Nysrete Kumnova dhe Suphije Tafashiku presin gjetjen e të afërmve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë | Foto: Blerina Gaxha Rogova

Rojtaret e Shpirtrave

Zonjat mbajnë shpresën për t’i gjetur të vdekur – i lindën foshnja dhe i presin eshtra – duke i ruajtur gjurmët e tyre në vendin që nuk do t’ia dijë për të zhdukurit.

Ato janë lundra e shpirtrave të të zhdukurve. Pa to, ata do të ishin asgjë, veç hije.

Por gratë ua mbajnë gjallë kujtimin, i sjellin të dashurit e humbur nga toka e përtejme si ekzistentë në këtë botë, duke u shprishur rehatinë dhe sigurinë e harresës të gjallëve.

Në këtë mënyrë, të zhdukurit janë si të ngrirë pezull mes dy botëve.

Ata as janë gjallë e as kanë vdekur.

                                                                                                                                                                       *   *   *

Në godinën që dikur rrinte si ‘zonjë e rëndë’ në qendër të qytetit të Gjakovës, në ndërtesën monetare të ish-Bankos, e ndryshkur dhe e palyer sot, e trishtë dhe e shkretë, në katin e tretë rrinë dy zonja të rënda o dy zonja të hekurta, të cilat për 17 vjet kanë luftuar krah për krahu për një qëllim.

Ngjitem shkallëve të ndërtesës e zymtësia më kaplon, dhe muhabeti sigurisht do të ketë dhembjen e një plage të thellë. Dy kafe ndërmjet dhe një brengë e njëjtë tash e 17 vjet.

Megjithëse ato janë vetëm në zyrën e vjetër, rrethohen nga fotografi burrash, djemsh e grash të zhdukura në luftën e 1999-ës në Kosovë.

Nga muret, të zhdukurit duket sikur të shohin drejt e në sy. Ata nuk flasin, por heshtja e tyre kumbon më shumë se çdo britmë.

Portrete të njerëzve që nuk kanë arritur ta kapërcejnë pragun e luftën e ta prekin lirinë. Portrete të njerëzve, eshtrat e të cilëve janë shpërndarë në tokë të huaj. Portrete të njerëzve, eshtrat e të cilëve mbajnë peng jetën e atyre që kanë lënë pas.

 

Varrezë masive në Kosovë
Varrezë masive në Kosovë

Rrëfimi i nënës

Nysrete Kumnova (62), kryetare e Shoqatës “Thirrjet e nënave”, është zonja, të cilën jemi mësuar ta shohim të fortë e të thërrasë fort për zbardhjen e fatit të Personave të zhdukur në luftë, por atë të premte, ballë për ballë, ajo nuk ishte gruaja e hekurt, po nëna e ligur që rrëfente herën e fundit kur e pa të birin, Albionin 21 vjeç.

Historia e familjes sime është e rëndë, thotë, tek fshin lotët. Ajo kujton të mërkurën e 31 marsit të vitit 1999, kur bashkë me të motrën po bënin roje dhe nuk e prisnim që forcat serbe t’u hynin në shtëpi gjatë ditës.

“Albioni erdhi tek unë disa herë e më thoshte se ndihej keq, në siklet e me frikë, më kërkonte qetësues e unë mundohesha me e qetësu me fjalë. Ai kishte parandjenja të këqija e vetëm gjysmë ore më vonë, në 14:30, policë e ushtarakë serbë e rrethuan lagjen tonë, dhe bashkë me të tjerët e morën edhe djalin tim.”

Që nga 31 marsi i ‘99-tës, zonja Kumnova nuk ka gjetur asnjë gjurmë të djalit të saj të vetëm. Të dhënat e ndryshme që ka marrë kohë pas kohë, kanë rezultuar të pasakta.

Në grupin prej gjashtë meshkujve të rrëmbyer, pesë nga ata sot janë identifikuar në varrezën masive të Ruçacit në Serbi, vetëm Albioni mungon.

Shtëpia, të cilën zonja thotë se e kishin konsideruar mburojë në atë kohë lufte, doli të jetë vendi i tmerrit.

“Vajza ime Arjeta, nga kati i dytë i shtëpisë e ka pa kur i zunë meshkujt në shtëpinë e kojshive, derisa përpiqeshin me ikë. I kanë shtri përtokë me duar pas qafës e më pas i kanë hipur në një kombi të bardhë. Nga ai moment për Albionin asgjë nuk kemi mësuar”.

