Ilustrim

Zvarritja e tenderit, Kaçaniku humb projektin në vlerë rreth 291 mijë euro

Komuna e Kaçanikut e ka humbur grantin në vlerë 236 mijë euro të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për shkak të shkeljeve në tender, ankesave në OSHP dhe zvarritjeve të këtij institucioni për shqyrtim të këtyre ankesave brenda afateve ligjore. Tenderi i shpallur më 27 qershor 2022, është anuluar përfundimisht një vit më vonë (qershor 2023) dhe për pasojë më nuk do të mund rregullohet dhe asfaltohet rruga që lidh vendbanimet e kësaj komune: Gërlicë – Kaçanik i vjetër – Stagovë – Runjevë.

Për këtë tender ka pasur dy ankesa në OSHP. E para ishte bërë në muajin gusht të vitit 2022, ndërsa tjetra në nëntor të vitit 2022. Ankesa e parë ishte dorëzuar në OSHP më 26 gusht 2022, ndërsa Gjykata e tenderëve kishte marrë vendim vetëm më datë 21 tetor 2022 apo 56 ditë nga pranimi i ankesës. Në bazë të Ligjit të Prokurimit, OSHP-ja duhet të vendos për një ankesë brenda 34 ditëve, që i bie që në rastin konkret ka pasur një vonesë prej 18 ditëve.

“Sa i përket kohës prej 56 ditëve të vendimmarrjes, OSHP ju njofton se kohëve të fundit jemi përballur me disa mungesa në stafin profesional sepse 7 pjesëtarë të stafit të OSHP-së kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, dhe ne tani po përballemi me fluks të madh të ankesave. Lidhur me këtë problematikë e kemi njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mënyrë që të rritet numri i stafit profesional, konkretisht zyra ligjore” – thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Në përgjigjen e tyre është thënë po ashtu se ata e kanë lëshuar vendimin e parë më 21 tetor 2022 dhe se Komuna e Kaçanikut ka mundur të vazhdojë me procedura për shkak se kanë pasur kohë.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ju informon se kundër autoritetit kontraktues – Komunës së Kaçanikut, për aktivitetin e prokurimit në fjalë, ka pranuar ankesën me nr.396/22 (vendimi i parë), vendim i cili është lëshuar me datën: 21.10.2022, dhe se autoriteti kontraktues ka mundur të vazhdojë me procedura sepse ka pasur kohën e mjaftueshme deri në fund të vitit” – thuhet në tej në përgjigjen e OSHP-së.

Për tenderin e njëjtë, OSHP-ja e ka pranuar një ankesë më 28 nëntor 2022, por e njëjta ishte shqyrtuar brenda afatit ligjor. Vendimi u publikua më 30 dhjetor 2022, apo 32 ditë pas pranimit të ankesës. Por, meqë Komuna e Kaçanikut nuk ka arritur të nënshkruante kontratën brenda vitit 2022, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia ka tërheq grantin në vlerë prej 236 mijë eurove duke ia ka pamundësuar Komunës së Kaçanikut që të nënshkruajë kontratën për shtrim të kësaj rruge.

Më 1 shkurt 2023, Komuna e Kaçanikut ka bërë njoftimin për anulimin e tenderit për realizimin e projektit mbi 250 mijë euro.

“Bazuar në Marrëveshjen për bashkëfinancim të datës 30.05.2022 të projektit “Rregullimi dhe asfaltimi i rrugës që lidhë vendbanimet Gërlicë – Kaçanik i Vjetër – Stagovë – Runjevë”, donatorët nuk e financojnë projektin për vitin 2023. Me buxhetin e aprovuar për vitin 2023 nuk ka mjete të parapara në këtë projekt” – thuhet në njoftim.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka theksuar se Komuna e Kaçanikut ka qenë në dijeni se ky projekt duhet të përfundojë sipas afateve.

