Problemet e komunitetit dhe trajtimi i fenomeneve negative përmes Këshillit Komunal të Sigurisë

Javët e muajt e fundit publikut iu servuan dhjetëra shkrime që tregonin për raste të ndryshme, edhe penale, në të cilat u përfshinë të mitur e të rinj, qoftë si viktima apo si të dyshuar. 

Ngjarja e fundit, ajo në komunën e Kaçanikut, në të cilën u dogjën nga tre të mitur të dyshuar dy zyra të gjyqtarëve, ende nuk ka marrë një epilog ndërsa ende nuk dihet se cili ishte motivi. 

Në dosjet policore të shumta janë rastet kur të rinj, nxënës, të mitur, përfshihen në forma të ndryshme në raste penale. 

Motive të ndryshme, duke nisur nga nxitja e urrejtjes e deri te motivet fetare e indoktrinimi, janë evidentuar në raste të ndryshme të cilat janë regjistruar. 

Në emisionin “Kallxo Përnime” u trajtuan një mori rastesh të cilat kanë ndodhur brenda periudhës së parë të këtij viti e që prekin komunitetin. 

Dhjetëra hulumtime e raporte që ka kryer KALLXO.com tregojnë për rreziqet që mund të hasen në komunitet për shkak të dezinformatave, e nxitjes që ndodh përmes rrjeteve sociale e internetit. 

Në anën tjetër, tashmë niveli lokal do të jetë përgjegjës dhe është i obliguar që të trajtojë një mori aktivitetesh që parashihen edhe në strategjinë e re kundër ekstremizmit, terrorizmit. Në këtë strategji të re parashihen edhe të trajtohen format e reja e trende globale të ekstremizmit, ato të rrymave politike, nacionaliste. 

Në nivelin komunal ekzistojnë disa mekanizma që mision kanë këshillimin dhe mbrojtjen e komunitetit lokal nga fenomne të ndryshme negative. 

Këshilli për Siguri në Bashkësi, i cili aktualisht jashtë funksionit, është vetëm në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, në bazë të një udhëzimi të krijuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në vit e ka të obliguar të mbajë gjashtë takime në të cilat diskutohen problemet e komunitetit dhe kërkohet zgjidhje për ato probleme. 

Në varësi të rrethanave që mund të hasë komuna, numri i këtyre takimeve mund edhe të rritet. 

Në këtë mekanizëm komunal marrin pjesë akterë të ndryshëm duke nisur nga udhëheqësia që është kryetari i një komune të caktuar e deri te përfaqësuesit fetar, shoqëri civile dhe ata të sigurisë. 

Ngjarja e fundit e cila u regjistrua në Kaçanik ende vazhdon të mbetet e paqartë. Kjo pasi që nuk ka ende të paktën publike se çka shtyu disa të mitur të djegin zyrat e Degës së Gjykatës së Ferizajt në Kaçanik. 

Kryetari i kësaj Komune, Besim Ilazi, në debat në emisionin “Kallxo Përnime”, tha se rasti i të miturve po trajtohet nga organet e rendit dhe sigurisë. 

“Rasti është në hetuesi. Sipas informacioneve që kemi deri më tani janë 4 persona të arrestuar tre nga ta janë të mitur dhe meqënëse procesi është në hetuesi mendoj që janë informacionet e fundit që kemi dhe shpresojmë që pasi ta përfundojnë rastin hetuesia të dalin dhe të sqarojnë rrethanat dhe motivet”- tha Ilazi. 

Ndonëse në Polici po trajtohet, por fenomeni dhe veprimet e të miturve ende nuk janë shtruar për diskutim në mekanizmin për sigurinë në komunitet. 

“Në fakt është rasti i parë i llojit të tillë për shkak se edhe në Këshilli për Sigurinë në Bashkësi trajtojmë tema të ndryshme e të formave të ndryshme të ekstremizmit, radikalizmit apo formave të ndryshme të të rinjve, por si raste të tilla nuk kemi pasur në Kaçanik deri tani. Ky është rasti i parë por shpresoj që në takimin e radhës që do të mbajmë në KKSB po besoj se do të trajtohet edhe kjo temë”- shtoi ai. 

Tutje Ilazi tha se do të dalin edhe me rekomandime për këtë çështje. 

“Meqënëse rasti është ende në hetuesi dhe ndoshta do të ishte një formë ndërhyrje sepse ende nuk është sqaru, në momentin që marrim informata zyrtare atëherë do të ftojmë KKSB dhe do të debatojmë për rastin e tillë që ka ndodhë në Kaçanik”- përfundoi Ilazi. 

