Aleksandra Dugushina. Foto: KALLXO.com.

Studiuesja Dugushina: Shqiptarët e Ukrainës mrekullisht e kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare

Një prej diasporës më të vjetër shqiptare është ajo e shqiptarëve në Ukrainë, në Besarabi e Priazovia. Të vendosur aty më se dy shekuj më parë komuniteti shqiptar i Ukrainës ka arritur të ruajë gjuhën dhe tradita kombëtare deri në ditët e sotme.

Pas rënies së komunizmit, shqiptarët e Ukrainës kanë themeluar shoqatat tyre e kanë bërë përpjekje për të botuar libra në gjuhën e tyre. Studiuesit thonë se shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur leksikun e vjetër të gjuhës shqipe.

Studiuesja Aleksandra Dugushina thotë se shqipja edhe sot e kësaj dite flitet nga shqiptarët në Ukrainë, pavarësisht se ata kanë më se dy shekuj që jetojnë aty.

Në një bisedë, për KALLXO.com, studiuesja Dugushina, ligjëruese në Universitetin Shtetëror në Shën Petersburg në Rusi dhe kërkuese shkencore në Institutin e studimeve linguistike të Akademisë të Shkencave e Rusisë, thotë se është fenomen në vete se si shqiptarët në Ukrainë e kanë ruajtur gjuhën dhe traditën e tyre pas kaq shumë shekuj, kur janë larguar nga territoret shqiptare, qysh në shekullin e 15-të nga territoret shqiptarë jug-lindore, në fillim në Bullgari e pas dy shekuj në territorin e Perandorisë Ruse, në Ukrainë.

Gjuha e shqiptarëve të Ukrainës

Dugushina që ka zhvilluar ekspedita hulumtuese me ekipin shkencor në fshatrat shqiptare në Ukraina, në Karakurt e Preazovia, thotë se pavarësisht ndikimeve të gjuhëve sllave shqiptarët atje e kanë ruajtur gjuhën.

“Edhe sot e kësaj dite shqipja flitet në fshatrat shqiptare në Ukrainë. Shqipja, dialekti i shqipes, patjetër që ishte nën ndikimin e gjuhëve sllave, por shqiptarët e kanë ruajtur gjuhën e 15-të. Shqiptarët e Ballkani nuk mund të besojnë kur të dëgjojnë dialektin e shqiptarëve të Ukrainës se po dëgjojnë gjuhën e stërgjyshërve të tyre”- thotë Dugushina.

Albanologia Dugushina thotë se shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur një leksik të shqipes së vjetër, të cilët gjen përdorime dhe sot. Por, pavarësisht kësaj ajo thotë nuk kanë një traditë të shkrimit të dialektit të tyre në gjuhën shqipe.

“Shqipja flitet në shtëpi, nëpër familjet, por nuk ka një traditë të shkrimit, dhe vetëm disa poetë e intelektualë kanë shkruar diçka ka pasur përpjekje për krijimin e rregullave të shkruar në Karakurt dhe në fshatrat e Priazovias, por ato botime kryesisht janë për përdorim privat të një rrethi të vogël. Intelektualë e Karakurti (2018/2019) kanë botuar një fjalor të vogël në disa gjuhësh: shqip, bullgarisht, rusisht, ukrainisht dhe gaguzisht”- ka thënë Dugushina.

Aleksandra Dugushina. Foto: KALLXO.com.

Tradita etnologjike

Albanologia Dugushina thotë se shqiptarët e atyre rajoneve kanë ruajtur edhe shumë tradita të vjetra, që gjejnë përdorime dhe në disa zona të Shqipërisë juglindore.

Ajo studion ritet e lindjes tek shqiptarëve atje dhe tregon edhe për tradita e vjetra edhe sot gjejnë përdorim në mjediset shqiptare në Ukrainë.

“P.sh., shqiptarët në Ukrainë festojnë një festë që quhet Poganik, një festë që festohet në ditën e nëntë pas lindjes së fëmijës, një festë që shënohet edhe sot në juglindje të Shqipërisë”- ka pohuar ajo. Duke shtuar se Poganik është një fjalë dialektore dhe që shqiptarët e Ukrainës e morën dhe e ruajtjen deri më sot në festat familjare.

Dugushina thotë se ritet e lindjes ruajnë shumë fjalë të vjetra të gjuhës shqipe, p.sh: “të rroni’, “djal” për foshnje, etj.

Interesante sipas saj, është se shqiptarët e Ukrainës nuk e tregojnë emrin e bebes së lindur për një vit për ta mbrojtur nga syri i keq. “Ndërsa, fëmija i porsalindur mbështillej me këmishën e përdorur të babait për të treguar lidhjet më familjen e babait (fisin). Gjithashtu, sipas saj, shqiptarët në Ukrainë e kanë ruajtur edhe një leksik të pasur të veshjeve tradicionale, si shami, fustan, etj.

Studiuesja ruse Aleksandra Dugushina me vite merret me studime gjuhësore e etnologjike të shqiptarëve të Ukrainës. Ka botuar libra dhe artikuj shkencor për shqiptarët e Ukrainës dhe për vite merr pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Këtë edicion të seminarit ajo prezantoi referimin “𝘎𝘢𝘻𝘦𝘵𝘢 “𝘙𝘪𝘭𝘪𝘯𝘥𝘫𝘢” 𝘯𝘦̈ 𝘧𝘴𝘩𝘢𝘵𝘪𝘯 𝘴𝘩𝘲𝘪𝘱𝘧𝘰𝘭𝘦̈𝘴 𝘒𝘢𝘳𝘢𝘬𝘶𝘳𝘵 (𝘮𝘦𝘴𝘪 𝘪 𝘷𝘪𝘵𝘦𝘷𝘦 1990): 𝘱𝘦̈𝘳𝘱𝘫𝘦𝘬𝘫𝘦𝘵 𝘱𝘦̈𝘳 𝘬𝘰𝘥𝘪𝘧𝘪𝘬𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘥𝘪𝘢𝘭𝘦𝘬𝘵𝘪𝘵 𝘵𝘦̈ 𝘱𝘢𝘴𝘩𝘬𝘳𝘶𝘢𝘳 𝘯𝘦̈ 𝘯𝘫𝘦̈ 𝘮𝘫𝘦𝘥𝘪𝘴 𝘴𝘩𝘶𝘮𝘦̈𝘨𝘫𝘶𝘩𝘦̈𝘴𝘩”. Dugushina punon si mësimdhënëse në Universitetin e Shën Petersburgut dhe kërkuese shkencore në Akademinë e shkencave të Rusisë.