Vladimir Putin - Foto: REL/EPA_EFE

Pse Rusia e ka pushtuar Ukrainën dhe çfarë dëshiron Putini?

Kur Vladimir Putin e prishi paqen në Evropë duke e nisur një luftë kundër demokracisë së 44 milionë njerëzve, justifikimi i tij ishte se Ukraina moderne, me prirje perëndimore ishte një kërcënim i vazhdueshëm dhe Rusia nuk mund të ndihej “e sigurt, të zhvillohej dhe të ekzistonte”.

Por, pas pesë javësh bombardime, mijëra vdekje në qytete të rrënuara dhe shpërngulje të më shumë se 10 milionë njerëzve brenda Ukrainës dhe më gjerë, pyetjet që kërkojnë përgjigjie janë: cili është qëllimi i tij dhe a ka një rrugëdalje?

Cili ishte qëllimi i Putinit?

Qëllimi fillestar i liderit rus ishte të pushtojë Ukrainën dhe ta rrëzojë qeverinë e saj, duke i dhënë fund një herë e mirë dëshirës së tij për t’u bashkuar me aleancën perëndimore, NATO. Por pushtimi ka ngecur dhe ai duket se i ka zvogëluar ambiciet e tij.

Duke e nisur pushtimin më 24 shkurt, ai i tha popullit rus se qëllimi i tij ishte “çmilitarizimi i Ukrainës”, për t’i mbrojtur njerëzit e nënshtruar ndaj asaj që ai e quajti tetë vjet ngacmim dhe gjenocid nga qeveria e Ukrainës. “Nuk është plani ynë për ta pushtuar territorin ukrainas. Ne nuk synojmë t’i imponojmë askujt asgjë me forcë”, këmbënguli ai.

Kjo nuk ishte as një luftë apo pushtim, pohoi ai, thjesht trillim i një “operacioni ushtarak special” që mediave ruse të kontrolluara nga shteti u kërkohet të miratojnë.

Pretendimet për nacistë dhe gjenocid në Ukrainë ishin krejtësisht të pabaza, por ishte e qartë se Rusia e pa këtë si një moment kyç. “E ardhmja e Rusisë dhe vendi i saj i ardhshëm në botë janë në rrezik”, pati deklaruar shefi i inteligjencës së jashtme, Sergei Naryshkin.

Ushtria ruse kishte si qëllim të futej në kryeqytetin Kiev, duke e pushtuar atë nga Bjellorusia në veri, si dhe nga jugu dhe lindja.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov foli për çlirimin e Ukrainës nga represioni, ndërsa presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se “armiku më ka caktuar mua si objektivin numër një; familja ime është objektivi numër dy”.

Por rezistenca e ashpër e ukrainasve ka shkaktuar humbje të mëdha dhe, në disa zona, i ka detyruar forcat ruse të tërhiqen.

A i ka ndryshuar Putini synimet e tij?

Rusia duket se i ka ulur ambiciet e saj, duke pretenduar se i ka “përmbushur përgjithësisht” qëllimet e fazës së parë të pushtimit, të cilën ajo e përcaktoi si reduktim të konsiderueshëm të potencialit luftarak të Ukrainës.

Rusia bëri të ditur në bisedimet mes palëve në Turqi se do të “zvogëlonte në mënyrë drastike” operacionet e saj ushtarake rreth kryeqytetit dhe rreth qytetit verior të Chernihiv.

Kjo ende nuk është konfirmuar dhe presidenti i Ukrainës Zelensky ka thënë se Ukraina mund t’u besojë vetëm rezultateve konkrete, jo fjalëve.

Lufta vazhdon, veçanërisht në lindje dhe jug, ku forcat ruse po përpiqen të krijojnë një korridor tokësor përgjatë bregut jugor, në lindje nga Krimea deri në kufirin rus.

Një muaj pas pushtimit, Rusia deklaroi se qëllimi i saj kryesor ishte “çlirimi i Donbasit” – duke iu referuar gjerësisht rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk. Më shumë se një e treta e kësaj zone ishte pushtuar tashmë nga separatistët e mbështetur nga Rusia në luftën që filloi në 2014.

Përpara pushtimit, ishte e qartë se presidenti Putin e donte të gjithë lindjen, duke njohur se e gjithë zona i përkiste dy shteteve kukulla të Rusisë. Kreu i shtetit të Luhanskut ka sugjeruar mbajtjen e një referendumi për bashkimin me Rusinë, i ngjashëm me një votim të diskredituar ndërkombëtarisht të mbajtur në Krime në 2014.

Përtej synimeve të tij ushtarake, kërkesa më e gjerë e presidentit Putin është ta sigurojë neutralitetin e ardhshëm të Ukrainës. Ukrainasit e kanë ofruar këtë në këmbim të garancive të sigurisë nga aleatët, si pjesë e një plani të gjerë paqeje të paraqitur në bisedimet në Turqi.

Pse Putini dëshiron një Ukrainë neutrale?

Që kur Ukraina arriti pavarësinë e saj në vitin 1991, ndërsa Bashkimi Sovjetik u shpërbë, ajo gradualisht është kthyer drejt Perëndimit – si BE ashtu edhe NATO.