Në debatin në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua edhe për financimin e anëtarëve që marrin pjesë në takimet e këshillave të sigurisë në bashkësi. 

Kryetari i Kaçanikut tha se me udhëzimin e ri të publikuar nga MPB dhe MAPL numri i takimeve në KKSB nga 12 është zvogëluar në gjashtë. 

“I kemi obligim gjashtë takime të rregullta, por gjithashtu nga udhëzimi thuhet se anëtarët që nuk marrin paga nga buxheti i Kosovës, marrin mëditje dhe të njëjtën gjë në komunë po e respektojmë dhe nga 15 anëtarë sa janë në këshill gjashtë anëtarë marrin mëditje për takime sepse ata nuk marrin paga nga buxheti i Kosovës”- tha Ilazi. 

Ilazi shpjegoi edhe se kur kanë qenë takimet në të kaluarën mënyra e pjesëmarrjes ka qenë vullnetare ndërsa udhëzimi i ri parasheh mëditjet vetëm për ata që nuk kanë pagë nga buxheti i Kosovës e që në mekanizmin komunal të Kaçanikut gjashtë anëtarë paguhen me mëditje për çdo takim që mbahet.

Shkurtimi i takimeve të Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi është bërë me vendim të udhëzimit të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. 

Drejtori i Divizionit për siguri në bashkësi, që funksionon brenda Minsitrisë së Punëve të Brendshme, Labinot Sadiku, tha se numri u përgjysmua me kërkesë të kryetarëve të komunave. 

“Është kërkuar më shumë prej kryetarëve të komunave sepse ne e kemi bërë një takim me të gjithë kryetarët e komunave në atë kohë në 2012, dhe ka rrjedhë si kërkesë e kryetarëve të komunave që të shkurtohen nga 12 në gjashtë takime dhe është paraparë që të bëhet pagesa e tyre konform Komitetit për politikë dhe financa një shumë që atëherë ka qenë 50 euro për mëditje, rrjedhimisht i kemi vizitu të gjitha takimet, kemi bërë një pyetësor si grup drejtues për implementim të strategjisë nacionale për siguri në bashkësi që e kemi derivu dhe është bërë plotësimi i udhëzimit që është edhe aktualisht”- tha Sadiku. 

Labinot Sadiku, Divizioni për Siguri në Bashkësi, foto KALLXO.com

Në disa raste janë ngritur edhe ankesa nga ana e pjesëtarëve të këtij këshilli në aspektin e financimit. Këtë e konfirmoi edhe vetë Sadiku. 

“Në disa komuna ka reflektu mospagesa e anëtarëve sepse KKSB përbëhet kushtimisht ta them prej dy shtyllave, shtylla që janë të emëruara në bazë të detyrës zyrtare dhe pjesa tjetër të cilët përfaqësojnë komunitetin të cilët nuk janë në marrëdhënie pune brenda komunës, te kjo pjesa e dytë ka ndiku sepse ka ndiku për çështje ekomonike”- tha Sadiku. 

Sadiku shtoi edhe faktin se deri te ndalimi i pagesave për një pjesë të anëtarëve të këtij këshilli ka ardhur sipas Ligjit për paga në sektorin publik. 

Erblin Hetemi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se ka pasur ankesa nga ana e anëtarëve të këshillave komunalë për siguri në bashkësi në lidhje me çështjen financiare dhe pagesave për takime.

“Edhe ne si MAPL kemi pranuar shumë ankesa për çështjen e pagesave, shumicën e tyre i kemi përcjellë në Ministri të Punëve të Brendshme për shkak se legjislacioni aktual ndërlidhet me ta i kemi pranu edhe një opinion që thotë se përveç komitetit për politika dhe financa dhe komiteti për komunitete që janë të përhershme që janë obligative, komitete të tjera për momentin nuk paguhen”- tha Hetemi. 

Ngjashëm sikurse Kaçaniku funksionon edhe Drenasi.

Koordinatorja për Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi në Drenas, Laureta Thaqi, tha se parimisht obligative janë gjashtë takime por në bazë të rrethanave numri edhe mund të rritet. 

“I mbajmë gjashtë mbledhje në vit, kur kemi tema të veçanta me kërkesa kur kemi kërkesa të ndonjë natyre që duhet të trajtohet në mënyrë urgjente thërrasim edhe mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë këshill mundohemi t’i identifikojmë problemet që ndërlidhen në komunitet dhe jo vetëm t’i identifikojmë dhe t’i diskutojmë sepse e thamë edhe më herët nuk mjafton vetëm diskutimi”- tha Thaqi. 

