Fshati Kaçanik i Vjetër Foto: KALLXO.com

Fshati i Kaçanikut pa linja të shpeshta të transportit publik

Banorët e fshatit Kaçanik i Vjetër në Komunën e Kaçanikut po përballen me mungesë të linjave më të shpeshta të transportit në lagjet e fshatit, e të cilat u duhet t’i dërgojnë në rrugën kryesore që çon drejt komunës së Ferizajt. Nga komuna thonë se e kanë në plan shtimin e një linje të re për udhëtarët.

Banorët e fshatit thonë se duhet të ecin me kilometra për të arritur tek pritoret e autobusëve që çojnë në drejtimet përkatëse.

Kjo pasi, thonë se nuk ka linja të shpeshta në pikën më të afërt dhe për këtë shkak ata duhet të gjejnë forma të ndryshme për të shkuar tek pikat më të largëta “Fusha e Pajtimit” dhe “Varrezat e Dëshmorëve”.

Rruga për tek lagjia ‘Kek’
Kaçanik i Vjetër, Foto: KALLXO.com

Disa banorë theksojnë se mungesa e një linje direkte nga ky fshat drejt Ferizajt, po iu shkakton shumë vështirësi.

Mirvete Krasniqi nga Kaçaniku i Vjetër thotë se “Lagjja Kek” në të cilën ajo jeton është ndër lagjet më të largëta. Për kohën e sotme ajo konsideron që kjo është një largësi e madhe për udhëtim.

Nga ‘lagjja Kek’ deri te stacioni i parë është 1 kilometër e gjysmë deri te qendra e fshatit apo ‘Zyra e Vendit’. Ndërsa deri te ‘Fusha e Pajtimit’ ose ‘Varrezat e Dëshmorëve’ është diku afër 4 kilometra e gjysmë është shumë larg”- ka thënë ajo.

Krasniqi thotë se ka autobusë vetëm në orare të nxënësve dhe thekson se nuk ka lidhje Kaçanik i Vjetër-Ferizaj. Sipas saj, kjo ua bën më të vështirë situatën vajzave dhe atyre që punojnë në Ferizaj.

“Vështirësi më së shumti ka për gjininë femërore, nëse vijnë, për shembull, prej Prishtinës ose Ferizajt, edhe punojnë shumica në Ferizaj, kam raste konkrete këtu të lagjes që shfrytëzojnë rrugë alternative nëpër mal, është më shkurt për me ardh në shtëpi.”- tha ajo.

Tutje ajo shtoi se ky fshat ka shumë banorë dhe duhet të ketë më shumë linja të transportit publik.

“Mund të them edhe ata në mes moshe, ata që dojnë me shku pasdite në Ferizaj, Kaçanik shembull, babai im kur do me dalë, nuk mundet se nuk ka lidhje, nuk ka lidhje si duhet me pas si fshat, mendoj që ka banorë shumë edhe duhet me pas më shumë lidhje”- ka thënë ajo.

Banorja ka treguar se se ata detyrohen të shfrytëzojnë veturat më së shumti për të shkuar tek ndalesat autobusëve.

Më tej, thotë se mungesa e ndriçimit publik e vështirëson udhëtimin.

“Janë në fakultet, kemi studente femra, domethënë në mbrëmje nëse ato munden me ardh deri te qendra e fshatit, e kanë 1 kilometër e gjysë me ardh te shtëpia, as nuk kanë ndriçim as nuk kanë kurrgjë, s’i intereson kurrkujt për ndriçim, për si lagje jo, a për fshat ekziston në dy rrugë kryesore, mirëpo dritat nuk punojnë”- tha ajo.

Përveç ndriçimit publik ajo përmend edhe qentë endacakë.

“Gjithherë është dashtë me vetura me i dërgu, me qenë me përcjellës. Janë të rrezikum sa të dush, plot ka qen që nuk trajtohen, kemi pas shumë probleme po nuk e di sa kam dëgju, ka qenë një projekt për me i mbledh qentë, unë s’kam pa që i kanë mbledh, e dijnë ato më mirë në Komunë”-shtoi Krasniqi.

Ajo shtoi se autobusët duhet të shtohen ngase ka nevojë, të paktën thotë për rininë. Por shpreh edhe pakënaqësi në gjithçka që është duke u punuar duke theksuar ujësjellësin, rrugët, ndriçimin.

Kaçanik i Vjetër
Foto: KALLXO.com

“Gjithçka që po marohet, ndoshta jam gabim se nuk jam e profesionit, por nuk është tu rregullu si duhet. Vetëm sa me vendos një shtyllë diku, veç me i vendos gypat pa ujë. S’po them që s’i kanë maru, i kanë vendos disi, por jo me projekt të mirëfilltë. Nëse e maroj unë sot, mos me u prish më për 50 vjet, jo për shembull, sot e ndreqa gypin e ujit pas dy vjete ska ujë, kjo po më pengon shumë”-ka shtuar ajo.