Udhëheqësi rus ka kërkuar ta ndryshojë këtë, duke e parë rënien e Bashkimit Sovjetik si “shpërbërje të Rusisë historike”. Ai ka thënë se rusët dhe ukrainasit janë një popull dhe i ka mohuar Ukrainës historinë e saj të gjatë: “Ukraina nuk ka pasur kurrë tradita të qëndrueshme të shtetësisë së vërtetë”, pohoi ai.

Ishte presioni i tij ndaj liderit pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviq, për të mos e nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian në vitin 2013 që çoi në protesta që përfundimisht rrëzuan presidentin ukrainas në shkurt të vitit 2014.

Rusia më pas pushtoi rajonin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe shkaktoi një rebelim separatist në lindje dhe një luftë që mori 14 mijë jetë.

Ndërkohë që po përgatitej ta niste pushtimin në muajin shkurt, ai prishi një marrëveshje paqeje të paplotësuar të Minskut të vitit 2015 dhe e akuzoi NATO-n se kërcënonte “të ardhmen tonë historike si komb”, duke pretenduar pa bazë se vendet e NATO-s donin ta sillnin luftën në Krime.

Si do të dukej neutraliteti?

Përpara se Ukraina t’i prezantonte planet e saj, Rusia tha se e po konsideronte një Ukrainë “neutrale, të çmilitarizuar” me ushtrinë dhe marinën e saj, përgjatë vijave të Austrisë ose Suedisë, që të dyja janë anëtarë të BE-së. Austria është neutrale, ndërsa Suedia është e paangazhuar.

Presidenti Zelensky kishte deklaruar tashmë se ukrainasit tani e kuptojnë se nuk do të pranoheshin në NATO: “Është një e vërtetë dhe duhet njohur”.

Rusia nuk i sheh propozimet e Ukrainës për paqen as si premtuese dhe as si një progres, kështu që lufta do të vazhdojë. Megjithatë kjo është oferta e Kievit:

  • Ukraina do të bëhet një shtet “jo anëtar (ose i paangazhuar) dhe jo-bërthamor”, pa baza ushtarake të huaja apo kontigjente në territorin e saj.
  • Garancitë e rrepta, ligjërisht të detyrueshme do të kërkonin vende të tilla si Britania e Madhe, Kina, SHBA, Turqia, Franca, Kanadaja, Italia, Polonia dhe Izraeli ta mbrojnë një Ukrainë neutrale në rast sulmi.
  • Brenda tri ditëve, shtetet garantuese do të duhet të zhvillojnë konsultime dhe t’i dalin në mbrojtje të Ukrainës.
  • Ukraina do të lejohet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian
  • Ukraina nuk do të hynte në aleanca ushtarako-politike dhe çdo stërvitje ndërkombëtare do të kërkonte pëlqimin e shteteve garantuese.

Përpjekja e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n (dhe BE-në) është sanksionuar në kushtetutën e saj të vitit 2019, kështu që çdo ndryshim do të kërkonte një referendum disa muaj më vonë.

Po Krimea dhe lindja?

Rusia nuk është e impresionuar deri më tani me planin e Ukrainës për statusin e ardhshëm të Krimesë, e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, për t’u vendosur gjatë 15 viteve të konsultimeve. Ukraina propozon që gjatë asaj kohe nuk duhet të ketë asnjë veprim ushtarak për ta zgjidhur çështjen.

Si pjesë e propozimeve të paqes të Kievit, të gjitha trupat ruse do të largohen nga territori ukrainas dhe e ardhmja e zonave lindore të mbajtura nga separatistët e mbështetur nga Rusia do të diskutohet nga dy presidentët si pjesë e një samiti për armëpushim.

Megjithatë, presidenti Putin nuk do të dëshirojë ta braktisë asnjë përfitim territorial të bërë gjatë luftës, veçanërisht pasi qëllimi i deklaruar është “çlirimi” i lindjes së Ukrainës. Ndërkohë, Kievi nuk do të pranojë kurrë cedimin e  territorit të tij sovran.

Ukraina nuk e ka marrë kurrë seriozisht kërkesën e Rusisë për militarizim dhe këmbëngulja e Moskës për “denazifikimin” është thjesht propagandë ruse. Sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba: “Është çmenduri, ndonjëherë as ata nuk mund të shpjegojnë se në çfarë referohen.”

Presidenti Zelensky ka thënë se është i përgatitur ta japë statusin e gjuhës së pakicës ruse, së bashku me gjuhët e vendeve të tjera fqinje, dhe nuk e sheh këtë si një çështje madhore.

Cili është problemi i Putinit me Nato-n?

Për udhëheqësin e Rusisë, aleanca ushtarake mbrojtëse prej 30 anëtarësh e Perëndimit ka një qëllim – ta përçajë shoqërinë në Rusi dhe përfundimisht ta shkatërrojë atë.

