Ilustrimi: Jeta Dobranja për Kallxo.com

Injorantë, të varfër e të izoluar, por të lumtur

Optimizmi i gabuar dhe pranimi i gabimeve në arsim, shëndetësi dhe qeverisje në Kosovë si diçka që është ‘e shkruar’ nuk do t’i zgjidhë problemet e rrënjosura thellë në këtë vend.

 

Rezultatet e fundit të PISA-s mbi njohuritë e nxënësve kosovarë konfirmuan edhe një herë gjendjen e keqe në shkollat e Kosovës. Kosova u rendit e 76-ta nga 79 vende dhe regjione të cilat u janë nënshtruar testit. Më shqetësues se rezultati, është bindja e nxënësve kosovarë se ata nuk mund të ndryshojnë asgjë sa i përket inteligjencës së tyre. Sipas raportit të PISA-s, 72% e nxënësve kosovarë nuk kanë mentalitet zhvillimor (‘growth mindset’), dhe pajtohen me konstatimin se “Inteligjenca është diçka që ske fuqi ta përmirësosh”. Shkurt, nxënësit kosovarë besojnë se niveli i inteligjencës së tyre është përcaktuar që në lindje dhe as shkolla e as ata nuk kanë çfarë të bëjnë.

Përkundër injorancës dhe gjendjes së keqe në arsim, 82% e nxënësve kosovarë raportuan se janë të kënaqur me jetën e tyre, shumë më shumë se sa nxënësit e vendeve anëtare të OECD, apo vendeve më të zhvilluara në botë. Por, niveli i lumturisë së deklaruar dhe optimizmi i lartë nuk janë karakteristikë vetëm e nxënësve kosovarë, por e tërë shoqërisë kosovare.

Për shumë vite Kosova ka qenë në krye të listës së vendeve më optimiste në botë, në bazë të hulumtimeve të Gallup International. Edhe në raportin tashmë tradicional për Lumturinë në Botë për vitin 2019, Kosova rangohet e 46-ta, shumë më lartë se secili vend i rajonit. Kosovarët janë më optimistë se vendi i tyre do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian më parë se sa të gjitha vendet tjera të rajonit, ani pse në procesin e anëtarësimit Kosova është e fundit. Sipas një ankete në vitin 2019, 33% e kosovarëve besojnë se Kosova do të bëhet pjesë e BE deri në vitin 2020, ani pse viti 2020 është vetëm disa ditë larg dhe kosovarët janë të vetmit në Evropë të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm për shkak të mos liberalizimit të vizave.

Njësoj edhe të dhënat vjetore të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) nxjerrin Kosovën si vendin më optimist në rajon. Të dhënat nga hulumtimi i RCC për 2019 tregojnë se 39% e kosovarëve janë optimistë se gjendja ekonomike në 12 muajt e ardhshëm do të jetë më e mirë, gjersa 41% e të anketuarve janë të kënaqur me gjendjen financiare në familjet e tyre, ani pse në realitet ekonomia e Kosovës është më e prapambetura në rajon.

Po sipas të dhënave të RCC, kosovarët janë më të kënaqur me sistemin shëndetësor në Kosovë se sa qytetarët e Maqedonisë Veriore, ani pse një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës kryejnë kontrollet shëndetësore në Shkup. Po ashtu, kosovarët janë më të kënaqur me sistemin arsimor se sa qytetarët e Shqipërisë, ani pse në të gjitha matjet Shqipëria qëndron më mirë në këtë fushë.

Kosova ka shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë; shkallën më të lartë të ndotjes së ajrit dhe numër të lartë të vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga ndotja; është vendi më i izoluar ne Evropë; vendi me qytetarët më të padijshëm në Evropë; me sistem shëndetësor më të dobët; vendi me numrin më të madh të pjesëmarrësve në luftën e Sirisë për kokë banori, por njëkohësisht një ndër vendet më të lumtura e më optimiste.

A do të thotë kjo se optimizmi dhe lumturia janë të ndërlidhura me injorancën: sa më i paditur, aq më i lumtur e më optimist? Në një studim global për lumturinë dhe optimizmin, hulumtuesit u befasuan me optimizmin e lartë tek shtresat më të varfra në Afrikë dhe Afganistan. Sipas Carol Graham, autore e librit “Lumturia nëpër botë – paradoksi i fshatarëve të lumtur dhe milionerëve të mjerë” (origjinal “Happiness around the world: the paradox of happy peasents and miserable millionaires”), shpjegimi i vetëm për optimizmin e lartë tek të varfrit mund të jenë arsyet kulturore, religjioze dhe psikologjike.

Përpjekjet për të mbijetuar mund të jenë arsyet e optimizmit të lartë: individët me kushte të mjerueshme u duhet të jenë optimist që të mund të mbijetojnë. Apo ndoshta gjendja e këtyre individëve është aq e rëndë sa ata janë të vetëdijshëm se e ardhmja nuk mund te jetë më e mirë, por nuk ka ku të shkojë më keq. Përderisa të pasurit, të vetëdijshëm se gjendja e tyre është shumë e mirë, natyrshëm shprehin frikë se fëmijët e tyre ndoshta nuk do të kenë mundësitë që ata i kanë shkruan Graham.

Por, cilado që të jenë arsyet për optimizmin e pabazuar të kosovarëve, një mentalitet i këtillë ku varfëria, analfabetizmi, ndotja, keqqeverisja e problemet tjera shoqërore arsyetohen me atë se ‘qysh te jetë e shkruar’, nuk japin shpresë për këndellje shoqërore për të kërkuar kushte më të mira në arsim, shëndetësi, ekonomi e qeverisje. Gjendja e keq në sektorin e arsimit ka fajtorë të cilët duhet të japin përgjegjësi, e ato janë partitë politike të cilat arsimin e kanë parë si mundësi për të punësuar familjarë e militantë partish, e jo si institucion të dijes. Izolimi i qytetarëve nuk është fat që duhet pranuar, por vjen si pasojë e një politike kriminale. Ndotja e ajrit nuk është dënim nga natyra, po vjen si pasojë e politikave shkatërruese që lejojnë djegien e pakontrolluar të qymyri, prerjen e drunjve, shkatërrimin e lumenjve e importimin e veturave ndotëse pa asnjë kontroll.

Optimizmi i pabazuar ndoshta mund të jetë i mirë për shëndetin mendor të individëve, por është paralizues për mirëqenien e shoqërisë.

 

Agron Demi është Hulumtues i Lartë në Institutin GAP në Prishtinë.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.