LDK për rezultatet e PISA-s: Degradim i sistemit arsimor, Qeveria nuk e ka prioritet arsimin

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Sadriu- Lushaku ka komentuar rezultat e fundit të testit PISA.

Sipas saj, këto rezultate flasin për “degradim të sistemit arsimor”.

Ajo në një konferencë për media tha se të dhënat janë shqetësuese jo vetëm për Ministrinë e Arsimit por edhe për shkollat dhe nxënësit.

“Indikacionet dhe matjet që kanë bërë raportet ndërkombëtare në Kosovë flasin për politika komplet jo adekuate dhe për asnjë rezultat. Flasin për degradim të sistemit arsimor duke mos dhënë asnjë rezultat në performancën e nxënësve. I referohem rezultateve të fundit të testit të PISA-s e cila Kosovën e rangon edhe më poshtë se në vitin 2018. Të dhënat janë tepër shqetësuese jo vetëm për Ministrinë, por edhe për shkollat por edhe për përfitimet që i kanë nxënësit, të nxënit dhe masin se sa nxënësi përfiton nga shkolla në përgjithësi” – tha Sadriu-Lushaku.

“Këtu shohim një dështim në mënyrën e bashke organizimit nga MAShT-I të testit PISA. Ashtu siç janë bërë edhe testimet të tjera edhe ato kombëtare që MAShT-i ka dështuar t’i organizojë ato, ka dështuar si Ministri të adoptojë rrethanat ku nxënësit kosovarë do të tregonin performancë më të mirë. Kalueshmëria është e dobët në teste kombëtare”- theksoi ajo.

Sipas Lushaku-Sadriut, arsimi nuk është prioritet i Qeverisë.

“Për të ardhë te rezultatet ose tek analizat e mirëfillta ne duhet të shohim se çka bën MASHT-i sot dhe kjo Qeveri në arsim. Fillimisht dua të them se arsimi nuk është prioritet i kësaj Qeverie. Nëse ju kujtohet në vitet paraprake kur rezultatet e testit PISA janë publikuar, Vetëvendosje ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Është pikërisht sot Vetëvendosje ajo që nuk tregon performancën apo përkujdesin minimal për sa i përket arsimint”- tha anëtarja e LDK-së.

Më tej, Sadriu-Lushaku potencoi se ministria po i lë shkollat pa buxhet dhe pa mundësi për të ekzekutuar mjetet e buxhetit që janë dedikuar për shkollat.

“Çështja tjetër është mënyra se si ministria i lë shkollat pa buxhet dhe pa mundësi për të ekzekutuar asnjë cent të buxhetit të dedikuar shkollave të tyre. Imagjinojeni sot kemi drejtor shkolle që sot asnjë shkumës nuk ka kompetenca që ta blejë vetë, duhet të shkojë në komunë për rregullimin e kompetencave dhe mënyrën se si menaxhohen shkollat është MASHT-i”- u shpreh ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se kurrikulat janë të stërngarkuara dhe se “asnjë hap nuk është marrë nga kjo ministri për shqyrtimin e kurrikulave”.

Kosova të martën ka pranuar rezultatet e testit PISA për vitin 2022 ndërsa të dhënat tregojnë rënie të statistikave krahasuar me vitin 2018.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.

Në konferencën për media në Ministrinë e Arsimit, ministrja Arbërie Nagavci ka folur për rezultatet e testit PISA të vitit 2022.

“Ka më shumë se një faktor që ka ndiku në rezultate, politikat, tekstet, infrastruktura shkollore, praktikat e konsoliduara që mungon komplet llogaridhënia dhe shumë faktorë të tjerë. Pra nuk është vetëm një fajtor dhe nuk është vetëm një veprim që do të mundësonte përmirësim të rezultateve”- deklaroi ministrja Nagavci.

PISA 2022 ka qenë cikli i tretë për Kosovën, teksa fushë kryesore ka qenë matematika dhe në të kanë marrë pjesë 6,027 nxënës të 229 shkollave.