Kujtimet e dhimbjes dhe bujarisë në rrugën e refugjatëve kosovarë për Mal të Zi

Njëzet e katër vjet më vonë, refugjatët nga Kosova dhe ata që i pritën kujtojnë dhimbjen e largimit nga shtëpia. Disa nuk u kthyen më.

Në fillim të prillit të vitit 1999, pati një trokitje në derën e shtëpisë së Gojko Bogoviçit në qytetin bregdetar malazez, Ulqin.

Jashtë qëndronin një burrë, një grua dhe tre fëmijë, frika ishte shkruar në gjithë fytyrat e tyre. Ata e pyetën nëse ishte “shtëpia e Gojkos” dhe, kur Bogoviç u tha se ishte ai, ata i thanë se adresën ia kishte dhënë djali i tij, Dejani.

Dejani, atëherë 20 vjeçar, ishte afër përfundimit të shërbimit të tij ushtarak në Kosovë, në atë kohë provincë jugore e Serbisë, kur NATO nisi sulmet ajrore për të ndalur luftë brutale serbe. Në atë kohë, Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesa e mbetur e Jugosllavisë, pasi ishin shkëputur katër republikat e tjera – Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia.

Bogoviç, që ishte i tmerruar për djalin e tij ushtar, e ftoi familjen të hynte brenda. “Ata dukeshin tmerrësisht të traumatizuar,” kujton ai. “Ne nuk dinim asgjë për historinë e tyre përveç se ishin nga rajoni i Prizrenit,” në jug të Kosovës.

Familja, shqiptare e Kosovës, i tha Bogoviçit se Dejani, gjatë patrullimit, kishte takuar fqinjën e tyre, një grua të moshuar serbe, e cila i kishte treguar atij se si fëmijës më të madh të tyre i ishte prerë koka nga paramilitarët serbë. Dejani i kishte dhënë gruas serbe adresën e prindërve të tij në Ulqin dhe i kishte thënë që t’i tregonte familjes shqiptare se do të ishin të mirëpritur atje, nëse mund të largoheshin nga Kosova dhe të shkonin atje.

“Disa ditë më vonë familja kishte mundur të bënte  këtë,” tregon Bogoviç, tani 70 vjeçar. “Pashë pikëllimin e tyre të heshtur. Ata nuk kishin mundur ta varrosnin vetë djalin e tyre. Mendoj se nuk ka asgjë më të keqe se një nënë refugjate që ka lënë pas djalin e saj të vrarë”.

Menjëherë pas kësaj, Bogoviç pranoi dy familje të tjera, pjesë e një vale të madhe refugjatësh shqiptarë të dëbuar nga Kosova në një fushatë të qëllimshme të spastrimit etnik. Disa përfunduan në Ulqin, qytetin afër kufirit me Shqipërinë ku shumica e popullsisë është shqiptare.

Disa nga refugjatët përfunduan duke u nisur drejt perëndimit në vende të ndryshme të Evropës, ndërsa të tjerët u kthyen pasi mbaroi lufta dhe trupat e NATO-s pas u vendosën në Kosovë tërheqjes së forcave serbe. Pastaj erdhën të tjerët, kësaj radhe serbë, romët dhe pakicat tjera nga Kosova. Shumë prej tyre nuk u kthyen më.

Historitë e Bogoviçit dhe ato të fqinjit të tij shqiptar, Naser Selmanoviç, flasin për dhimbjen e të ikurve nga shtëpia dhe vlerën e bujarisë.

‘Ishte si ferr’

Naser Selmanoviç, i cili strehoi me dhjetra njerzs nga Kosova. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Një natë, Bogoviç dëgjoi rënkime dhimbjeje nga një prej dhomave ku flinin refugjatët. Ai trokiti dhe njëra nga gratë i tha se burri i saj ishte plagosur kur forcat serbe hynë në fshatin e tyre.

“Ai kishte udhëtuar për tre ditë para se të mbërrinte këtu, por nuk kishte guxuar të tregonte për këtë sepse kishte frikë se do të arrestohej,” thotë Bogoviç.  Burri kishte frikë të shkonte te mjeku nga frika e raportimit në polici.

Të nesërmen në mëngjes, Bogoviç udhëtoi për në Tivar, qytetin më të afërt, dhe shkoi të fliste me një mjek që  e njihte.

“I thashë mjekut se kam një shok të plagosur dhe e pyeta nëse mund ta trajtonte pa e njoftuar policinë. Ai tha “po” dhe u ktheva në shtëpi. Mora një taksi dhe e dërgova në spital ku qëndroi për 10 ditë.”

Në një rast tjetër, një nga gratë refugjate në shtëpinë e Bogoviçit lindi një fëmijë dhe Bogoviç tha se familja as që e dinte se ajo ishte shtatzënë. Ata thirrën një fqinje infermiere, për të ndihmuar gruan që kishte lindur.

Duart i dridheshin duart dhe sytë iu mbushën sytë me lot teksa Bogovic fliste për familjet e shpërngulura nga Kosova, një kohë kur familja e tij po priste që djali i tyre të kthehej nga ushtria jugosllave.

“Ishte një situatë e rëndë, veçanërisht për një familje, djali i së cilës ishte në luftë,” thotë ai për BIRN.

Dejani ishte kthyer në shtëpi në prill, por Bogoviç thotë se “makthi” i tyre nuk mbaroi. Dejani u thirr sërish për të shërbyer në ushtri në Kosovë, së bashku me vëllain e tij. Por Bogoviç tha se, pas gjithë “mizorive dhe vuajtjeve”, as Dejani dhe as familja e tij nuk donin që ai të kthehej në ushtri dhe ata vendosën ta fshihnin.

