Foto: Facebook/AIP.

Kosova organizatore e konferencës evropiane për mbrojtjen e të dhënave për vitin 2027

Kosovës është përzgjedhur zyrtarisht për organizimin  e Konferencës Pranverore Evropiane të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave për vitin 2027.

Përzgjedhja e Kosovës për të organizuar këtë konferencë është marrë gjatë punimeve të edicionit të 34-të të Konferencës Pranverore 2026 që po mbahet në Antalya të Turqisë, e njohur si “Spring Conference 2027”.

Në këtë konferencë Kosovës po përfaqësohet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), udhëhequr nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi Krenare Sogojeva.

AIP ka njoftuar se Konferenca Pranverore konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë.

“Përzgjedhja e Kosovës si vend organizator për vitin 2027, paraqet një vlerësim të lartë për rolin aktiv të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në mbrojtjen e të dhënave personale, përkitazi me standardet ndërkombëtare të vendimmarrjes në mbrojtjen e të dhënave”- thuhet në njoftimin e AIP-së.

Ky vendim, sipas AIP-së, vjen pas organizimit të suksesshëm të Punëtorisë Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Mbrojtjen e të Dhënave Personale – ECHË 2025, të mbajtur në Kosovë në nëntor të vitit të kaluar, duke dëshmuar kapacitetin institucional të Agjencisë për të organizuar ngjarje të nivelit evropian.

AIP thotë se që nga viti 2024 vazhdon angazhimet në cilësinë e anëtares vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), si partnere e autoriteteve ndërkombëtare për mbrojtjen e te dhënave personale në nivel Evropian.