Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri kritikon Qeverinë Kurti: Tri vjet asnjë njohje as anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, të dielën ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti për, sipas tij, skandalet, dështimet dhe problemet.

Në një konferencë për media, Tahiri është përqendruar rritjen e çmimeve, në rezultatet në testin PISA, në politikën e jashtme si dhe në qëndrimin ndaj sindikatave.

Shtrenjtimi i artikujve ushqimorë dhe i rrymës, sipas Tahirit, janë duke e cenuar standardin e jetës dhe të ekonomive familjare.

“Sipas informatave që ne i kemi dhe që i dimë, rritja e kostos momentalisht është problemi kryesor i secilit qytetar të Kosovës. Dikush që e ka një rrogë 600 euro, që ka qenë rrogë mesatare, nuk ka mundësi me përfundu muajin, për shkak se të dhënat e analizës që ne e kemi bërë tregojnë se 80% e njerëzve që kanë pagë mbi 600 euro, janë me obligime kryesisht në kredi të ndryshme” – ka deklaruar Tahiri.

Rezultatet e Kosovës në PISA, sipas Besnik Tahirit, kanë dëshmuar degradimin e arsimit me këtë Qeveri.

“Menjëherë të fillojë ndërtimi i infrastrukturës shkollore miqësore për fëmijët, të bëhet rritja e cilësisë së mësimdhënies, zbatimi i aktiviteteve që nxisin kreativitet, angazhim praktik dhe teknika të të mësuarit” – ka rekomanduar Tahiri.

Ai ka shtuar po ashtu që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk duhet t’ia lërë fajin pandemisë, pasi pandemia ka ndikuar në secilin sektor.

Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë edhe për, siç ka thënë ai, ofendimin e sindikatave dhe injorimin e kërkesave të tyre.

Në këtë rast, ai ka folur edhe për protestën e 9 dhjetorit të Njësisë Speciale Intervenues dhe njësive të tjera speciale të Policisë, të cilat, sipas Tahirit, janë ofenduar nga Qeveria duke iu përmendur rrogat.

“Është turpi i turpit të një qeverie me dalë me thanë 2,200 euro e ka rrogën një polic, kur dihet saktësisht që Policisë së Kosovës nuk i është rritur rroga asnjëherë” – ka thënë ai.

Më tej, politika e jashtme e Kosovës është çështja e katërt, e cila, parë nga këndvështrimi i Tahirit, e ka kthyer Kosovën nën sanksione dhe në marrëdhënie më të dobëta, me faktorin ndërkombëtar.

“Tri vjet asnjë njohje, asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare, të sanksionuar nga BE. Rrnoftë Gani Jakupi! Atij po i del rroga 7,500 euro, ish në Bruksel se më treguan, në Bruksel po lobojke për anëtarësimet, njohjet që duhet me ndodhë nga vendet e botës latine e Spanjës” – është shprehur Tahiri.

Ai po ashtu ka folur edhe për draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Tahiri ka treguar se ky draft-statut është analizuar nga ana e anëtarëve të kryesisë së AAK dhe se kanë pranuar diku 11 komente me shkrim nga këta anëtarë, për të dalë më pas me një qëndrim unik.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për buxhetin e shpenzuar nga komunat e partisë në pushtet dhe të tjera.

Tahiri mendon se diskriminimi i komunave në baza partiake është “papërgjegjësi e logjikë e mbrapshtë arbitrare që po e bën kjo Qeveri”.