Kalaja e Prizrenit FOTO: Deniz Sllovinja
Rrezik për vizitorët, Ministria e Kulturës njofton për mbylljen e disa zonave në Kalanë e Prizrenit
Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT) ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht për vizitorët disa zona në Kalanë e Prizrenit, për shkak të rrezikut.
Ky vendim sipas njoftimit të MKT-së është marrë pas vlerësimeve profesionale që evidentojnë gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët.
“Zonat me rrezik do të jenë të shënuara dhe të kufizuara deri në një njoftim të radhës”- thuhet në njoftim.
Po ashtu, MKT ka pezulluar edhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave të kalasë.
“Pezullohet menjëherë dhënia në shfrytëzim e hapësirave të kalasë për aktivitete nga organizata, iniciativa kulturore dhe artistë të pavarur, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta. Publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë dhe për afatet e mundshme të rihapjes” – thuhet në njoftimin e MKT-së
Ministria kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe palëve të interesuara, duke theksuar se ky vendim është në shërbim të ruajtjes së një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë dhe të sigurisë së vizitorëve.