Foto: Komisioni i Pavarur i Mediave
Kosovës i duhet të harmonizojë legjislacionin për media dhe Inteligjencë Artificiale me standardet e BE-së
Kosova përballet me nevojën gjithnjë e më urgjente për të harmonizuar kornizën ligjore të rregullimit të medias me standardet e Bashkimit Europian, pasi zhvillimet teknologjike – sidomos në Inteligjencën Artificiale (AI) – po tejkalojnë kapacitetet aktuale ligjore dhe institucionale.
Megjithëse Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës dikur ishin gjerësisht të harmonizuara me parimet e BE-së, korniza për rregullimin e mediave, platformat online dhe teknologjitë në zhvillim është e vjetruar. Kosova tashmë ka ndërmarr hapa për të kapërcyer dallimin midis kuadrit ligjor dhe zhvillimit teknologjik, të nxitur nga rritja e Inteligjences Artificiale (AI-së).
Krenare Sogojeva Dërmaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi në AIP, i tha Prishtina Insight se një draft Raport i Vlerësimit të Ndikimit të Aktit të BE-së për AI në Kosovë synon të mbështesë harmonizimin me standardet e BE-së për inteligjencën artificiale dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si pjesë e procesit më të gjerë të integrimit europian të vendit.
Drafti u prezantua më 27 shkurt 2025 nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në bashkëpunim me Departamentin e Planifikimit Strategjik të Zyrës së Kryeministrit, dhe me mbështetjen e Korporatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Në një deklaratë, AIP theksoi se “ky vlerësim përfaqëson analizën e parë të strukturuar institucionale të qeverisjes së AI-së në Kosovë dhe vendos bazat për zhvillimin e një kuadri kombëtar të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.”
Nisma propozon gjithashtu një projekt pilot brenda një institucioni publik për të testuar zbatimin e sistemeve të AI-së, veçanërisht në përpunimin e të dhënave dhe vendimmarrje. “Kjo qasje praktike synon të përmirësojë mekanizmat e qeverisjes para se ato të zbatohen në shkallë më të gjerë nëpër institucione,” thuhet në deklaratën e AIP-së.
Sogojeva Dërmaku i tha Prishtina Insight se “në thelb, drafti fokusohet në vlerësimin e ndikimit të Aktit të BE-së për AI në raport me kornizën ekzistuese ligjore të Kosovës, veçanërisht me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe në identifikimin e boshllëqeve ligjore, institucionale dhe praktike që duhet adresuar për një harmonizim të ardhshëm.”
Ajo shtoi se drafti, i cili është ende në zhvillim, ofron gjetje të strukturuara, rekomandime për ndryshime ose sqarime ligjore dhe indikatorë të propozuar për monitorimin dhe vlerësimin e progresit institucional. “Qëllimi i tij është të vendosë një bazë të qartë për zhvillimin e një qasjeje të sigurt, etike dhe në përputhje me BE-në për përdorimin dhe qeverisjen e sistemeve të AI-së në Kosovë.”
Nevojë “urgjente dhe strukturore”
Blerta Thaçi, Drejtoreshë Ekzekutive në OJQ-në Open Data Kosovo, thekson se harmonizimi i legjislacionit të Kosovës me standardet e BE-së në rregullimin e mediave dhe privatësisë nuk është më opsional—është njëkohësisht urgjent dhe strukturore.
Thaçi i tha Prishtina Insight se, ndonëse e konsideron nismën e AIP-së për vlerësimin e ndikimit të Aktit të BE-së për AI një hap të rëndësishëm përpara, “sfida reale do të jetë përkthimi i këtyre parimeve në rregullim konkret dhe të zbatueshëm në kontekstin lokal”.
“Në një realitet ku teknologjitë, veçanërisht inteligjenca artificiale, po ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin, shpërndarjen dhe manipulimin e informacionit, mungesa e harmonizimit krijon boshllëqe serioze në mbrojtjen e qytetarëve dhe në integritetin e mediave.” deklaroi Thaçi.
Ajo përmendi disa mekanizma kyç të privatësisë që Kosova duhet të adoptojë për t’u harmonizuar me standardet e BE-së, përfshirë vlerësime të detyrueshme të AI-së në media dhe institucione publike për rreziqet ndaj të drejtave të njeriut dhe privatësisë, transparencë algoritmike në mënyrë që qytetarët të dinë kur përmbajtja gjenerohet nga AI, si dhe sisteme më efikase të mbrojtjes së të dhënave për të siguruar zbatim dhe mbikëqyrje efektive.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të institucioneve publike dhe mediave për përdorimin e teknologjive të përpunimit të të dhënave, si dhe zbatimin e masave mbrojtëse kundër manipulimit dhe dezinformimit, veçanërisht me rritjen e gjenerimit me AI.