E banorja tjetër nga e njëjta lagje, “Kek”, Erlida Mulaku, ka thënë se Kaçanik të Vjetër, nuk ka orare të shpeshta të autobusëve, e ditën e diel thotë se nuk ka fare linja. Këto po i paraqesin asaj probleme për të udhëtuar.

Mungesa e linjave të shpeshta thotë se ka qenë arsye që ajo shpesh ka humbur disa ngjarje të rëndësishme.

“Ka raste edhe kur prindërit ose motra është dashtë me më ndihmu, duke më dërgu me veturë deri në vendin e caktuar për ndalimin e autobusëve. Më ka ndodh edhe që nuk kam pas mundësi me shku në ngjarje të caktuara ose me më ikë diçka e rëndësishme shkaku këtij problemi”-u shpreh Mulaku.

Në rastet kur nuk ka autobusë në ndalesën më të afërt ajo thotë se duhet të ecë 40 minuta për të arritur tek ndalesa më e largët, kjo sipas saj, po i shkakton lodhje të madhe.

E po të qarkullonte treni për të do të ishte një lehtësim. Kjo linjë sipas saj është ndërprerë që prej kohës së pandemisë.

“As treni nuk qarkullon që prej kohës së pandemisë, thuhet që për shkaqe të ndërtimit të hekurudhës. Po shpresoj që sa më shpejt udhëtimi me tren me qenë funksional, pasi që për mua do te ishte një ndihmesë e madhe për udhëtim”-shtoi ajo.

Milaim Topojani nga lagjja ‘Topojan’ në Kaçanik të Vjetër, kërkon që të ketë linja më shumë dhe të ofrohen disa minibusa që të përfshihen të gjitha lagjet e fshatit.

Rrugët për në lagjet Topjan dhe Brat, në fshatin Kaçanik i Vjetër
Foto: KALLXO.com

“S’po them në lagje me ardh me autobus se është pak vështirë për autobus se ka kthesa të mëdhaja, është pak më vështirë se ai i gjatë është. Me pas minibusa mirë është se udhëtarë s’besoj që mbet pa to, se udhëtarë ka, edhe ai person qe ka veturë s’besoj që i hyp veturës me shku diku”-ka thënë ai.

Banori thotë se nëse nuk kanë vetura ata ecin në këmbë.

“Problem është sa të duash se diku mbi 2 kilometra, e kemi larg si lagje qendrën e fshatit se ‘Fushën e Pajtimit’ e ‘Varrezat’ shkon 3 kilometra e më tepër. Unë për vete 1 orë më shkon se edhe mosha e bën të veten”-shtoi ai.

Ai thotë se kërkesë nuk kanë bërë shkaku mos besimit që ato merren parasysh.

“Kërkesë nuk kemi bë, për do punë tjera, kena bë kërkesë, s’i kanë përfill, boll Lumin Nerodime që e kanë kërku me shkrim, kanë shku të fshatit, po sot e atë ditë ska kurgjë hiç, i vjen era s’mundesh me nejt, as në mbrëmje, as në mëngjes prej erës, mbeturinat e Ferizajt i qesin aty”-ka thënë ai.

Ai konsideron që Komuna e Kaçanikut anashkalohet nga niveli qendror.

“Nuk kryhen punët, s’na ndihmon si komunë edhe ashtu ështe e vogël edhe është e varfër, prej qendrës nuk i intereson, a ka njerëz këndej, a s’ka që me ardh dikush, prej Qeverisë a Ministrisë kushdo të jetë”-shtoi Topojani.

Po ashtu, edhe lagjja e tij, sa i përket transportit publik, sipas tij, është neglizhuar.

“Për gjëra të udhëtimit është lënë anash, unë për vete s’i kam as një vjet, tash dal në pension ama me pas një minibus a diçka nuk eci në këmbë. Mezi që shkoj te shkolla se në këmbë po duhet me shku, duhet me u ul rrugës dy tre herë me pushu, e me u nis”-tregoi ai.

Ai ka theksuar së njëra ndër arsyet që disa banorë janë shpërngulur nga kjo lagje ka qenë çështja e udhëtimit dhe Lumi Nerodime.

Bleart Brati nga lagjja ‘Brat’ në Kaçanik të Vjetër thotë se në këtë lagje nuk ka pasur asnjëherë qarkullim të autobusit.

