Policia ruan ndërtesën e qeverisë gjatë protestave të opozitës | Foto: Atdhe Mulla

Prospektet e Dhunshme të Një Koalicioni në Dështim

Para 26 shkurtit, Hashim Thaçit i nevojitej jashtëzakonisht shumë Isa Mustafa. Prej 26 shkurtit, Isa Mustafës i nevojitet jashtëzakonisht shumë Hashim Thaçi. Kjo është tejet e rrezikshme për të ardhmen e afërt të Kosovës.

Përpara se të zgjidhej Hashim Thaçi President, Mustafa nuk ishte i vetëm. Ai kishte së paku mbështetjen e partnerit të tij kryesor të koalicionit për t’i përmbajtur kërkesat e bëra nga opozita apo çdokush tjetër.

Asokohe, PDK-ja kishte plot arsye për ta përkrahur Mustafën, pasiqë u duhej ende për ta marrë presidencën. Tash, meqenëse Hashim Thaçi u zgjodh President, partia e tij i ka të gjitha arsyet për ta përkrahur opozitën në vend të partnerit të koalicionit, dhe mbase do të bëjnë ashtu. Ndaj, situata mund të bëhet edhe më e dhunshme.

Sjellja e Mustafës – duke u bërë presion dhe potencialisht duke i kërcënuar deputetët e partisë së tij ta votojnë Thaçin për President – është marrëzi vetëshkatërruese.

Me fjalë tjera, Mustafa, në mënyrë të pabesueshme, i hapi vetes dhe partisë së tij varrin më të thellë të mundshëm.

Përderisa kjo nuk do të duhej t’ia tërhiqte vëmendjen askujt përveç interesave të ngushta politike dhe kriminale brenda LDK-së, rreziku që i sjell Kosovës do të duhej të na shqetësonte.

Në një ditë të vetme, Mustafa ia shumëfishoi PDK-së ndikimin e ardhshëm politik për aq sa ia zvogëloi partisë së tij.

Fundja, ai garantoi që prej 26 shkurtit e tutje, PDK-ja mund të vendosë për të ardhmen e koalicionit në mënyrë të njëanshme.

Kjo, gjithashtu, do të thotë se ata mund të vendosin njëanshëm për të ardhmen e LDK-së, e më e rëndësishmja, për të ardhmen e vetë Isa Mustafës.

Para se të zgjidhej Thaçi President, të dy liderët e koalicionit ishin të varur nga marrëveshja e arritur në dhjetor të vitit 2014.

Pasi Thaçi ta bëjë betimin, Mustafa do të jetë i vetmi person, pozicioni dhe e ardhmja e të cilit do të varet nga ajo marrëveshje. Nuk duket se do të bëhet mirë.

Çdo tregues i matshëm mund të na dëftojë lehtësisht se çfarë do të ndodhte me të dy partitë e koalicionit në qoftë se PDK-ja do të vendoste ta braktisë koalicionin dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Mund ta provojmë ndikimin e mundshëm të marrëveshjes së koalicionit në të dy partitë pjesëmarrëse – dallimet janë marramendëse.

Në njërën anë, struktura e brendshme dhe elektorati i PDK-së do ta shohin zgjedhjen e Thaçit President si një arritje të madhe për partinë.

Njëkohësisht, partia dhe elektorati i saj kurrë nuk e kanë çarë kokën për faktin që PDK-ja ishte e përfshirë në marrëveshje me LDK-në, përderisa kishin mundësi të qëndronin në pushtet, të mbanin punën dhe biznesin e partisë në lëvizje – kredoja e tyre kryesore politike.

Me fjalë tjera, PDK-ja nuk ka rrezikuar as edhe një grimë: përderisa biznesi i tyre kryesor ecën mirë, votat vijnë tok pas tij.

Në anën tjetër, strukturat dhe elektorati i LDK-së nuk e kanë pranuar me shumë pozitivitet vendimin e Mustafës për të lidhur marrëveshje me PDK-në. Përçarjet brenda partisë dhe zhgënjimi i elektoratit shihej lehtë menjëherë pasi u nënshkrua marrëveshja e koalicionit.

Për më shumë, Mustafa u mundua me të gjitha fuqitë ta bëjë kundërshtarin e tij të përbetuar President, njeriun të cilin e akuzuan për vrasjen e intelektualëve më të shquar të partisë së tyre. Për më tepër, Mustafa shkoi deri aty sa të qortojë publikisht secilin deputet të partisë së tij që ka vendosur të mos e votojë Thaçin për President.

