Ilustrim

Dita Botërore e Gjuhës Amtare, shqetësime për përdorimin e gjuhës standarde shqipe në Kosovë

Gjuhëtarët kosovarë janë të shqetësuar nga niveli i përdorimit të gjuhës standarde shqipe, qoftë në administratë, shkolla, përdorim zyrtar e të përditshëm.

Sipas tyre, Dita Botërore e Gjuhës Amtare, shqipen e gjen të ‘mbytur’ nga fjalët e shprehjet dialektore e të huaja. Gjuhëtarët thonë se standardi i gjuhës shqipe lëngon nga depërtimi i tepruar i fjalëve dhe strukturave gramatikore të huaja. Për ta mbrojtur standardin e shqipes ka mendime edhe për bërjen e një ligji për mbrojtjen e gjuhës amtare, në këtë rast shqipes.

Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë (IAP), thotë për KALLXO.com se ka një ngecje të caktuar në përdorimin e përditshëm të standardit, qoftë zyrtarë, në administratë, shkolla, etj.

Sipas tij, në ditët e sotme ka tendencë të përdoren më shumë fjalë dialektore e të huaja për qëllime të caktuara.

Ai thotë se dihet se ku duhet të përdoret standardi e ku jo në komunikimin e përditshme. “Vetë natyra e gjuhës është evolutive. Gjuhët zhvillohen dhe duke pasur parasysh këtë unë konsideroj se standardi gjuhësor duhet të përshtatet me rrethanat e sotme, por pa e prekur bazën gjuhësore të standardit.  Pra, t’ i mënjanojmë tendencat për ndryshimin e standardit apo krijimin e një standardit të ri”- ka thënë gjuhëtari Berisha.

Gjuhëtari Sejdi Gashi, bashkëpunëtor shkencor në IAP, thotë për KALLXO.com se standardi i gjuhës shqipe lëngon nga depërtimi i panevojshëm i fjalëve dhe shprehjeve të huaja.

“Ne mendojmë se po flasim shqip, por në fakt mendojmë shqip e flasim mbi  bazën e një strukture sintaksore të gjuhëve të huaja; fqinje, angleze, gjermane e kështu me radhë. Pra, jemi në një gjendje të pakontrolluar të elementëve të huaja që janë bërë pjesë e pandashme të shqipes”- ka thënë ai.

Gashi e sheh të panevojshme mbrojtjen e shqipes me ligj.  “Nuk mendoj se është zgjidhje e duhur hartimi i një ligji, por duhet të ndërmerren studime më serioze e punë në sistemin arsimor dhe në gjithë zinxhirin shoqëror për një kujdes më të madh për gjuhën standarde, pasi shqipja është elementi kryesor i identitetit tonë kombëtar shqiptar”- ka thënë gjuhëtari Gashi.

Ndërkaq, studiuesi Bahtijar Kryeziu, profesor në Universitetin e Gjilanit, gjatë ligjëratës “Emrat bashkëkohorë të shqiptarëve – dëshmi e shqipes evropiane”, të  prezantuar në tryezën shkencore mbajtur sot në IAP, tha se shumë prindër i emërojnë fëmijët e tyre me emra që bien ndesh me drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e emrit në gjuhën shqipe.

“Shih për këtë duhet të ketë ligj për mbrojtjen e gjuhës amtare, pra edhe të antroponimeve shqipe e jo t’i përmbahemi një ‘rregulle’ – ‘kompetence komunikatave’, të një teorie të studiuesit të shquar Delli Hymes teori kjo që nënkupton ‘aftësinë për të komunikuar me kode të ndryshme’, rrjedhimisht edhe të shkruarit e emrave të fëmijëve me gabime, e që në këtë mënyrë, kujtojmë ne, krijohet një mishmash gjuhësor, që të shpie në një anarki gjuhësore”- tha ai gjatë tryezës.

Çdo 21 shkurt, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO-ja në vitin 1999. Qëllimi i kësaj dite është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë.  Për të shënuar këtë ditë gjatë ditës së sotme në IAP është mbajtur tryeza shkencore “Shqipja – gjuhë  evropiane”, ku studiues të shumtë prezantuan kumtesa lidhur me gjendjen e gjuhës shqipe.