“Bazuar në marrëveshjen e mirëkuptimit (të datës 30.05.2022) për financim, procedurat e prokurimit që i ka zhvilluar komuna, ka pasur vonesa në nënshkrimin e kontratës deri në fund të viti 2022, kështu që neni 8 pika 1 dhe 2, thuhet që komuna duhet të përfundojë projektin brenda vitin fiskal 2022 dhe nëse ky projekt nuk përfundon brenda vitit 2022 atëherë të gjitha detyrimet i bartë komuna” –  thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Vonesës në nënshkrim të kontratës i ka kontribuar edhe një vendim i Komunës së Kaçanikut, e cila e ka rekomanduar për kontratë një kompani, e cila sipas OSHP-së ka qenë e papërgjegjshme dhe është dashur të eliminohej nga gara. Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur shkelje ligjore në vendimin e lëshuar në tetor të vitit 2022, duke e anuluar vendimin e Komunës së Kaçanikut për dhënie të kontratës të datës 22 korrik 2023.

Komuna e Kaçanikut më 30 maj 2022 kishte siguruar Grantin e Përformancës Komunale në vlerë rreth 236 mijë euro nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kësaj shume, komuna ia kishte shtuar edhe mbi 55,245 mijë euro, me qëllim të rregullimit dhe asfaltimit të rrugës që lidhë vendbanimet Gërlicë – Kaçanik i vjetër – Stagovë – Runjevë, konkretisht segmenti Stagovë – Runjevë. Në total, ky projekt ishte paraparë të kushtojë rreth 291,302 mijë euro.

Ankesa e parë

Komuna e Kaçanikut e kishte hapur tenderin për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës që lidh vendbanimet e kësaj komune: Gërlicë – Kaçanik i vjetër – Stagovë – Runjevë më 27 qershor 2022. Për më pak se një muaj, më 22 korrik 2022, Komuna e Kaçanikut e kishte publikuar njoftimin se fitues i tenderit është kompania “Eurotrans shpk”, një vendim të ngjashëm e kanë publikuar edhe më 3 gusht 2022. Komuna e Kaçanikut ka thënë se vendimi i parë është njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues ndërsa vendimi i dytë është prapë njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues por që është marrë pas rivlerësimit.

“Në vendimin e Autoritetit Kontraktues me dt. 22.07.2023 është Formulari B58-Njoftim mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues ndërsa me dt. 03.08.2023 është B58-Njoftim mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues – Rivlerësim” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Kaçanikut.

Përveç kompanisë “Eurotrans”, në këtë tender kanë ofertuar edhe operatorë ekonomikë të tjerë: Grupi i Operatorëve “Lunari Company SHPK” & “Lunari SHPK” & “Bashkim Meti SHPK” me 249,515 euro;  Bageri ka ofertuar me 273 mijë euro dhe “Sallahu SHPK” me 389,537 euro.

Kundrejt vendimit të Komunës së Kaçanikut, më 26 gusht 2022 ishte ankuar “N.SH. Bageri” në OSHP, me pretendimin se kompania e rekomanduar për kontratë “Eurotrans” është e papërgjegjshme. E njëjta kishte dalë me vendim në favor të kompanisë ankuese më 21 tetor 2022. Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka anuluar njoftimin për kontratë të Komunës së Kaçanikut dhe ka kërkuar që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

Ata kanë konstatuar se kompania e rekomanduar për kontratë, “Eurotrans”, për këtë aktivitet të prokurimit është e papërgjegjshme dhe përmes këtij vendimi është eliminuar nga pjesëmarrja në të. Kjo pasi është vlerësuar se kompania “Eurotrans” nuk i ka përmbushur kriteret teknike dhe profesionale të përcaktuara me dosjen e tenderit.

“PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë “Eurotrans shpk”, për këtë aktivitet të prokurimit është i papërgjegjshëm dhe përmes këtij vendimi eliminohet nga pjesëmarrja në të” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues e ka klasifikuar si të bazuar pretendimin e “N.SH Bageri” se kompania “Eurotrans” e rekomanduar për kontratë si dëshmi ka ofruar një vendim mbi caktimin e menaxherit të projektit, me të cilin i referohet një projekti tjetër e jo aktivitetit përkatës.