“Transport publik në lagjen tonë, nuk ka, as nuk ka pasur asnjëherë, por vetëm nëse shkojmë te ndalesa e parë që është disa kilometra larg. Mendoj që ky është problemi kryesor se ka ardhje shumë të pakta të autobusëve. Por duhet me shfrytëzu vetëm forma të tjera, për me dalë ose te varrezat e dëshmorëve ose te ‘Fusha e Pajtimit’”-ka thënë Brati.

Sipas tij, disa problematika të mëhershme janë zgjidhur për të cilat është shprehur falënderues.

“Ky është një problem mjaft serioz se janë në pyetje disa kilometra dhe më herët nuk ka pasur as trotuar as ndriçim publik. Por shfrytëzoj rastin ta falënderoj komunën që tash e ka rregullu edhe trotuarin edhe ndriçimin publik se ka ndodh që ka qenë natën shumë errët, ka pas edhe aksidente”-ka shtuar ai.

Brati ka treguar se banorët e kësaj lagje, kryesisht organizohen, i dërgojnë dhe i marrin me vetura, shembull nxënësit. Tutje, ai bën thirrje që të këtë linja më të shpeshta.

Përfaqësuesi i fshatit Kaçanik i Vjetër, Adnan Krasniqi, ka thënë se nga viti 2011 figurojnë 1,940 banorë në këtë fshat, ndërsa nga ky vit e deri më sot thotë se është trefishuar numri, për nga përqindja.

Më tej, ai theksoi mungesën e linjës direkte nga Kaçaniku i Vjetër në Ferizaj.

“Vështirësitë janë të mëdha ngaqë ka shumë punëtorë që punojnë në Ferizaj dhe për këtë nuk ka lidhje dhe qytetarët duhet të ecin në këmbë, afër 3 kilometra, për të udhëtuar me linjën Kaçanik -Ferizaj”-tha përfaqësuesi i fshatit në Kaçanik të Vjetër.

E cilëson si problem të madh periudhën e dimrit dhe të verës kur temperaturat janë të larta dhe banorët duhet të ecin me kilometra.

Qëndrimet e institucioneve

Asamblistja nga Partia Demokratike e Kosovës, Fitore Vishi, ka thënë se dikur nuk kishte fare linja në këtë fshat.

“Meqenëse edhe vet kam qenë pjesë e kësaj mungese të transportit, na është thënë që nuk mund të kemi linjë nëpër fshatra sepse nuk ka llogari të qarkullojmë andej, por tash është një kompani e cila qarkullon dy herë në ditë”-ka thënë Vishi.

Transportin publik në Kuvendin Komunal të Kaçanikut ajo tha se nuk e ka ngritur si diskutim.

“Nuk e kam ngritur këtë çështje në Kuvendin Komunal sepse me sa di kompanitë janë private dhe ata munden t’i rregullojnë vet linjat e tyre dhe ku mund të qarkullojnë“-ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Kaçanikut, Ramadush Osmani ka thënë se është në planet e Komunës të krijohet një linjë e autobusëve për banorët e fshatit Kaçanik i Vjetër.

“Kjo linjë e transportit publik të udhëtarëve është në planet aktuale të Komunës e përcaktuar me nenin 10 pika 4 e rregullores komunale për transportin rrugor në territorin e Komunës se Kaçanikut”-tha Drejtori Osmani.

Ai ka treguar procedurën e marrjes së lejes për transportin publik.

“Për çdo vit bëhet shpallja publike nga drejtoria dhe njoftohen të gjithë operatorët që merren me transportin publik të udhëtarëve me autobus, minibus dhe kombi-bus se mund të aplikojnë për marrjen e lejes së punës në linjat e percaktuara nenin 10 pika 4 e rregullores komunale për transportin rrugor në territorin e Komunës së Kaçanikut”-ka sqaruar Drejtori.

Ai ka thënë se banorët e Kaçanikut të Vjetër janë ankuar për lidhjen Kaçanik i Vjetër -Ferizaj.

“Ankesa nga ky lokalitet kemi për relacionin Kaçanik i Vjetër-Ferizaj, që nuk është në kompetenca të Komunës, ngase Komuna është përgjegjëse për linjat urbane dhe urbano-periferike kurse për linjat ndërkomunale është përgjegjëse Ministria”- tha Osmani.

Drejtori ka treguar se kjo çështje është ngritur në Kuvendin Komunal të Kaçanikut, ku është theksuar se shumë kilometra po bëhen për të arritur në këmbë tek “Fusha e Pajtimit”.

“Z. Bashkim Krasniqi, anëtar i Kuvendit të Komunës, ka shprehur shqetësim lidhur me punëtorët të cilët punojnë në Ferizaj, se kanë mungesë transporti deri te ‘Fusha e Pajtimit’. Ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia që së paku në mëngjes të sigurohet transport, sepse ka edhe nxënës që mësojnë në Ferizaj dhe transporti paraqet problem për ta”-ka treguar ai.

Sipas tij, për këtë çështje do të shqyrtohen mundësitë.

“Ne, në koordinim me operatorin e transportit të udhëtarëve që ka rend të udhëtimit në linjën Begracë-Kaçanik i Vjetër-Kaçanik, do ta shqyrtojmë mundësinë dhe arsyeshmërinë e vijës së mëngjesit për transportin e udhëtarëve Kaçanik i Vjetër-Fushë e Pajtimit”-theksoi ai.

Kurse, sa i përket linjave shtesë thotë se kjo do të shqyrtohet.

“Për linja shtesë, kjo do të analizohet nga Drejtoria në bashkëpunim me kompaninë operuese të transportit publik që ka rendin e vërtetuar të udhëtimit”-ka shtuar ai.

Raif Saliu, pronar i kompanisë “Raifi Tours”, thotë se në Kaçanik të Vjetër ka linja të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e banorëve. Sipas tij, kjo kompani ka përfshirë gjithë pjesën kryesore të fshatit.

Për të shtuar një linjë të re, për gjithë banorët e fshatit, përfshirë edhe lagjet e largëta, Saliu tha se nuk e kanë pasur në plane, pasi, sipas tyre, ka linja të mjaftueshme dhe numri i udhëtarëve është tejet i ulët.

Ai ka thënë se banorëve iu kanë ofruar linja nga Kaçaniku i Vjetër-Kaçanik-Ferizaj, sipas tyre, këto ishin mundësitë që kishin.

Ndërsa për lidhje direkte nga Kaçaniku i Vjetër në Ferizaj thotë se janë në kompetencë të Ministrisë.

“Nuk mundemi të u ofrojmë linja direkte Kaçanik i Vjetër-Ferizaj pasi që linjat janë në kuadër të Ministrisë dhe është e pamundur pasi që koha mbrojtëse (linjat nga Kaçanik-Ferizaj operojnë çdo 20 min) dhe nuk lejohen ndërhyrje brenda kësaj kohe, ndërsa nga Kaçanik-Ferizaj të gjitha linjat nga ora 7:00 deri në ora 19:00 janë pothuajse të zëna sidomos koha për të cilën banorët kanë nevojë për transport”-ka thënë ai.

Ai ka treguar se ka pasur kërkesa nga banorët sidomos nga ata të cilët janë udhëtarë të rregullt të kompanisë.

“Ata udhëtojnë nga Kaçanik i Vjetër-Kaçanik-Ferizaj dhe sigurisht kanë dëshirën e tyre për të shkurtuar kilometrat dhe kohën e tyre mirëpo në anën tjetër e kuptojnë edhe mundësinë e cila ekziston për momentin, jo nga dëshira dhe gatishmëria e kompanisë tonë për të operuar edhe në këto linja, por rregulloret të cilat nuk na mundësojnë të operojmë”-ka thënë Saliu.

Më tej, ai ka thënë se nëse Ministria e Transportit e mundëson ata janë të gatshëm të veprojnë.

“Nëse Ministria na mundëson operimin nga Kaçaniku i Vjetër-Ferizaj, ne jemi të gatshëm të fillojmë operimin sipas kërkesave të banorëve”- shtoi ai.

Ndërkaq, Bekim Terziu, pronar i Kompanisë “Beka”, ka thënë që kompania e tij i ka mundësitë të ofrojë transport publik për banorët e Kaçanikut të Vjetër.

“Po, i kemi mundësitë vetëm se ministria duhet me dhënë leje e për fshatra ndërmjet komunave nuk japin rend të udhëtimit”-ka thënë ai.

Ndërkaq, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se kjo çështje rregullohet me kërkesë të qytetarëve, të operatorëve dhe me listë të nënshkrimeve në formë peticioni.

“Operatorët kur vlerësojnë që ka numër të udhëtarëve dhe është linje rentabile dhe e procedojnë te ne si kërkesë, por në të dyja rastet, këto dy kërkesa duhet të vijnë në dy afate ligjore brenda vitit si 01 deri 30 qershor dhe 01 deri 31 dhjetor të vitit kalendarik”-thanë nga MMPHI-ja.

Nga kjo ministri thonë se kur ka kërkesa ata janë të obliguar t’i trajtojnë ato dhe të veprojnë.

“Ne besojmë qe në këtë relacion ka nisje te vërtetuara nga Ministria, por në rastet kur parashtrohen kërkesa ne jemi të obliguar t’i trajtojmë që domethënë shpallen nisje te lira”-thuhet në përgjigjen me shkrim nga MMPHI-ja.