Ilustrim, Foto: Pixabay

Rreziku nga shitblerja e telefonave të përdorur

Një hulumtim i BIRN tregon se shitblerja e telefonave të përdorur në Kosovë zhvillohet në tregun e zi dhe nuk kërkon standarde strikte të zhdukjes së të dhënave personale.

Në tregun e zi ku telefonat dhe lap topët shiten dhe blihen pa marrëveshje dhe deklarata të konfidencialitetit rreziku që të dhënat personale të keqpërdoren është tepër i lartë.

Pajisjet personale të komunikimit të qytetarëve grumbullojnë të dhëna private të tyre të cilat në raste mund të keqpërdoren. Në të paktën 10 lokacione që zhvillohet shitblerja e telefonave, BIRN zbuloi se pronarët dhe shitësit nuk kanë procedura të shkruara në të cilat palët informohen për obligimet e blerësit për të zhdukur të dhënat personale nga pajisjet.

E tërë procedura kryhet në mirëbesim duke bërë vetëm të dhëna deklarative se pajisja është formatizuar dhe të dhënat janë fshirë nga pajisja në momentin e dorëzimit të saj.

Ekspertë të çështjes së privatësisë rekomandojnë qytetarët që servisimin apo ndërrimin e telefonave ta bëjnë në biznese të licencuara e të certifikuara, kurse inkurajojnë qytetarët që t`i shmangin rrugët jo ligjore për të kryer shërbime të tilla.

Zyrtarë nga AIP ju kanë bërë thirrje qytetarëve që pajisjet teknologjike është më mirë që të hudhen apo të shkatërrohen nga vetë ata sesa t`u vihen në dispozicion individëve apo personave të tretë të cilët me metoda dhe pajisje të ndryshme mund t`i kthejnë të dhënat që një herë janë fshirë nga pajisja teknologjike.

KALLXO.com kishte marrë një qëndrim nga AIP, nëse kanë pranuar ndonjë ankesë ku qytetarët kanë pretenduar për shkelje të privatësisë, përmes shitblerjes së telefonave që i kanë pas në përdorim dhe i kanë shitur.

Sipas zyrtarëve të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, asnjë rast me këtë tematikë nuk është adresuar në këtë institucion. Sipas AIP, qytetarët duhet të ndërmarrin hapa për të mbrojtur privatësinë e tyre duke i fshirë paraprakisht të dhënat e tyre në pajisjet që kanë vendosur për t`i larguar.

Tutje sipas tyre bizneset që merren me këtë veprimtari, duhet t`i shkatërrojnë të dhënat personale të qytetarëve që i gjejnë në pajisjet që i blejnë. Momentin që bëhet shkatërrimi sipas zyrtarëve të AIP do duhej të mbahej procesverbal dhe të njoftohet pala për të dhënat personale që janë shkatërruar.

“AIP nuk ka pranuar ankesa të tilla nga qytetarët, i rekomandojmë qytetarët që t`i fshijnë të gjitha të dhënat para se të ndërmarrin veprime të tilla që mos të ja ekspozoj palës tjetër. Ka aplikacione speciale që mund t`i kthejnë të dhënat mbrapa, më mirë është një telefon të hudhet ose të mbahet sesa të ndërrohet me një telefon të ri, ku të dhënat e tij mund të ekspozohen te palët e treta. Ka kompani të specializuara që mund t`i kthejnë të dhënat mbrapa nga pajisjet teknologjike. Nuk janë të specializuar të gjitha mobishopat që t`i kthejnë të dhënat mbrapa. Te rregullimi i telefonit ne duhet të japim pëlqimin”- tha Arbian Arifi, zyrtar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Sipas AIP nuk kanë hasur në ndonjë mobishop i cili ka ndonjë databazë për kolektim të të dhënave personale por edhe sikur të kishte një të tillë do duhej të kishte një bazë ligjore për të shtjelluar arsyet pse po ndodhë kolektimi i të dhënave.

AIP kanë konfirmuar se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë rast i cili ka të bëjë më shkatërrimin e të dhënave personale nga mobishopët, për të bërë shkatërrimin e të dhënave personale do duhej të kishte një rregullore të brendshme biznesi.