“Nëse këta mekanizma nuk adresohen në mënyrë të integruar, rrezikojmë të krijojmë një kuadër ligjor që është formalisht i harmonizuar me BE-në, por praktikisht i pazbatueshëm,” shtoi Thaçi.
Sfida në luftimin e dezinformimit
Ashtu si institucionet publike, edhe organizatat mediatike në Kosovë përballen me sfida serioze për shkak të cenueshmërisë së tyre ndaj dezinformimit.
Këto boshllëqe janë më së shumti të dukshme në luftën kundër dezinformimit. Transparenca e dobët e mediave, strukturat e paqarta të pronësisë dhe koordinimi i kufizuar institucional krijojnë hapësirë që përmbajtjet e dëmshme të përhapen si në platformat tradicionale ashtu edhe në ato digjitale.
Një raport i BIRN Kosova dhe Internews Kosova, i publikuar më 27 mars, theksoi se mediat e mbështetura nga shteti rus kanë shtrirë ndikimin në hapësirën informative të Kosovës në kushtet e kapaciteteve të dobëta institucionale për t’u përgjigjur.
Për më tepër, një analizë ligjore e përfshirë në studim gjen se Kosova nuk ka strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin e dezinformimit dhe nuk ka rregullore specifike që rregullon mediat online, duke theksuar se legjislacioni nuk është plotësisht i harmonizuar me direktivat e BE-së.
Në lansimin e raportit, Labinot Leposhtica, zyrtar ligjor në BIRN, theksoi boshllëqet në transparencë, veçanërisht sa i përket reklamimit shtetëror dhe të ardhurave të mediave.
“Kemi identifikuar se të ardhurat e deklaruara nga mediat pranë Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Administratës Tatimore nuk kanë ndarje të qartë që tregon origjinën e këtyre fondeve,” tha Leposhtica, duke shtuar se “në kontekstin e BE-së, jemi dukshëm prapa në këtë çështje.”
Sipas tij, transparenca në financimin e mediave, pronësinë dhe reklamimin është thelbësore për të siguruar që informacioni që konsumon publiku të mos komprometohet. “Këto rregullore synojnë të mbrojnë integritetin e informacionit, jo censurën.”
Analiza e BIRN thekson se legjislacioni i Kosovës duhet gjithashtu të harmonizohet me Direktivën për Shërbimet Mediatike Audiovizuale (AVMSD), për të siguruar pavarësi rregullatore dhe standardizim të komunikimeve komerciale, si dhe me Aktin e BE-së për AI për të adresuar dezinformimin e gjeneruar teknologjikisht.
Aktualisht, Kosova funksionon me një sistem të fragmentuar transparence që ofron vetëm një pasqyrë administrative pa zbuluar strukturat reale të kontrollit dhe interesat ekonomike pas mediave.
Pa këtë transparencë, institucionet e Kosovës nuk mund të ndërtojnë komunikim efektiv me platformat globale si Meta ose TikTok për të identifikuar sulmet hibride, pasi nuk ka një pikë të qartë të përgjegjësisë editoriale.
Përgjegjësitë institucionale në Kosovë janë gjithashtu të fragmentuara, pasi mungon komunikimi i qartë me platformat e mediave sociale. Bashkëpunimi me vendet e rajonit—ku disa platforma që përhapin dezinformim për Kosovën janë të bazuara—mbetet gjithashtu sfidë.
Sfida shtesë ekzistojnë edhe në menaxhimin e kanaleve zyrtare të komunikimit. Kosova nuk ka një kuadër ligjor që rregullon praninë e institucioneve publike në platformat e mediave sociale si Facebook dhe TikTok, duke rezultuar në komunikim online të paqëndrueshëm dhe të pa standardizuar.
Për shkak të pjesëmarrjes së kufizuar në mekanizmat ndërkombëtarë, Kosova nuk ka kodin e vet shtetëror të URL-së dhe disa platforma online operojnë përmes adresave jashtë vendit.
Gjithashtu mungon një mekanizëm i centralizuar për mbledhjen dhe vlerësimin e përmbajtjes së dëmshme brenda vendit.
“Procedurat gjyqësore për trajtimin e rasteve të tilla shpesh janë të ngadalta dhe joefektive, gjë që zgjat reagimin ndaj dezinformimit,” thekson analiza e BIRN.
Ky artikull fillimisht është publikuar në gazetën Prishtina Insight