Cila ishin temat kryesore që u diskutuan në vitin 2023 në KKSB-të në Drenas e Kaçanik?

Nga 12 takime në gjashtë takime obligative dhe të tjera që mund të thirren në raste urgjente, tema të ndryshme u diskutuan në këshillat për siguri në bashkësi në nivelin lokal. 

Në Drenas, Laureta Thaqi tha se temat kryesore për vitin e kaluar që janë diskutuar në KKSB kishin lidhje kryesisht me çështjet nëpër shkolla dhe dukuritë negative në këtë sektor. 

“Si tema të sigurisë kemi diskutu tema që kanë qenë të përgjithësuara, p.sh. dhunën mbi baza gjinore, apo sigurinë tek shkollat përkatësisht fjalosjet te nxënësit apo shpeshherë kur është përdorur edhe dhuna fizike, sigurisht që këto raste i kemi trajtu me seriozitet, me përkushtim dhe jemi mundu që përmes të gjithë anëtarëve se çka mund të bëjmë më shumë. Si këshill edhe kompetencat ligjore i kemi të kufizuara me udhëzim por si organ këshillues ne mundohemi që këto t’i idemntifikojmë problemet pastaj faktorët që kanë nxitë këto probleme dhe njëfar mënyrë të rrisim vetëdijësimin e të rinjve që të mos përfshihen në këto dukuri negative”- tha Thaqi, koordinatore e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Drenas.

Laureta Thaqi, Komuna e Drenasit, Foto KALLXO.com

Kryetari i Kaçanikut përmendi disa dukuri të ndryshme, edhe ekstreme, edhe radikale, të cilat zënë vend në diskutimet brenda këtij Këshilli. 

“Zakonisht temat mund të jenë aktuale, për tema të përditshmërisë, për dukuritë negative, dhunën, përdorimin e narkotikëve apo bullizmin apo format e ndryshme ekstremiste që mund të paraqiten apo radikale që paraqitën në komunën e Kaçanikut, prej aty dalin zakonisht rekomandime dhe normalisht aty unë kam rolin e kryetarit të Komunës dhe mundohemi t’i zbatojmë sipas mundësive dhe kohës që e kemi në disponim”- tha Ilazi.

Meqenëse në debat u përmend edhe çështja e dukurive që kalojnë në ekstremizëm dhe radikalizëm, Strategjia e re kundër terrorizmit parasheh edhe ndarje të obligimeve për nivelin lokal ndërsa përmenden edhe forma të reja të ekstremizmit në vendin tonë. 

Kryetari i Kaçanikut ende nuk e ka parë Strategjinë e re e për këtë tha se nuk e di nëse i është dërguar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Ai madje tha se nuk kanë ndonjë udhëzim të veçantë që tregon në detaje se me çfarë forma të ndryshme të ekstremizmit mund të ketë rrezik një komunë si Kaçaniku që gjendet në një zonë kufitare me shtetin e Maqedonisë së Veriut. 

“Në fakt këto tema te ne janë diskutuar shumë pak. Nuk kemi udhëzim, nuk kemi marrë ndonjë udhëzim, në KKSB mund të them që këto tema janë të panjohura, zakonisht janë diskutu format e tjera bullizmi, narkotikët, që janë mjaft shqetësuese dhe për ne kanë qenë shumë më të rëndësishme që të fliten ato tema sesa kjo që fatkeqësisht për opinionin ka qenë e panjohur dhe shpresoj që nëse koha e sjellë një gjë të tillë atëherë shpresoj që do të trajtohet me seriozitetin më të madh”- thotë Ilazi. 

Ngjashëm situata është edhe në Drenas. 

“Kemi diskutu vetëm në përgjithësi por jo për raste individuale. Sigurisht që duhet me i parapri por kur i identifikojmë kur kemi shqetësime që i pranojmë sigurisht që i trajtojmë por edhe kur i trajtojmë në mënyrë mediatike dhe kur përfshijmë shumë akterë për një veprim që ende nuk është bërë kjo shpesh herë merret edhe për keq, sigurisht që edhe të rinjtë janë komunikues edhe përmes rrjeteve sociale dhe sigurisht që nuk kemi dashtë me provomu shumë por a kemi diskutu si këshill mes anëtarëve me stacionin policor në Drenas, sigurisht që kemi diskutu”- tha Laureta Thaqi. 

Labinot Sadiku nga MPB tha se beson se në nivelin komunal janë të informuar për trendet dhe frymat e reja të ekstremizmit ndonëse nuk ka ndonjë udhëzim të qartë për to. 

