Germime ne Mat/Prishtine
Policia jep detaje për gjetjen e eshtrave në lagjen Mati në Prishtinë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për disa eshtra që janë gjetur sot në lagjen Mati në Prishtinë, e që dyshohet se janë që nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bazë të analizës së informatave të pranuara, ka arritur që të sigurojë informacione për mbetje eshtrore të një trupi të njeriut.
Personi në fjalë figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/1999, njofton Policia.
“Pas identifikimit të lokacionit të dyshuar, në vendin e ngjarjes përveç njësive përkatëse policore, kanë dalur edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku pas gërmimit apo ekshumimit, janë hasur gjetje eshtrore me interes forenzik që besohet se janë të trupit të njeriut dhe dyshohet se i përkasin periudhës së luftës së fundit” – ka thënë PK.
Tutje është thënë se lidhur me rastin, tërheqjen e gjetjeve eshtrore e ka kryer Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe të njëjtat janë dërguar në IML për obduksion dhe identifikim.
Gjithashtu është njoftuar se pas veprimeve të ndërmarra rreth këtij rasti, për këtë lokacion është lëshuar urdhëresë nga Gjykata Themelore Departamenti Special në Prishtinë dhe ky vend mban Kodin TWE.
Gjatë ditës edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se gjatë gërmimeve në lagjen Mati në kryeqytet janë gjetur eshtra të një individi.
Në këtë lokacion janë realizuar gërmime edhe në muajin maj, ku po ashtu janë gjetur mbetje mortore të një viktime të luftës.
“Pas disa orë gërmimeve, bazuar në informatat plotësuese, në lokacionin në Mat janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore (eshtrat) të një individi, që mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur. Gërmimet e realizuara sot, janë vazhdimësi e gërmimeve të realizuara gjatë muajit maj në këtë lokacion që po ashtu kishin rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të një viktime të luftës” – thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së mërkurë po ashtu u bë e ditur se në Bishtazhin të Gjakovës u gjetën mbetje mortore që po ashtu dyshohet të jenë nga lufta e fundit.
“Krahas vazhdimit të gërmimeve në lokacionin në Bishtazhin edhe sot gjatë ditës, ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, janë rikthyer edhe në lokacionin e varrezave në lagjen Mat/Matiqan, Prishtinë” – thuhet tutje në njoftim.
Mbi 1,600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë nga lufta e fundit në Kosovë 1998/99.
Gjenden eshtra në lagjen Mati në Prishtinë, dyshohet të jenë nga lufta e fundit