“Andaj me qenë se kjo dëshmi kërkohet në DT tek kapaciteti teknik dhe profesional në DT, që si të tilla janë kritere kualifikuese, PSH konstaton se OE i rekomanduar në këtë rast nuk i ka përmbushur ato” – vazhdon vendimi i OSHP-së.

Në vendim thuhet se “Eurotrans” gjatë rivlerësimit ka ofruar vendimin e përmirësuar, për të cilin Paneli Shqyrtues konstaton se nuk është i pranueshëm për faktin se përmbajtja e e tij nuk i plotëson kushtet e nenit 72 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“I cili specifikon se “Sigurimi i informacionit që mungon ose ofrimi i informacionit do të aplikohet vetëm për dokumentet ekzistenca e të cilave është e fiksuar, para skadimit të afatit për dorëzimin e tenderëve, dhe mund të verifikohet në mënyrë objektive” – theksohet në vendim.

Vendimi i Panelit Shqyrtues ishte i ndryshëm nga vlerësimi i ekspertit shqyrtues. Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se pretendimi i “N.SH Bageri”  është i paqëndrueshëm, i pabazuar, pasi Komuna e Kaçanikut e ka shpjeguar se ky vendim ka të bëj me projekt tjetër dhe është bërë ngarkimi gabimisht përmes platformës elektronike e-prokurimi.

“Duke qenë i punësuar në AK të rekomanduar për kontratë, kërkesa e dosjes së tenderit: vendimi mbi caktimin e menaxherit të projektit, është përmbushur” – thuhet në vendim.

Ankesa e dytë

Pas vendimit të OSHP-së për anulim të njoftimit për kontratë dhe rivlerësim të ofertave, më 3 nëntor 2022, Komuna e Kaçanikut e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “N.SH. Bageri” me ofertën në vlerë 273,667 euro.

Pas vendimit të Komunës së Kaçanikut, më 28 nëntor 2022 është ankuar operatori ekonomik “Lunari Company” në OSHP. Të njëjtit pretendojnë se janë anuluar padrejtësisht nga tenderi. Ankesa e tyre është hedhur si e palejuar më 30 dhjetor të vitit 2022 nga paneli shqyrtues i OSHP-së, të cilët kanë vërtetuar vendimin e Komunës së Kaçanikut për dhënie të tenderit kompanisë “N.SH.Bageri”.

“Paneli konsideron se ankesa në rastin konkret nuk i plotëson elementet qenësore dhe qëllimin e saj kurse parashtruesi i saj nuk mund të konsiderohet palë e interesuar” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Por edhe përkundër kësaj, kompania “N.SH. Bageri” nuk arriti të realizojë projektin për shkak se kontrata nuk është nënshkruar brenda vitit fiskal 2022, siç është përcaktuar në marrëveshjen e mirëkuptimit midis Komunës së Kaçanikut dhe MAPL-së.

“Me buxhetin e aprovuar për vitin 2023 nuk ka mjete të parapara në këtë projekt respektivisht është kodi buxhetor në shumë prej 5.000.00 nga HVK” – thuhet në arsyetimin e Komunës së Kaçanikut për anulimit të këtij tenderi të publikuar me 2 shkurt 2023.

Pas këtij anulimi, kompania që ishte rekomanduar për këtë kontratë, “N.SH. Bageri”, është ankuar në OSHP më 24 shkurt 2023.

Por, sërish OSHP-ja është vonuar në marrjen e vendimit për këtë ankesë. Gjykata e tenderëve e ka nxjerrë vendimin mbi ankesën e kompanisë plot katër muaj pasi kjo e fundit e ka deponuar ankesën, duke tejkaluar afatet e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik. Për vonesën në trajtim të kësaj ankese nga OSHP kanë thënë se kanë volum të madh të lëndëve për të cilat janë duke punuar për t’i pajisur me vendime të gjitha ankesat.