Nëna e birit të zhdukur tregon se në ditët e mbetura të luftës kishte kërkuar informacione për të te ish-kolegët e punës që banonin në lagjen e serbëve, e në veçanti te ish-kolegja Mira Milatunoviq, por përgjigja që mori atëkohë, e kish tronditur fort.

Mira e kishte paralajmëruar për fatin e të birit dhe gjithë të zhdukurve të tjerë: “Vonë ke me e marrë vesh për djalin, mbas një viti a dy, më tha ajo. Nisa të qajë dhe e kapa kokën, i thash, qysh mundesh me më thanë kështu, e ajo ma ktheu ‘eh, po kështu është lufta’.”

Kumnova kujton sot kaq vjet më vonë, se shtëpia ku ajo kërkoi ndihmë, kish pasë qenë shndërruar në “çerdhe lufte” siç e quan shtëpinë e Milatunoviq. “Aty, e kam kuptu atë që na kanë thanë pleqtë ‘shkjaut kurrë besë mos me i zanë’.”

Protestë e familjarëve të personave të zhdukur në Bosnje
Protestë e familjarëve të personave të zhdukur në Bosnje

Shpirtrat e mbetur pezull

Ndër lot e kujtime, e pyes zonjën Nysrete se çfarë pret më tutje, ajo më thotë se “shpresa vdes e fundit”.

Një grua që dikur çonte jetë të lumtur familjare dhe punonte në industrinë e tekstilit në Gjakovë, thotë se jeta është e çuditshme, e nganjëherë e pabesueshme si mund të ndryshojë tërësisht.

Nga gruaja familjare në zërin e familjarëve të personave të zhdukur. Një ndryshim tërësor dhe shpresën për të cilën akoma mbahet.

“Na e dijmë se familjarët tanë më nuk janë, por edhe sikur të më kthehej vetëm një pjesë e vogël, nëse e gjej vetëm një pjesë të Albionit tim, e di se kam ku me e dërgu një lule, kam ku me e qajtë, si gjithë familjarët tjerë, por kjo fatkeqësisht nuk po ndodhë.”

Për nënën e Albionit tmerri i madh është mosgjetja e eshtrave të tij, kësisoj shpirti i të dyve ka mbetur pezull. Gjetja do të rezultonte me qetësimin e shpirtrave të familjarëve dhe një mundësi e tyre për t’iu kthyer jetës.

“Në familjen tonë gjithnjë përsëritet i njëjti muhabet, është mërzit edhe familja, nganjëherë vajza e vogël refuzon me iu kthy kësaj bisede. Por unë e burri nuk po mundemi me i ikë, kur nuk po e dimë ku e ka trupin… edhe kur shkoj me flejt më sillet nëpër kokë.”

Me gjithë forcën, tmerri vazhdon për Nysrete Kumnovën. Ajo mbahet shumë e fortë, e ndoshta vaji, thotë, m’u kthye në forcë, po megjithatë janë kujtimet ato që në vijimësi e kthejnë në kohë.

Nëna rrëfen jetën sa e kishte djalin, marrëdhënien e ngushtë e të bukur me të. Ani pse jeta e përbashkët u zgjati vetëm për 21 vjet, ajo ka besuar se përherë do të jetojnë si një familje e lumtur “Më ka dhënë shumë dashni e nuk jemi ndarë kurrë, po qe lufta na ndau përgjithmonë. Më duket se më ka humb para syve. Tash çmallem me rrobat e Albionit, ia laj, ia pastroj, ia paloj. Ia rregulloj dhomën. Edhe orën e ka të kurdisun siç e kurdiste përditë me u zgju heret në mëngjes për në punë, e ka edhe shaminë që ia pati punu gjyshja… ai nuk arriti me e jetu jetën, me e kriju një familje si të gjithë.”

Ndër lot më thotë me zë të ulët se është me të vjetrën “shumë kam dashtë me e pasë një djalë, më ka lind pasë dy çikave, e e dallojsha shumë”.

Në zyrën e shoqatës, ajo nuk është e vetme. Më shumë se një zyre, vendi i ngjan një strofulle, ku çdo ditë mblidhen familjarë të viktimave të luftës. Atë ditë, Nysrete Kumnova më priste me miken Suphije Tafashiku, po ashtu familjare e të zhdukurve.

