Foto: ZKM.

Kurti viziton familjen Kumnova në Gjakovë, rithekson përkushtimin për fatin e të pagjeturve 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurtit ka vizituar sot familjen Kumnova në Gjakovë, në 24-vjetorin e zhdukjes me forcë të Albion Kumnovës dhe pesë burrave të tjerë nga Gjakova, ku është pritur nga Nesrete Kumnova, udhëheqëse e shoqatës “Thirrjet e nënave”. 

Zyra e Kryeministri ka bërë të ditur përmes një njoftimi, se gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për të zbardhur fatin e personave zhdukur me dhunë gjatë luftës. 

Në dhomën e mbushur plot me kujtime të të birit ende të zhdukur, Nesrete Kumnova kujtoi marsin e vitit 1999, kur një javë pasi NATO filloi sulmet ajrore kundër Serbisë, Albioni, në atë kohë 21 vjeç, u mor nga shtëpia e tij, së bashku me pesë të afërm të tjerë civilë.  

Në prill të vitit 2011, eshtrat e personave që u morën bashkë me Albionin u gjetën në Batajnicë pranë Beogradit, dhe u rivarrosën në Gjakovë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës dhe për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet e luftës në Kosovë” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti shoqërohej nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e  Zhdukur, Andin Hoti.