“AIP kërkon që pëlqimi të jetë i dokumentuar edhe pëlqimi gojor është i paraparë me ligj, mobishopat nuk kemi has në databaza të tilla, ndonjë databazë për kolektimin e të dhënave personale, edhe po të kenë një të tillë duhet të kenë një bazë ligjore me ditë pese po i mbajnë ato të dhëna dhe cili është qëllimi. Deri më tani nuk ka hasur në ndonjë mobishop që ka ndonjë procedurë të shkruar në këtë aspekt {për shkatërrimin e të dhënave personale}. Shkatërrimi e ka procedurën e vetë, gjithë mobishopat duhen të kenë rregullore të shkruar në momentin që pranojnë të dhëna të tilla nga subjektet, ata duhet me u kujdes që çdo përpunim i të dhënave dhe me u shkatërru të bëhet në harmoni me ligjin”- tha Arbian Arifi nga AIP.

Cak i ndërhyrjes në privatësi, përmes kësaj mënyre mund të konsiderohen njerëzit me interes publik, si këngëtarë, deputetë, kryeministra, gjyqtarë, prokurorë dhe njerëz që kanë influencë online.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me biznese që si veprimtari kryesore kanë shitblerjen e telefonave të cilët kanë thënë se nuk kanë hasur në një rast të tillë ku palët kanë sjellë për shitje apo ndërrim telefona, një pajisje me të dhëna personale brenda.

Sipas pronarëve të këtij biznesi, secili qytetar paraprakisht i fshin të dhënat që i ka në të, pastaj e dorëzon telefonin, por edhe nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, sipas pronarit formatizimi dhe fshirja e të dhënave bëhet në prani të palës, ku mbyllen të gjitha llogaritë që i ka të hapura.

“Kurrkush nuk i shet me të dhëna, s`më ka ndodhë asnjë rast i tillë, pa u siguru ai që ju kanë fshi mirë nuk u dal prej lokalit. Hale s`më ka bo vaki çka je t`u thanë ti, ti nuk mundesh me ja ndal me t`dhëna se ai mundet me pas icloudin e vet, po ti atë telefon s`mund e përdor, ti e fshin e bon 0 -0 po jetë telefon i pa përdorshëm. Edhe Samsungu e ka google accountin, njëjtë e kanë bo, s`mund e shet me foto, se me bo me ja lyp gmail-in e vetë ai është si icloud njëjtë është siguria. Ka me prit klienti me shkru emailin e vet në telefon edhe me bo telefonin 0-0. Është procedurë e cila bëhet në prani të klientit, e sheh që është zero – zero, atëherë ec”- tregoi pronari i një mobishopi.

KALLXO.com ka marrë edhe një anë të ekspertëve të kësaj fushe, Kastriot Fetahaj, i cili ka thënë se më e rrugës është që mos të jepet apo të shitet telefoni në mobishopa, por të ju jepen familjarëve ose njerëzve të sigurt.

Tutje Fetahaj ka thënë se para se të bëhet një veprim i tillë nga qytetari duhet që të riformatohet i tërë telefoni, dhe kjo të përsëritet disa herë me qëllim që të rritet siguria.

Sipas tij, nuk preferohet që telefoni të shitet me të dhëna personale dhe t`i lihen të dhënat personale në fatin e personit që e ka blerë atë.

“Njëri prej problemeve më të mëdha kur don me shit telefonin tënd janë të dhënat në të, preferohet nëse don me shit ose me ndërru, është me reset dhe me i fshi të gjitha të dhënat, kjo ndryshon prej platformës, në Android bëhet ndryshe, në Ipphon bëhen ndryshe. Procesi në të dy platformat është me hek accountin nga telefoni dhe me i fshi të gjitha të dhënat dhe në këtë formë je ma i sigurt. Edhe kjo formë i ka rreziqet e veta, edhe nëse i fshin të dhënat është gjithmonë rrezik që dikush mundet me t`i kthy të dhënat, nuk është një proces i thjeshtë është proces që duhet me pas ekspertizë në këtë fushë, por teknikisht mundet me u realizu. Shumë institucione të sigurisë munden me t`i kthy të dhënat pasi t`i fshini. Preferohet nëse don me shit telefonin me resetu, nëse don me rrit shkallën e sigurisë me përsërit disa herë ciklin, në këtë mënyrë rritet në mënyrë drastike siguria. Assesi nuk guxon me shit telefonin ose ndërru telefonin me të dhënat e tua dhe me ja lanë në mëshirë të fatit të personit që e ka telefonin. E mira e së mirës nëse i kanë mundësitë është që nuk preferohet me jep telefonin tënd ose me shit, përpos nëse e jep te familjarët, shoqëria ose dikush i besueshëm”- tha Kastriot Fetahaj për KALLXO.com.