysafirët për në dhomën më të madhe, të njohur ndryshe si ‘oda e burrave’, në vendin ku ai thotë se ndër vite janë organizuar festa të ndryshme tradicionale të zonës së Dukagjinit.

Teksa tregon se deri në moshën 23 vjeçare ka jetu në kullë e pjesën tjetër të jetës në gurbet, ai thotë se ideja për “Darkën e Lamës” ka ardh nga banorët e fshatit.

“Si sonte që jemi këtu, gjithmonë janë bo “Darkat e Lamës, “Djergat”, dhe “Darka e postermës”. Na e kemi organizu që pesë vite, prej që kam dal unë në pension. Vëllezërit dhe katuni më thanë a mundesh me na liru kullën sepse këtu tash kurrkush nuk jeton, përdoret vetëm si muze, edhe tash po e bëjmë këtë për mos me harru traditën e moçme”- thotë ai.

Darka që zakonisht shtrohet në fund të tetorit, ose në fillim të nëntorit përkthehet në falëndërim për grumbullimin e produkteve të fushës dhe përfundimin e punëve të vjeshtës, në viset e ndryshme të Kosovës.

Ushqimet tradicionale të Darkës se Lamës. Foto: KALLXO.com

Ndonëse, shija e ushqimeve tradicionale të gatuara nga produktet e fshatit ishte karakteristika kryesore e darkës, banorët thonë se llojllojshmëria e tyre ka ndryshuar ndër vite.

“Ushqimi tradicional është pitja, flija, leqeniku, kos, djathë, mish, tash të gjitha ato nuk i kemi në këtë kohë qysh kanë qenë përpara, por disa ushqime i kemi që i përjetojmë edhe sot”- shpjegon Nezir Mazrekaj.

Përgatitja e ushqimeve për Darkën e Lamës. Foto: KALLXO.com

Përveç ushqimeve, Mazrekajt thotë se edhe në organizim vërehen disa dallime.

“Atëherë Darka e Lamës çdo shtëpi e kanë bë, për shembull sonte e kemi bë na, nesër dikush tjetër e kështu më radhë. I kemi thirr të afërmit. Kështu ka shku pjesë – pjesë. Prej familjes Alaj deri tek ne Mazrekaj. E tash krejt familjet jemi bashku këtu në kullën tonë”- përshkruan Sali Mazrekaj për KALLXO.com.

Në kullën që qëndron si dëshmi e përkushtimit për të ruajtur një kulturë shekullore, festa shoqërohet njëjtë si në të kaluarën me këngë e lojëra të ndryshme.

Një grup i këngëtareve që zakonisht ulën në mesin e dhomës me motive kombëtare, për disa minuta këndojnë këngë të njohura patriotike të shoqëruar nga burrat e fshatit që bashkohen herë pas herë në këndim.

Qytetari Ibër Alaj thotë se të ftuarit e darkës kanë zhvillu lojëra në mënyrë që të argetohën gjatës festës.

“Janë zhvillu lojëra, për shembull loja e ‘kapuçave’, që i kanë lujt si aspekt tradite që në kohën e lirë me u argëtu, në aspektin që më pas humor që e ka begatu vetë lojën”- thotë ai.

Derisa shpjegon se me iniciativë të qytetarëve ky fshat i Deçanit e ka rikthy traditën që ka mbet nga paganizmi, Alaj konsideron që ky organizim është i veçantë edhe për shkak të vendit ku mbahet.

Lojën kapuçave e fillon i pari,  ai që është në krye të vendit duke e futur dorën me radhë ndër të gjithë kapuçat dhe në njërën prej tyre, sa të mundet pa u kuptuar, e fsheh ‘plumbin’.

Kundërshtarët kanë të drejtë ta shohin atë që fsheh plumbin dhe të ndjekin çdo lëvizje të tij, ndërsa kur të mbarohet së fshehuri plumbi, lojtarët kundërshtarë japin mendime se ku mund të ketë lëshuar plumbin.

Të njëjtat rregulla zbatohen për disa runde, ndërsa në përfundim ekipi fitues ngritët në këmbë e bashkërisht i këndojnë një këngë humbësve duke i përqeshur.

Loja e kapuçave. Foto: KALLXO.com

Darka e Lamës, organizohet edhe tradicionalisht nga Zyra e Presidentit të Kosovës. Këtë vit Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar ketë darkë në kampin e Policisë “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Shtrimi kësaj darke nga ky institucion u nis nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova në vitin 2002, ku synim ishte që të shënohet fundi i stinës së verës dhe fillimi i vjeshtës. Ndërsa, në sofrat, ku mysafirë ishin krerë institucionesh nga vendi e ndërkombëtarë, shtrohej ushqim tradicional.