Pas kësaj, Bogoviçi po strehonte jo vetëm shqiptarët që kishin ikur nga Kosova, por edhe djalin e tij, i cili kishte shërbyer në një ushtri përgjegjëse për vrasje dhe spastrim etnik. Policia ushtarake po vinte shpesh në kërkim të Dejanit, por familja e mbajti larg atë.

“Ne po e shihnim luftën në Kosovë, pa e ditur se sa do të zgjaste,” thotë Bogoviç.

Njëzet e katër vjet më vonë, Bogoviç nuk i mban mend mire të gjithë emrat e njerëzve që familja e tij i priti, as ku ata përfunduan.

“Ishte si ferr,” thotë ai. “Ne donim të harronim shumë gjëra nga ajo kohë.” Por si dhimbja, ashtu edhe mirënjohja e shprehur nga ata që ndihmoi gjatë  asaj kohe, kanë mbetur, thotë ai.

Selmanoviç, fqinji shqiptar i Bogoviçit, kujton gjithashtu sirenat e alarmit të sulmeve ajrore gjatë 11 javëve të bombardimeve të NATO-s, të cilat goditën gjithashtu Malin e Zi, pavarësisht se qeveria në Podgoricë ishte distancuar nga lufta e zhvilluar nga regjimi i atëhershëm i Sllobodan Millosheviçit.

Një natë, në fund të marsit, ai po kthehej në shtëpi kur pa një familje me tre fëmijë të vegjël të strukur nën një pemë skaj rrugës.

“Ata do ta kalonin natën përjashta,” tha ai. “Iu afrova dhe i pyeta se çka po bënin. Burri më tha se kishin ikur nga shtëpia dhe nuk kishin ku të shkonin. U thashë të vinin në shtëpinë time. Më shikoi me dyshim dhe tha, “Veç për sonte’”.

Shpejt, shtëpia e tij u bë strehë për shumë të larguar nga Kosova.

“Në fillim ne u dhamë atyre ushqim dhe gjithçka,” tha ai, por më e vështira ishte të merresh me të plagosurit dhe përpjekja për të gjetur fatin e atyre që kishin mbetur mbrapa.

“E ndjemë dhimbjen e tyre,” tha Selmanoviç për BIRN. “Ishte e vështirë t’i shohësh ata kur e kuptonin se bijtë ose vëllezërit e tyre ishin vrarë dhe ata nuk ishin atje për t’i varrosur”.

‘Udhëtim i gjatë dhe i dhimbshëm’

Hatem Shutaj, një refugjate rome nga Kosova, me djalin e saj, Vedatin. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Lufta përfundoi në qershor 1999 kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë dhe forcat serbe u tërhoqën. Kosova hyri nën administrim të OKB-së por frika për sulme hakmarrëse bëri që mijëra serbë, malazezë dhe romë dhe largoheshin.

Hatem Shutaj, një grua rome, ishte njëra nga to.

Shutaj ishte katër muajsh shtatzënë kur, në fund të qershorit 1999, shtëpisë së saj në Gjakovë iu vu flaka. Ajo u largua bashkë me familjen e saj dhe një numër të familjeve tjera rome në një pjesë tjetër të qytetit.

Në atë kohë, Shutaj kishte edhe djalin pesë vjeçar që kishte një infeksion në këmbë. Organizatat e para humanitare tashmë ishin vendosur në Gjakovë dhe burri i Shutajt, Fadil Behluli, e kishte dërguar djalin, Cedatin, për trajtim.

Herën e tretë, megjithatë, vetëm djali u kthye, në shoqëri të një mjekeje amerikane. Mjekja i tha asaj se “njerëz të uniformuar” ia kishin kidnapuar burrin.

“Ishte shokuese,” tha Shutaj për BIRN në banesën ku ajo jeton në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë. “Ne sapo e kishim kaluar luftën”.

Vedati, tani 28 vjeç, e kujton se si tre persona ia morën babin. “Mjekët më morën për dore dhe provuan të më qetësojnë dhe më vonë më çuan në shtëpi,” tha ai. Vedati tani është dy vjet më i vjetër se sa ishte babai në momentin kur u zhduk. Ai nuk është gjetur kurrë më.

E frikësuar dhe pa ndonjë vend për të shkuar, Shutaj vendosi që të ikin për në Mal të Zi.

“Kisha tre fëmijë dhe isha shtatzënë, pa asnjë mbështetje,” tha ajo. “Kështu që erdha në Podgoricë. Ishte udhëtim i rëndë dhe i dhimbshëm”.

Pas tri viteve, Vedati ishte dërguar në Shtetet e Bashkuara nga një organizatë humanitare për të marrë trajtim për një sëmundje të shpinës. Shutaj dhe fëmijët e saj u mbyllën mes kampeve të refugjatëve. Tash 49 vjeçe, ajo tha se dëshironte të kthehej në Kosovë por nuk kishte ku.

“Kështu që qëndrova këtu,” tha ajo, “mbi të gjitha për hir të djalit dhe mjekimit të tij”.

Përmes ndihmës për kthim vullnetar dhe riintegrim, agjencitë ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë ndihmuar më shumë se 200 mijë persona, shumica pjesëtarë të pakicave që janë larguar pas luftës, që të kthehen. Shumë nga ta janë ndihmuar me ndërtim të shtëpive të reja.

Shutaj nuk ishte një nga to. Ajo nuk ka as qasje në skemën pensionale shtetërore për familjet e personave të zhdukur.

“Gjithçka që kam shpresuar ka qenë t’i gjej mbetjet e burrit,” tha Shutaj. “Një shtëpi për fëmijët është veç një ëndërr”.