“OSHP, aktualisht posedon një volum të madh të lëndëve të cilat janë në pritje të vendimmarrjes si dhe Paneli Shqyrtues është duke punuar me intensitet maksimal për t’i pajisur me vendime të gjitha ankesat të cilat janë duke u trajtuar në OSHP” – thuhet në arsyetimin e Gjykatës së tenderëve për vonesat në marrjen e vendimit.

Kompania “N.SH. Bageri” është ankuar se anulimi i tenderit nga autoriteti kontraktues nuk ka bazë, pasi që në njoftimin për kontratë por as në dosje të tenderit nuk është përmendur fakti se ky projekt do të realizohet përmes Grantit të Performancës.

“Në deklaratën e disponueshmërisë së mjeteve nuk është cekur se ky projekt është donacion dhe se duhet të kryhen procedurat e prokurimit dhe duhet të realizohet kontrata brenda vitit 2022, pra është e pamundur që kjo procedurë prej fillimit deri në fund të kryhet brenda vitit pasi që autoriteti kontraktues e ka prolonguar dhe zvarritur procesin ku në gjysmën e dytë të vitit ka qenë hapja dhe ka qenë e pamundur të kryhen të gjitha procedurat” – thuhet ndër të tjera në ankesën e dorëzuar në OSHP nga “N.SH. Bageri”.

Kompania e cila ishte rekomanduar për kontratë nga Komuna e Kaçanikut më 3 nëntor 2022, “N.SH. Bageri”, me ofertën në vlerë 273 mijë euro, pretendon se anulimi i aktivitetit të prokurimit në këtë fazë është në kundërshtim të plotë me nenin 62 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Edhe përkundër pretendimeve të kompanisë ankuese, më 26 qershor 2023, paneli shqyrtues i OSHP-së ka marrë vendim në favor të Komunës së Kaçanikut. Është marrë vendim për anulim të tenderit.

Paneli Shqyrtues ka konsideruar argumentimet nga ana e AK-së se është i pamundur realizimi i projektit për shkak se financimi i tij është paraparë për vitin paraprak nga marrëveshja për mirëkuptim me MAPL-në dhe se komuna nuk ka mjete për realizim të tij.

“PSH konstaton çështjet financiare të AK-ve dhe realizimi i tyre sipas planeve janë çështje që janë jashtë juridiksionit dhe jashtë kompetencave të OSHP-së si dhe në këtë rast përgjegjësia e plotë i takon AK-së, të cilët nuk kanë arritur që të përfundojnë procedurat e prokurimit brenda afateve të përcaktuara nga vet ata, e që si rrjedhojë është arritur deri tek situata e tillë” – theksohet në vendim.

Po ashtu, Paneli Shqyrtues ka kërkuar nga AK që të njëjtit të jenë të vëmendshëm gjatë procedurave të prokurimit publik në të ardhmen duke respektuar në përpikëri Ligjin e Prokurimit Publik dhe rregullat e zbatueshme, në të kundërtën Organi Shqyrtues i Prokurimit ka të drejtë të kërkojë ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës të prokurimit.

Në vendim thuhet se për shkak se deri te anulimi është arritur si shkak i veprimeve dhe mosveprimeve të ndërmarra nga ana e AK-së dhe pa fajin e OE ankues, e njëjta mund të tërheqë shumën e deponuar kur e ka parashtruar ankesën në OSHP.

“Lejohet të bëhet kthimi i tarifës së ankesës në shumën e deponuar me rastin e parashtrimit të ankesës. OE ankues obligohet që konform nenit 31 pika 6 të Rregullores së Punës së OSHP-së, në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh të bëjë kërkesë për kthim të sigurimit të ankesës, në të kundërtën i bëhet konfiskimi i depozitës, dhe këto mjete kalojnë Buxhetin e Republikës së Kosovës” – thuhet në dispozitivin 3 të këtij vendimi.