Përpara luftës, ai kërkoi që NATO-ja ta kthejë kohën pas në vitin 1997 dhe të ndryshojë zgjerimin e saj drejt lindjes, duke hequr forcat dhe infrastrukturën ushtarake nga shtetet anëtare që iu bashkuan aleancës në  vitin 1997 dhe duke mos vendosur “armë sulmuese pranë kufijve të Rusisë”. Kjo nënkuptonte Evropa Qendrore, Evropa Lindore dhe Balltiku.

Presidentit Putin, Perëndimi i premtoi në vitin 1990 se NATO nuk do të zgjerohej “asnjë centimetër në lindje”, por gjithsesi NATO e bëri këtë.

Në sytë e Megjithatë, kjo ishte përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, kështu që premtimi i bërë presidentit të atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev i referohej vetëm Gjermanisë Lindore në kontekstin e një Gjermanie të ribashkuar. Gorbachev tha më vonë se “tema e zgjerimit të NATO-s nuk u diskutua asnjëherë” në atë kohë.

A ka Putini plane tjera përtej Ukrainës?

Nëse ka plane tjera, pengesat e tij ushtarake në Ukrainë tani mund të kenë shkatërruar çdo ambicie tjetër më të gjerë përtej Ukrainës.

Pas disa orësh bisedash me liderin autoritar të Rusisë, kancelari gjerman Olaf Scholz përfundoi: “Putini dëshiron ta ndërtojë një perandori ruse… Ai dëshiron ta ripërcaktojë rrënjësisht status quo-në brenda Evropës në përputhje me vizionin e tij. Dhe ai nuk ka asnjë shqetësim për përdorimin e forca ushtarake për ta bërë një gjë të tillë”.

Analistja Tatiana Stanovaya nga RPolitik dhe Qendra e Moskës Carnegie i frikësohet një spiraleje në një konfrontim të ri të Luftës së Ftohtë: “Kam ndjenja shumë të forta se ne duhet të përgatitemi për një ultimatum të ri ndaj Perëndimit, i cili do të jetë më i militarizuar dhe agresiv sesa mund ta kishim imagjinuar ndonjëherë.”

Duke qenë dëshmitarë të gatishmërisë së Putinit për t’i shkatërruar qytetet evropiane për t’i arritur qëllimet e tij, liderët perëndimorë tani nuk kanë asnjë iluzion. Presidenti Joe Biden e ka etiketuar atë si një kriminel lufte dhe liderët e Gjermanisë dhe Francës e shohin këtë luftë si një pikë kthese në historinë e Evropës.

Përpara luftës, Rusia kërkoi që të gjitha armët bërthamore amerikane të ndaloheshin përtej territoreve të tyre kombëtare. SHBA kishte ofruar fillimin e bisedimeve për kufizimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme, si dhe për një traktat të ri për raketat ndërkontinentale, por ka pak mundësi që kjo të ndodhë tani për tani.

Çfarë tjetër i mbetet tash Rusisë?

Presidenti Putin ka mbetur i habitur nga shkalla e reagimit perëndimor ndaj pushtimit të tij në Ukrainë. Ai e dinte se çizmet  e anëtarëve të NATO-s nuk do të shkelnin asnjëherë në tokën e Ukrainës, por ai nuk mund ta merrte me mend shkallën e sanksioneve që tashmë kanë një efekt dramatik në ekonominë e Rusisë – dhe për këtë Putin ndjehet i tërbuar.

BE, SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore e kanë shënjestruar ekonominë e Rusisë në mënyra të ndryshme:

  • Bankës qendrore të Rusisë i janë ngrirë asetet dhe bankat kryesore janë mbyllur jashtë rrjetit ndërkombëtar të transfertave të pagesave SëIFT.
  • SHBA i ka ndaluar importet e naftës dhe gazit rus; BE synon t’i reduktojë importet e gazit me dy të tretat brenda një viti; dhe Britania e Madhe synon të heqë dorë nga nafta ruse deri në fund të vitit 2022.
  • Gjermania e ka ndërprerë miratimin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, një investim i madh si nga Rusia ashtu edhe nga kompanitë evropiane.
  • Linjave ajrore ruse u është ndaluar hapësira ajrore mbi BE, MB, SHBA dhe Kanada.
  • Sanksionet personale janë vendosur ndaj Presidentit Putin, Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov dhe shumë individëve të tjerë.

Asnjë marrëveshje paqeje me Ukrainën nuk do t’i japë fund këtyre sanksioneve dhe Vladimir Putin e di këtë. Në vend të kësaj, ai është kthyer kundër rusëve që e kanë kundërshtuar luftën. “Populli rus gjithmonë do të jetë në gjendje t’i dallojë patriotët e vërtetë nga llumrat dhe tradhtarët”, ka deklaruar presidenti rus.

Më shumë se 15,100 protestues kundër luftës janë arrestuar dhe pothuajse të gjitha mediat e pavarura janë mbyllur.

Nuk ka mbetur asnjë opozitë politike kuptimplote pasi ata ose janë larguar nga vendi ose e kanë pasur fatin si të  liderit opozitar, Alexei Navalny, i burgosur për vite në një pavijon të ashpër ndëshkues të regjimit rus./BBC