Kosova dhe Serbia duhet ta mbajnë premtimin e tyre për personat e zhdukur
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të veprojnë urgjentisht pas arritjes së marrëveshjes së tyre verbale fundjavën e kaluar në mënyrë që t’a adresojnë çështjen e gjetjes së personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998-99, ndërkohë që të afërmit e tyre të moshuar janë ende gjallë.
Si pjesë e marrëveshjes së tyre verbale për normalizimin e marrëdhënieve në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut fundjavën e kaluar, liderët e Kosovës dhe Serbisë janë dakorduar që ta miratojnë një deklaratë mbi personat e zhdukur, që synon të ndihmojë në gjetjen e trupave të 1,600 personave të zhdukur në vitet 1998-99, si një çështje urgjente.
Është koha e fundit që lidershipet e të dyja vendeve t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre politike dhe të bashkëpunojnë në këtë çështje humanitare, pavarësisht nga performanca e tyre në pjesët e tjera të marrëveshjes – para se të bëhet shumë vonë.
Gjetja e personave të zhdukur ishte renditur si prioritet në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja vite më parë, mirëo ky proces ka hasur në pengesa kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Vendimi për ta shpallur edhe një herë këtë çështje kaq urgjente nuk duhet të jetë një premtim bosh, por përkundrazi duhet të ofrojë një mundës për të ecur përpara drejt zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur dhe dhënies së përgjigjeve të familjeve të tyre për atë që ka ndodhur me anëtarët e tyre të familjes gjatë periudhës së luftës.
Me kalimin e kohës nga lufta, shpresa për zgjidhjen e rasteve të tilla është zbehur për shumë familje. SHumë punë mund të ishte bërë sa i përket bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të arritur progres në këtë çështje.
Megjithatë, ende ka kohë. Siç kanë theksuar ekspertët e mjekësisë ligjore, është e pamundur të zgjidhen të gjitha rastet e mbetura për shkak të natyrës së zhdukjeve gjatë luftës. Megjithatë, ka besim të madh se numri aktual mund të ulet ndjeshëm, siç ka treguar edhe hulumtimi im për personat e zhdukur nga konflikti i Kosovës.
Një pjesë esenciale e uljes së këtij numri është që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen punës së tyre në grupin punues dypalësh Prishtinë-Beograd për personat e pagjetur, takime këto të cilat janë bllokuar që nga qershori i vitit 2021. Bashkëpunim i besueshëm në grupin punues dhe transparenca në informacione lidhur me potencialin varrezat masive, është tejet me rëndësi për të shënaur progres në këtë drejtim.
E drejta e familjeve për t’u informuar
Ndërkohë që të dy vendet kanë vazhduar të punojnë veçmas për gjetjen e personave të zhdukur në vitet e fundit, vetëm me bashkëpunim ambicioz dypalësh mund të zgjidhen shumë nga rastet.
Një sfidë e madhe për këtë bashkëpunim është se çështja e personave të zhdukur është keqpërdorur gjithnjë e më shumë nga politikanët, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, për ta fajësuar palën tjetër për veprimet e saj gjatë luftës dhe për hetime të dobëta gjyqësore të këtyre krimeve.
Një gjë e tillë jo vetëm që e ka përjetësuar mosbesimin ndërmjet grupeve etnike në Kosovë, por po ashtu e ka penguar bashkëpunimin dypalësh në gjetjen e personave të zhdukur, siç kam shkruar më parë. Hulumtimi im, i bazuar në intervistat gjithëpërfshirëse të kryera në Kosovë në vitin 2022, tregon se iniciativat e shoqërisë civile kanë punuar në mënyrë aktive për ta stopuar këtë zhvillim negativ në vitet e fundit, mirëpo kanë hasur në vështirësi për ta bërë një gjë të tillë për sa kohë vullneti politik për të ndryshuar retorikën zyrtare mungon.
Megjithatë, lidershipet në Beograd dhe Prishtinë duhet të kuptojnë se është në interesin e të dy palëve që të bashkëpunojnë për këtë çështje, jo për të fituar pikë politike apo për t’i përforcuar narrativat e luftës, por për t’u dhënë përgjigje qytetarëve të tyre – familjeve të personave të zhdukur.
Shumë nga të afërmit janë të moshuar dhe mund të vdesin pa e ditur se çfarë ka ndodhur me prindërit, partnerët, vëllezërit e motrat apo fëmijët e tyre gjatë luftës. Nuk ka kohë për të humbur. Është koha që kjo çështje të shpallet urgjente dhe delegacionet të kthehen në grupin e punës për të zgjidhur ato raste që mund të zgjidhen.
Është gjithashtu e një rëndësie të madhe që delegacionet të angazhohen që çështjes së personave të zhdukur t’i qasen si çështje humanitare, ku përkatësia etnike e të zhdukurit nuk ka rëndësi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për familjet e personave të zhdukur që nuk janë shqiptarë apo serbë, por që i përkasin një prej pakicave të shumta etnike të Kosovës, siç kanë theksuar në mënyrë të përsëritur ekspertët e fushës të cilët janë intervistuar për hulumtimin tim.
Të zhdukurit nga konflikti përfshijnë njerëz nga të gjitha grupet etnike, duke përfshirë (por duke mos u kufizuar në) romë, turq, ashkali dhe boshnjakë. Komisioni Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është angazhuar prej kohësh që të mos i kategorizojë personat e zhdukur sipas përkatësisë etnike në databazën tij statistikore. Kjo duhet të jetë shembull për delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në përpjekjet e tyre të ripërtëritura të kërkimit dhe hetimit.
Në fund, trajtimi i çështjes së personave të zhdukur si çështje urgjente duhet të bëhet pavarësisht nga progresi në aspekte të tjera të marrëveshjes. Ndërkohë që pikat e tjera të marrëveshjes së mbështetur nga BE-ja janë sigurisht të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe rrugët individuale të këtyre dy vendeve drejt anëtarësimit në BE, çështjet rreth njohjes ose vetëqeverisjes së komunave serbe në veri të Kosovës nuk duhet ta bllokojnë ecurinë e hetimit të rasteve të mbetura mbi personat e zhdukur.
Çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet si çështje humanitare. Fokusi duhet të jetë dhënia e përgjigjeve për familjet që janë ende në pritje dëshpëruesepër t’u informuar, pothuajse 25 vjet pas konfliktit të armatosur. “E drejta për t’u informuar” familjeve u garantohet nga ligji ndërkombëtar humanitar dhe i të drejtave të njeriut, dhe nuk duhet të ketë asnjë kompromis lidhur me këtë.
Çështja duhet trajtuar si urgjente, jo për qëllime politike, por për shkak se familjarët e personave të zhdukur po ikin nga kjo botë pa marrë ndonjë përgjigje për atë që ka ndodhur me të dashurit e tyre.
Nina Kaufmann mban një master në Studimet e Konflikteve dhe të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Utrechtit në Holandë. Teza e saj e Masterit ka të bëjë me personat e pagjetur nga konflikti i Kosovës.
Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight