Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Nënshkruhet kontrata, 9,500 euro për dekorimin e Kaçanikut për festat e fundvitit
Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën në vlerë 9 mijë e 500 euro për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.
Sipas njoftimit të publikuar në e-Prokurimi, kompania e përzgjedhur për dekorimin e qytetit është NTSH “ARDRITI” nga Ferizaj. Kontrata me kompaninë fituese është nënshkruar më 19 dhjetor.
Në këtë tender kishin aplikuar dy kompani “Konstrukti” shpk Gjilan me vlerë 6 mijë e 370 euro dhe NTSH “ARDRITI” Ferizaj me vlerë 9 mijë e 500 euro.
Në bazë të vendimit të autoritetit kontraktues Kuvendi i Komunës Kaçanik edhe pse kompania “Konstrukti” shpk kishte vlerë më të ulët, ajo u shpall e papërgjegjshme me arsyetimin se nuk i kishte përmbushur kriteret e dosjes së tenderit.
Përzgjedhja e kompanisë fituese u bë përmes procedurës me kuotim të çmimit.
Tenderi është inicuar më 30 nëntor 2023 ndërsa kontrata është nënshkruar më 19 dhjetor.
KALLXO.COM, pati raportuar më 2 dhjetor se tenderi për dekorimin e qytetit ishte anuluar një herë për shkak se kompania e vetme e cila kishte ofertuar kishte dorëzuar ofertë shumë më të shtrenjtë se vlera e parashikuar.
Vitin e kaluar, qyteti i Kaçanikut, nuk ishte dekoruar.
Ndërsa në vitin 2021 kosto e dekorimit të qytetit ishte afër 9 mijë euro.
Kaçaniku anulon tenderin për dekorimin e qytetit për fundvit