Gjithashtu, Mustafa në mënyrë të dhunshme ua mbylli dyert kundërshtarëve të tij politik gjatë zgjedhjeve të brendshme, me ç’rast u “zgjodh” Kryetar i Partisë përmes një metode të quajtur “ovacion i stuhishëm,” metodë e paparë në historinë e Kosovës.

Por, çfarë nënkupton kjo? PDK-ja do të kërkojë vota nën bajrakun e fitores dhe mbase do të humbasë shumë pak me Thaçin si President, përderisa LDK-ja do të mundohet t’i mbledhë ato pak vota që i kanë mbetur në mënyrë që ta grumbullojnë së paku gjysmën e numrit që i morën në zgjedhjet e fundit.

Ky është rezultat i mjeshtërisë politike të Mustafës: duke e lënë të ardhmen e partisë së tij në dorë të PDK-së pa menduar dy herë. Me fjalë tjera, edhe pse Mustafa është lideri i LDK-së, është PDK-ja ajo që mund ta caktojë jetëgjatësinë e mandatit të tij si Kryeministër, e jo LDK-ja.

Konkluzioni më bujar për këtë situatë është se, pas 26 shkurtit, secili deputet i PDK-së që ka votuar Thaçin për President ka votuar për ta shndërruar LDK-në në një fraksion të PDK-së.

Secili mbështetës i LDK-së që e lexon këtë do të belbëzojë me vetvete se LDK-ja kurrë nuk do të pranonte të bëhej fraksion in PDK-së, duke menduar se diçka e tillë varet nga vullneti partiak. Jo tanimë.

Prej 26 shkurtit, LDK-ja nuk është më subjekt i marrëveshjes post-elektorale të koalicionit përmes së cilës pozitat në kabinet janë caktuar bashkërisht. Në skenarin më të mirë, LDK-ja mund të argumentojë se ata do të mbesin pjesë e marrëveshjes vetëm duke pranuar faktin se janë shndërruar në një fraksion të PDK-së. LDK-ja s’ka më kurrfarë roli në atë marrëveshje.

Isa Mustafa e di këtë. Ai e di se nuk është më subjekt i marrëveshjes dhe se mund të largohet nga detyra lehtësisht po deshi PDK-ja. Si i tillë, në qoftë se protestat e opozitës vazhdojnë me masivitetin dhe vendosmërinë e deritanishme, do të fillojë të veprojë vetmia e Mustafës dhe varësia e tij ndaj PDK-së, dhe ai do ta përdorë dhunën që ta sigurojë vazhdimësinë e jetës së tij politike për aq sa mundet.

Në një skenar hipotetik, nëse PDK-ja me të vërtetë mëton ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme – dhe ka çdo arsye ta bëjë një gjë të tillë – ata do të bëheshin pjesëmarrës të fshehur në protesta dhe do t’i bënin ato edhe më të dhunshme (ekspertizë e tyre që prej vitit 2007), çka sigurisht do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Duke u druajtur nga mundësia e largimit nga pozita e tij, vetmia e Isa Mustafës do ta detyrojë atë ta që ta urdhërojë ministrin e tij të Punëve të Brendshme që ta shfrytëzojë dhunën shtetërore në mënyrë më liberale.

Kjo do të jetë koha kur Mustafa do të kuptojë diçka tjetër: pavarësisht se njeriu i tij udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai nuk është personi që kontrollon shkallën e dhunës shtetërore të ushtruar në Kosovë.

PDK-ja mund ta kontrollojë dhunën shtetërore përmes drejtorit të Policisë së Kosovës, i cili ndërsa zyrtarisht raporton te një Ministër i LDK-së, në realitet i përgjigjet shefave të tij në PDK.

Pra, përderisa Isa Mustafa do të bëhet maskota e dhunës së ardhshme të shtetit, shkalla e saj do të varet nga sasia që PDK-ja vendos ta përdorë kundrejt partive opozitare dhe qytetarëve që ua vështirësojnë punën, dhe kjo përfundimisht varet nga vullneti i tyre për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ditë të errëta na presin. Jam i bindur që duhet të vazhdojmë të shpresojmë se do të shohim demokracinë të shpaloset përderisa këto dy banda të përbindshme vendosin për politikat e Kosovës dhe “partnerët strategjikë” e “miqtë ndërkombëtarë” të vendit i lëvdojnë ata për praktikat e tyre demokratike, dhe njëkohësisht kontribuojnë fort që t’ua mbrojnë pozitat përditë.

Sidoqoftë, edhe mes gjithë kësaj paqartësie sesi do të veprojë PDK-ja dhe deri ku do të shkojë dhuna para se të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, një gjë është e sigurt. Isa Mustafa është i vetmuar – edhe në koalicion edhe në parti, gjë që do ta nxisë atë të veprojë në mënyrë skizofrenike.