Funeral i të gjeturve në varre masive
Të afërmit nderojnë disa prej të gjeturve në varre masive

Të gjeturit

Suphije Tafashiku (57), mikesha e luftës së përbashkët të Kumnovës, është familjare e njerëzve të vrarë e të rrëmbyer në luftën e 99-tës.

Asaj i janë zhdukur tre vëllezër: Osman, Agron dhe Afrim Haxhiavdyli, nipi Driton Lluhani (19 vjeç) dhe dhëndrri i vrarë Tefik Lluhani.

Vëllezërit i janë rrëmbyer me datë 10 maj 1999, ndërkaq trupi i dhëndrit u rrëmbye më 7 maj. Luftën thotë e kemi përjetuar rëndë, ajo, e ëma, e motra, gratë e vëllezërve dhe fëmijët.

“Shumë e rëndë për nanën time me t’i marrë katër djem prej shpisë. Me t’i hek fëmijët prej dorës… Lufta e pasojat e saj na kanë shkatërruar”.

Zonja Tafashiku tregon për jetën e vëllezërve, kërcënimet që ata kishin marrë kohë pas kohë gjatë krizës së para luftës nga pushteti i atëhershëm serb, dhe për natën kur ndodhën krimet.

Historinë e rrëfen ndër lot, e ndonëse shpirti i saj dhe familjarëve sot është qetësuar, me gjetjen dhe rivarrimin e trupave, megjithatë për motrën e vëllezërve dhe nipit të vrarë, lufta për t’i gjetur dhe dhembja në këto 17 vjet ishin të mëdha, më e madhe akoma mbetet përsëritja e dhembjes, identifikimi e kthimi i trupave veç e veç.

“Të katërtit janë marrë me 10 maj, por më e keqja është se trupat na janë kthyer një nga një, dhe familja jonë katër herë ka hapur dyert për të pamen. Kjo sikur të ishte një strategji për mos me e lanë plagën me u shëru.”

Vëllezërit Haxhiavdyli dhe nipi e dhëndri Driton e Tefik Lluhani janë kthyer më 15 01 2004, 12 06 2004, 22 04 2007 dhe 19 01 2007.

E zorshme, thotë familjarja e viktimave, derisa kanë pritur e kanë kërkuar, po me gjithë qetësimin, dhembja vazhdon. Më tregon një nga një fotografitë me rrobat dhe gjësendet e të gjeturve.

Në librin mbi pesëqind faqesh janë mbledhur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës së 99-tës. Organizata joqeveritare “Thirrjet e nënave” ka futur në kapakët e titullit “E vërteta për krimet serbe” (2015), dosjet e personave të zhdukur në periudhën mes 24 marsit dhe 14 qershorit 1999 në Gjakovë.

Nisur me biografinë e personit të zhdukur, rrëfimin e dëshmitarëve familjarë, certifikatën e vdekjes së të identifikuarve dhe veshmbathjet e gjetura të tyre, ani se disa janë krejtësisht të djegura. Një libër kundër harresës së viktimave dhe tragjedisë.

Nysrete Kumnova dhe Suphije Tafashiku | Foto: Blerina Gaxha
Nysrete Kumnova dhe Suphije Tafashiku | Foto: Blerina Gaxha Rogova

Vendi i shenjtë

Të dy zonjat rrethohen me fotografi dhe dëshmi të tjera të të zhdukurve në luftë në zyrën që e quajnë “vend i shenjtë” i të viktimave dhe familjarëve.

Nysrete Kumnova tregon idenë e themelimit të organizatës dhe përvojën që pati me familjaret e të zhdukurve në Bosnje, në vitin 2001, në Konferencën e 6-të Ndërrajonale për Personat e Zhdukur.

“Për një javë sa kam qëndruar atje vetëm ka qajtë. Isha shumë e dobët. Kur një nënë boshnjake më tha ‘mos qaj se djalit i mbushet varri me ujë’ ia ktheva me të keq e i thashë se tanët janë gjallë, ne i presim të gjallë, a jo ma ktheu ‘edhe ne kështu kemi mendu, por me kohë edhe ju do pajtoheni se kanë vdekur’. Më thanë të bëhem e fortë e të luftojmë me i gjetë trupat. Nuk e besoja dot sa të forta ishin bërë ato”.

Pas kthimit, mbi atë që ishte fillimisht një “këshill prindëror”, Kumnova bashkë me familjarët tjerë themeluan Organizatën joqeveritare “Thirrjet e nënave” me urimin që më vonë të kthehej në “buzëqeshjen e nënave”.

