Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut/ Foto: Atdhe Mulla

Kaçanikut i Raftë Pika, N’verë Bjen Bora Pika-Pika

Këndohet në këngë për heroizma dhe portretizohet si vendlindja e terroristit të parë të Kosovës Lavdrim Muhaxheri. Por jo fort larg prej xhamisë ku shihen tek hyjnë për t’u falë djem të rinj, të veshur sipas modës së fundit, urën e kalon një vajzë me pirsing në hundë dhe në vetull. E veshur siç të frustruarit do ta quanin “provokative”, ajo e papenguar nga rrethina merrte në dorë smartfonin dhe kryente çka kishte për të kryer.

Paragjykimet po binin një nga një dhe ishte koha të rimendohej toleranca për mediet joprofesionale që në emër të lirisë së fjalës e shkatërrojnë imazhin e një qyteti të tërë. Një zonjë e mërzitur nga këto paragjykime tha “Na vetëm në portale po i lexojmë këto lajme për terrorizmin”. Pastaj rrëfente se si bëhej jetë normale atje duke përshkruar të rinjtë e të rejat që kalonin kohë pas kohe nëpër shesh.

Kaçaniku ka njëfarë pamje simpatike i vënë si në grykë të maleve. Nëpër të gjarpëron lumi Nerodime. Shtrati i lumit dukej i rregulluar, ndërkohë që një tabelë tregonte emrin e tij. Ajo që binte në sy ishte se tabela kishte shënime në gjuhët zyrtare: shqip dhe serbisht dhe vetëm një fjalë në serbisht ishte fshirë me sprej të zi. Fjala “reka” (shqip: lumi) ishte fshirë nga tabela. Ishte e çuditshme se edhe disa fjalë të tjera në serbisht që përshkruanin gjykatën dhe objekte të tjera me rëndësi nuk ishin fshirë.

Përse ishte vendosur që një fjalë të fshihet, e të tjerat jo? Pas disa diskutimesh mora vesh një gjë me rëndësi. Kjo ndërhyrje e qytetarëve nuk kishte ndonjëfarë prapavije të urrejtjes etnike. Qytetarët e Kaçanikut shenjojnë përrockën me fjalën “rekë” dhe për ta vënia e fjalës “reka” në tabelën që përshkruan lumin ishte gabim. Kështu, ata kishin vendosur ta “përmirësonin” gabimin e kujtdo që e kishte vënë atë tabelë dhe kishin fshirë fjalën “reka”, sepse ajo në njëfarë forme minimizonte lumin Nerodime. Ky rast mund të shërbejë për ta përshkruar po ashtu paragjykimin. Sa më shumë që futesha në thellësi të Kaçanikut aq më tepër paragjykimet shembeshin, e pikëpamja për veten si njeri mendjehapur lëkundej.

 

"Reka" e fshirë në Kaçanik
“Reka” e fshirë në Kaçanik

Salla e asamblesë komunale ishte e improvizuar. Në ballë qëndronte një poster i madh i një autostrade të rrethuar me flamuj nga të dy anët. Nuk e di se si, por në kokat e njerëzve këto lloj arritjesh siç mund të jenë ndërtimet e rrugëve përbëjnë material për ta ushqyer krenarinë. Ndërkohë, varfëria gëlon në pothuaj të gjithë territorin e Republikës.

Sapo zunë vendet, përfshirë dhe kryesuesen e përkohshme Jeta Xharra në ballë të posterit me autostradë, debati filloi.

Kryetari Besim Ilazi po shihte veten para- dy vjetësh tek jepte premtimet. Kishte premtuar e ishte munduar të bënte, fjala vjen “zonë industriale”. Kjo ishte tash për tash një lloj livadhi i ndarë anës rrugës, por që në fakt një investues i huaj kishte refuzuar ta pranonte dhe kishte kërkuar ta blinte tokën vetë.

Pastaj ishin subvencionuar fidanë mjedrash që kishin rezultuar të infektuara me një lloj sëmundjeje, e cila do t’i ketë shkatërruar pas pak kohësh.

Një akuzë që vinte nga opozita ishte se në fakt komuna udhëhiqej nga nënkryetari i cili nuk ishte në sallë. Thuhej se vëllai i kryetarit paska marrë tender të komunës, në anën tjetër auditori i përgjithshëm kishte gjetur shkelje në prokurim.

Një tjetër opozitar thoshte se nga 62 tenderë, 42 sosh i kanë pasur vetëm nga tre tenderues, gjë që përbënë kushtin bazë që procesi të jetë i ligjshëm. Kjo ngre dyshime për mundësinë që tenderuesit të jenë të akorduar dhe se në fakt fituesi i tenderit dihej para konkurrimit.

Një sërë akuzash pastaj erdhën për nepotizëm me ç’rast u përmendën axha i kryetarit, pastaj vajza e axhës, ndërkohë hoxha këndonte në orar të pazakontë, me siguri fjala ishte për ndonjë varrim.

Akuzave për nepotizëm kryetari iu përgjigj çuditshëm. Ai tha se kur kishin pasur koalicion me LDK-në që sot e akuzonte, i kishin punësuar edhe njerëzit e tyre. Këtë e tha i papenguar nga ndonjë dyshim nëse duhet thënë ose jo, para të gjithëve, në fytyrë të të gjithë neve. Është e habitshme sa shumë herë ka pasur të tilla shpallje nëpër komuna dhe më e çuditshme është të shohësh se si nuk reagon askush, ndërkohë që kjo përbën një skandal të madh.

Raif Kasa nga VV e akuzonte kryetarin për nepotizëm duke thënë se për t’u punësuar në Kaçanik duhej të jesh pjesë e PDK-së. Por kryetari Ilazi kundërshtoi duke e marrë shembull vetë rastin e akuzuesit i cili për 12 vjet kishte qenë drejtor shkolle.

Pastaj kryetari u mundua të sqaronte se si këto akuza që përhapeshin për nepotizëm kishin të bënin me faktin se Kaçaniku është i vogël, e si rrjedhim çfarëdo i punësuari kishte mundësi të dilte kushëri, apo i afërt me ndonjë aty në sallë. Por kishte harruar se pak më herët ai vetë e kishte pranuar se kur ishin në koalicion me LDK-në i kishin marrë edhe njerëzit e tyre në punë.

E për ata që nuk e kanë ditur, në Kaçanik gjatë verës “bie” borë. Artan Shehu nga LDK-ja paraqiti një raport financiar sipas të cilit komuna gjatë muajve maj deri në qershor të 2015-ës kishte paguar 27 mijë euro për largimin e borës. Këtu të kujtohej kënga për Kaçanikun që shkonte “Kaçanikut i raftë pika, që s’e ditke çka asht frika, 9 sahat tu u therrë me thika”, por mua më vinte si “Kaçanikut i raftë pika, n’verë bjen bora pika-pika”.

Paragjykimet ranë. Tani u ndërtua pamja e vërtetë e Kaçanikut. Islami e terrorizmi s’janë problemi i Kaçanikut, problemi i vërtetë i tij është papunësia, varfëria, mbase edhe keqmenaxhimi i parave me të cilat në qershor fshihet bora e parënë.