Takimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci me ekspertë e përfaqësues të arsimit, Foto: Arbërie Nagavci/Facebook

Pas më shumë se një muaj nga rezultatet në PISA, ministrja Nagavci i mbledhë ekspertët

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është takuar të premten me përfaqësues nga Fakulteti i Edukimit, Instituti Pedagogjik, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë për të diskutuar në lidhje me përmirësimin e performancës dhe ngritjen e llogaridhënies në arsim.

Sipas ministres Nagavci, po ndërmerren hapa konkret drejt përmirësimit të rezultateve në sistemin arsimor të Kosovës, duke i dhënë theks të veçantë rezultateve në testin PISA.

Ministrja Nagavci në konferencën ku janë prezantuar rezultatet e testit PISA për Kosovën, kishte paralajmëruar se rezultatet do të analizohen nga Fakulteti i Edukimit në mënyrë që të identifikohen faktorët që kanë ndikuar në rezultate dhe çfarë veprimesh duhet të marrë MAShTI për ta përmirësuar cilësinë e mësimdhënies e të nxënit.

Pas rezultateve në testin PISA, në një deklaratë për KALLXO.com kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kishte thënë se ministrja Nagavci, duhet t’i thërrasë të gjitha palët e përfshira në arsim dhe që bashkërisht të gjejnë një rrugëdalje.

“Pas prezantimeve dhe analizave të raporteve, po ndërmerren hapa konkret në plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit, hartimin e politikave arsimore dhe krijimin e trupave të veçanta të cilat do të çojnë në përmirësimin e rezultateve në sistemin arsimor në Kosovë, konkretisht testit PISA” – ka shkruar ministrja Nagavci, në profilin e saj në Facebook.

Siç i ka prezentuar edhe më parë, në konferencën e fundvitit 2023, ajo i ka renditur veprimet e ndërmarra nga MAShTI përgjatë tri vitesh nën mandatin e saj.

Kompletimi i legjislacionit për fëmijërinë e hershme, pilotimi i kurrikulës për fëmijërinë e hershme, përmirësimi dhe zgjerimi i infrastrukturës fizike për përfshirjen e fëmijëve në kopshte, përmirësimi i cilësisë së teksteve mësimore, përgatitja dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve, janë disa nga veprimet e përmendura.

“Andaj, në javët dhe muajt në vijim do të intensifikohet angazhimi me qëllimin e vetëm, përmirësimin e rezultateve në arsim” – ka përfunduar ministrja Nagavci.

Rezultatet në PISA 2022 Kosova i pranoi më 5 dhjetor, të cilat kanë treguar rënie të statistikave krahasuar me vitin 2018.

Në këtë test kanë marrë pjesë 6027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla

Në matematikë Kosova është rënditur në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Sipas këtyre rezultateve, nxënësit kosovarë kanë performuar rreth 83% dobët në lexim, rreth 79% dobët në shkencë, rreth 85% dobët në matematikë.

Ndërsa, sipas niveleve të vlerësimit të PISA-së, deri në 21% ka shkuar përqindja maksimale e nxënësve kosovarë që kanë arritur në nivelin e dytë të PISA-së, i cili konsiderohet niveli minimal që të gjithë studentët duhet ta arrijnë pas përfundimit të shkollës së mesme të ulët.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencën për media ku janë prezantuar këto rezultate kishte përmendur pandeminë, ndërrimin e qeverisë, tekstet e infrastrukturën shkollore si faktorë që kanë ndikuar në këto rezultate.

Kurse, për njohësit e fushës së arsimit në Kosovë, faktorë janë të mësuarit mekanik, mos-prioritizimi i arsimit e mungesa e llogaridhënies.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ishte shprehur i shqetësuar me këto rezultate të Kosovës, të cilat sipas tij kanë treguar për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë dhe se nuk do të mund të rregullohen shpejt.

Kurti kishte kërkuar nga mësimdhënësit që të garantojnë se nxënësit po mësojnë dhe po dinë.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) patën kërkuar dorëheqjen e ministres Nagavci për shkak të rezultateve në PISA.

Kurse, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këto rezultate i kishin komentuar si degradim i sistemit arsimor dhe se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet arsimin.

Se kishte degradim të arsimit nga Qeveria në pushtet, si pasojë e rezultateve në PISA, kështu kishte reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).