Në këtë ‘strofull’ thonë se familjarët mblidhen për të hequr mërzinë, për të komunikuar e luftuar më tej.

“Disa mendojnë se po e humbim kohën, por ne këtu shprehim dhembjen e emocionet, e dëgjojmë njëri-tjetrin, pijmë kafe, flasim, kujtojmë, bëjmë plane. Këtu ka vesh për ne, është si vend i shenjtë”, thotë Suphije Tafashiku, derisa flet për jetën e hallet e përbashkëta të familjarëve të të zhdukurve.

Konferencë në Javën e Personave të Zhdukur në Prishtinë
Konferencë në Javën e Personave të Zhdukur në Prishtinë

Veshët e mbyllur

Të dyja pohojnë se dyer për të trokitur kanë mbetur akoma, porse gjithçka ka mbetur në duart e shtetit të Serbisë, shtet të cilin organizatat dhe qeveria e Kosovës, thonë, nuk po kanë forcë ta detyrojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Se a kanë bërë mjaftueshëm qeveritë e Kosovës, përgjigja e tyre është e shpejtë dhe e shkurtër: “Jo. S’kanë bërë hiç. As të mjaftueshmen.”

Ndër dhjetëra protesta, greva e thirrje të shumta, Nysrete Kumnova dikur anëtare e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, beson se nëse qeveria e Kosovës, do ta kishte parashtruar si kusht të dialogut me Serbinë ndriçimin e këtyre rasteve, si e drejtë primare humane, rezultatet mund të ishin tjera dhe saga e kërkimit të anëtarëve të familjes tashmë do të kishte marrë fund.

“U përpoqa shumë sa isha në Komision, por më larguan nga aty”, thotë Kumnova, tek kujton qortimet që kish marrë nga ish-kryeministri Agim Çeku dhe të tjerë në qeverinë e atëhershme për nismat e ndërmarra brenda institucionit qeveritar.

Nga veshët e mbyllur të Republikës së Kosovës dhe jeta e ngelur peng, nëna e birit të zhdukur është e bindur se nëse “ata”, qeveritarët, do ta kishin provuar në lëkurën e tyre e ta ndienin dhembjen e tyre, ndryshe do të kishin vepruar.

Nuk thonë kot se kush bie prej dardhës e din qysh dhemb…

Të afërmit e të zhdukurve në Kosovë kërkojnë përfshirjen e të pagjeturve në dialogun me Serbinë
Të afërmit e të zhdukurve në Kosovë kërkojnë përfshirjen e të pagjeturve në dialogun me Serbinë

Përtej zisë

Me gjithë luftën dhe jetën e përditshme në strofullën e tyre të shenjtë, zyra brenda objektit të godinës së lënë, ka tavanin e gjysmë të shkatërruar, dyshemenë e vjetruar e muret e zënë prej mykut.

Dy zonjat qeshin kur flasim për investimet apo ndihmën. Ato tregojnë se tavolinën dhe karriget e reja i kanë marrë ndihmë nga KFOR-i turk, ndërkaq për tavanin e hapur, që atë ditë me shi pikte pjesë-pjesë, thonë se presin kur po u bie ndonjë mi: “Edhe ne qeshim nganjëherë, përtej zisë…”

Lë dy zonjat, portretet që duket sikur t’i kanë ngulur sytë, korridoret e godinës së zymtë, tualetet që mbajnë erë… jashtë bie shi dhe bota ndryshe merr frymë.

Sipas raportit të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, IMCP-së (International Comission on Missing Persons), është vlerësuar se rreth 4,500 persona janë zhdukur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë 1998-1999.

Deri në vitin 2010, në varrezat klandestine, të vetme, shumëfishe apo masive në Kosovë janë gjetur mbi 2150 trupa, ndërkaq në varrezat masive në Serbi rreth 840 trupa.

Numri i personave të zhdukur sot mbetet rreth 1,780, ndërkohë që kërkimet në këto gjashtë vitet e fundit, në krahasim me dekadën e parë të pasluftës, janë zvogëluar dukshëm.

Për rreth 14,000 personat ndërkaq, që ende mungojnë nga luftërat e viteve 1990-të në ish-Jugosllavi, sipas raportit të Amnesty International, gjetja mbetet peng i mungesës së vullnetit politik të shteteve përkatëse për të adresuar të drejtat bazike njerëzore të viktimave, dhe sjelljen e autorëve të krimeve para drejtësisë.