Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti për rezultatet në PISA: Mësimdhënësit të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë

Në mbledhjen e 178-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka folur për rezultatet e Kosovës në testin e PISA-s.

Kurti është shprehur se janë të shqetësuar me rezultatet e Kosovës në këtë test, të cilat sipas tij treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë dhe se nuk do të mund të rregullohen shpejt.

“Testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e të mësimnxënies, ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë” – është deklaruar Kurti.

Rezultatet në PISA 2022 Kosova i pranoi më 5 dhjetor.

Sipas rezultateteve, në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.