Ilustrim

Trupi i gjetur në varreza në Prizren, dyshohet të jetë groposur nga forcat serbe gjatë luftës

Pas gjetjes së trupit të pajetë në varrezat e lagjes “Arbana” në Prizren, për të cilin dyshohet se i njëjti figuron edhe në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kanë treguar më shumë lidhur me rastin.

Siç tregon Kushtrim Gara nga ky Komision, të martën pas mbarimit të gërmimeve në varrezat masive në Bishtazhin, kanë vazhduar gërmimet edhe në lokacion tjetër të shënjuar, në varrezat e lagjes “Arbana” në Prizren.

“Gërmimet e filluara paradite përfunduan me gjetjen dhe zhvarrosjen e një individi që pas ekzaminimeve të mëtejme mjekoligjore presim të konfirmohet fakti që këto eshtra i përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur”, ka thënë Gara për KALLXO.com.

Sipas Garës, KQPZH, tashmë ka konstatuar se në “Arbanë” të Prizrenit  forcat serbe groposën 11 viktima të luftës së fundit, por që më pas ekipet mjekoligjore ndërkombëtare kishin arritur të zhvarrosin 10 prej tyre.

Ndërsa, sipas tij për trupin i cili është gjetur të enjten në hapësirat e këtyre varrezave, nga ky komision dyshojnë se është i 11-ti trup i groposur nga serbët në atë kohë.

“Kanë qenë 11, 10 janë zhvarrosë nga KFOR-i dhe ekipet gjermane menjëherë pas luftës, që ka qenë procesi më i lehtë, edhe kemi mendu që personi i 11-të duhet me qenë në këtë lokacion. Tash AND-ja e përcakton por kjo është arsyeja pse ne jemi kthy në këtë lokacion”, ka thënë ai.

Siç thotë Gara, varri që u gjurmua ishte i paidentifikuar, dhe pa mbishkrim në epitaf.

Ai ka treguar se do të vazhdojnë edhe me gërmime të tjera të tilla në Prizren, por që për këtë rast presin vetëm të dhënat e AND-së për ta vërtetuar nëse trupi i gjetur është viktimë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë kanë treguar se mbetjet skeletore të cilat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, do t’u nënshtrohen ekzaminimeve dhe pas procesit të identifikimit do t’i dorëzohen familjes.

Sipas kësaj ministrie në procesin e këtij gërmimi përveç ekipeve mjeko-ligjore të IML-së, Policisë dhe KQPZH-së, ka marrë pjesë edhe EULEX-i.

Të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 1,600 persona, shumica prej tyre civilë shqiptarë, ndërsa janë vrarë rreth 13 mijë persona.