Ndryshe nga vendimi i Panelit Shqyrtues kishte propozuar ekspertja shqyrtuese e OSHP-së, Florije Rexhepi, e cila ka mbështetur pretendimet e kompanisë ankuese “N.SH. Bageri” në ekspertizën e saj të 10 marsit 2023. Ajo ka konstatuar në ekspertizë se nuk janë plotësuar kushtet e parapara në Ligjin e Prokurimit Publik për anulim të tenderit nga Komuna e Kaçanikut.

“Në cilësinë e ekspertit të prokurimit vlerësoj se sipas nenit 62 të LPP-së, ku flitet për përfundimin e një aktiviteti të prokurimit, nuk janë plotësuar asnjë nga kushtet e parapara në këtë nen të Ligjit të Prokurimit Publik” – thuhet në ekspertizë.

Ekspertja i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik “N.SH. Bageri” të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe ka rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

Neni 62 i Ligjit të Prokurimit Publik i parasheh rastet kur autoriteti kontraktues mund të përfundojë një aktivitet të prokurimit.

Sipas këtij neni, autoriteti kontraktues mund të përfundojë një aktivitet të prokurimit në rastet kur një shkelje e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet; kur të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues; apo para hapjes së tenderëve, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive dhe që mund të demonstrohen dhe/ose arsyeve që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontaktues.

Telashet me projektet që janë pjesë e granteve

Hulumtuesi i organizatës “Iniciativa për Progres”, Valmir Ilazi, ka thënë se në rastet kur ka afate të përcaktuara për përfundimin e projektit është praktikë që gjatë përgatitjes së dosjes së tenderit të tregohet edhe informacioni për burimin e financimit.

“Pra autoriteti kontraktues do të ishte e rrugës që të vendosin në titull P.Sh. “Projekt me bashkëfinancim – projekti” – ka potencuar Ilazi.

Kjo sipas tij bëhet me qëllim që operatorët ekonomikë të njoftohen me burimin e financimit dhe rrjedhimisht të kuptojnë edhe riskun kur të aplikojnë.

Ai po ashtu ka treguar se ligji nuk ka paraparë ndonjë rrethanë kur autoriteti kontraktues mund ta anulojë tenderin sepse nuk ka fonde.

“Ligji prokurimit obligon ZKA, ZKF, ZPP që të marrin masat e nevojshme dhe të bëjnë vlerësimet e përmbushjes së detyrimeve dhe përfitimet që sjellë projekti i caktuar, përcaktimin në planin e Prokurimit, të cilën komuna nuk e kishte planifikuar fare si projekt në vitin 2022, dhe në fund si dëshmi e këtyre fazave “me sukses” ZKA dhe ZKF duhet të nënshkruajnë Deklaratën të Nevojave dhe Disponueshmërisë së Fondeve”. Konsiderojmë që janë kaluar me “sukses” këto faza dhe është anuluar tenderi pas Publikimit të dokumentit B52” – thotë hulumtuesi i INPO-s.

Ilazi ka vlerësuar se nëse Komuna e Kaçanikut do të ishte serioze në realizimin e këtij projekti, ajo do të duhet të shqyrtonte mundësinë për kërkimin e burimeve alternative për këtë projekt, duke mos përjashtuar kreditë ose huamarrjet nga Qeveria e Kosovës sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike. Madje ai ka thënë se duhet të kërkohet llogaridhënie në institucionet lokale për dështimin e këtij projekti.

MAPL ka treguar se ka filluar procesin e ri të mbështetjes financiare për të gjitha komunat dhe se në vitin 2023 ka hapur dy thirrje për aplikim, ku të gjitha komunat janë të obliguara që nëse kanë kërkesa për mbështetje duhet të aplikojnë sipas kritereve të publikuara.

Ky artikull është shkruar nga Liridon Llozani përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.