Objekti i zjarrfikësve në Kaçanik, Foto: KALLXO.com

Ndërtimi i objektit të zjarrfikësve në Kaçanik, cilat janë gjetjet e ekipit të Auditimit Social?

Një grup prej 16 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Kaçanikut dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e fazës së dytë të projektit “Ndërtimi i objektit të zjarrfikësve”.

Ekipi i Auditimit Social në Kaçanik, që përbëhej nga zjarrfikës, arkitektë, inxhinierë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj, u angazhuan për të monitoruar këtë projekt që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij. Gjatë periudhës shtatë-mujore, ekipi fillimisht u trajnua në lidhje me procesin e Auditimit Social dhe më pas puna e tyre vazhdoi me hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren. Puna e ekipit të Auditimit Social në Kaçanik u finalizua me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.

Raporti i Auditimit Social në Komunën e Kaçanikut paraqet të dhëna të grumbulluara nga ekipi në mes muajve korrik dhe nëntor 2023. Në të janë kategorizuar gjetjet në katër grupe: gjetjet në procesin e konsultimeve me qytetarët, në procesin e planifikimit, në fazën e kontraktimit dhe në fazën e implementimit të kontratës. Për secilën nga këto faza ekipi i Auditimit Social në Komunën e Kaçanikut ka dalë edhe me rekomandime.

Në raportin gati 30 faqe, ekipi ka renditur gjetjet si: dokumentimin e mangët të kërkesave të qytetarëve nëpër takime publike, individualizimin e kërkesave, performancën e dobët të moderatorëve të këtyre takimeve, mosdiskutimin e projektit për objektin e zjarrfikësve në diskutim publik me qytetarët, mungesën e qasjes së personave me aftësi të kufizuara në këtë objekt, mosplanifikimin e izolimit të bodrumit, etj.

Ekipi i Auditimit Social ia ka dorëzuar raportit të parit të Kaçanikut, Besim Ilazi. Në një takim të përbashkët, kryetari ka falënderuar ekipin për punën duke shtuar se po të kishte mundësi, në çdo projekt komunal do të angazhonte ekipe të tilla për monitorim.

Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.