“Besoj se janë në dijeni sepse vitin e kaluar nga Divizoni për Parandalim të Esktremizmit kanë mbajtur aktivitete me të gjitha KKSB-të dhe janë të njoftuar besoj edhe me planin e Strategjisë, por edhe me mënyrën e parandalimit dhe formën e adresimit të tyre”- tha ai. 

Kryetari i Kaçanikut tregoi se në rastet që kanë trajtuar në të kaluarën e që lidhen me shkuarjen e qytetarëve të komunës që udhëheq drejt vatrave të konfliktit në Siri e Irak ka pasur llojllojshmëri të ngjarjeve por që secilin e kanë trajtuar me seriozitet ndërsa tash e sa kohë thotë se nuk kanë pasur ndonjë rast të ri.

“Ligjëratat që janë mbajtë nëpër xhami kanë reflektu për të mirë, kanë mbajtur imamët nëpër xhami. Nuk kemi pasur raste që muj me i përmend sepse s’kemi pasur ndonjë rast që muj me thanë ju kemi drejtu direkt për shkak se personat që kanë qenë, kanë qenë në vatrat e krizës ndërsa pjesa tjetër nuk kemi vërejtë ndonjë dyshim. Nga familjarët kur kemi diskutu me ta ka qenë edhe për ata çudi sepse kemi pasur raste shumë me dy ekstreme, kemi raste kur prindin e kemi pasë ateist e fëmija ka dalë në ekstremin tjetër, kemi raste kur personat që kanë qenë në vatra të krizës kanë qenë njerëz që me të vërtetë s’ke mujtë me besu që munden me shku atje por nuk e di ku e kanë gjetë frymëzimin”- tha Ilazi. 

Laureta Thaqi thotë se në KKSB është diskutuar edhe Strategjia e re kundër terrorizmit dhe detyrat apo obligimet që kanë në nivelin lokal në këtë drejtim. 

“Kemi kërkuar sigurisht më shumë bashkëpunim me këshillin e prindërve me kudjestarët e klasave një forcim i mekanizmit mes komunës dhe shkollave për shkak se e tham që shkollat janë kryesisht, të rinjtë mund të jenë me të rrezikuar dhe ne po mundohemi përmes aktiviteteve, subvencioneve apo granteve të ndryshme me i përfshi të rinjtë në jetën rinore me i mbështetë ata që mos të jenë pjesë e dukurive negative por të mbështeten”- tha Thaqi. 

Strategjia e re kundër ekstremizmit terrorizmit tashmë ka hyrë në fuqi dhe aty parashihen një mori obligimesh për komunat. 

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se nuk e ka parë Strategjinë dhe nuk e di nëse ka ardhur në Komunë. 

“Në fakt edhe nëse është aprovu Strategjia në këtë drejtim, komunat në përgjithësi po flas edhe komunat e tjera ende nuk e kemi fillu procesin e ekzekutimit të këtij procesi të kësaj Strategjie”- tha Ilazi. 

“A e keni parë të paktën [strategjinë]”? Ishte pyetja që iu drejtua kryetarit. “Unë nuk e kam parë” – u përgjigj Ilazi. 

“Nuk e di nëse ka ardhur, përndryshe do të ishte te unë por nuk e kam parë, përndryshe nuk ka ardhur. Në fakt gatishmërinë si kryetar e kemi ofruar gjithmonë si bashkëpunim por meqënëse unë thash personalisht unë nuk e kam parë Strategjinë ndoshta zyrtarët që janë atje ndoshta është fillimi i kësaj Strategjie në fakt ne jemi të përgatitur për çfarëdo lloji të strategjisë, që paraqitet në komunë në secilin nivel që të jetë”- thotë Ilazi. 

Për dallim nga Kaçaniku, koordinatorja e KKSB-së në Drenas, Laureta Thaqi tha se ka kërkuar për Strategjinë online dhe e ka lexuar ndonëse nuk e ka pranuar zyrtarisht atë. 

“Ne si Komunë jemi të gatshëm të zbatojmë këtë Strategji dhe po mundohemi të punojmë kryesisht me të rinj dhe mundësine e krijimit të sa më shumë hapësirave rekreative për ta që t’i largojmë nga këto dukuri nëgative”- tha Thaqi. 

Labinot Sadiku tha se do të kërkojë një përgjigje nga ana e kolegëve të tij nëse i është dorëzuar apo jo Strategjia komunave në mënyrë që të adresohen edhe obligimet. 

“KKSB besoj që janë mekanizma që e bëjnë koordinimin ndërinstitucional mes dy niveleve, nivelit qendror dhe lokal, jo veç për esktremizëm por edhe për shumë sfera të tjera”- tha Sadiku.