PDK: PISA - Pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të japë dorëheqje

Partia Demorkatike e Kosovës, PDK ka reaguar në lidhje me rezultatet e testit PISA duke thënë se analfabetizmi qeveritar nuk arriti ta reformojë sistemin arsimor në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në një konferencë për media tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit, kriza në arsim vetëm sa është thelluar edhe më shumë.

“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”- tha Hoxha.

Hoxha theksoi se Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk ka bërë reforma në sistemin arsimor, por edhe i ka penguar ato.

“Po hyjmë në vitin e fundit të kësaj Qeverie, dhe 160 çerdhet e premtuara as afër nuk janë. As 10 sosh nuk janë ndërtuar. Nuk ka pasur asnjë reformë në Arsimin Fillor. Për më tepër, në vend që të bëjë reforma, zgjodhi që të luftoj nga njëra anë mësimdhënësit, e këtë vit nuk doli zot as obligimit kushtetutes dhe ligjor, që të siguroj falas librat për nxënësit e Kosovës”- u shpreh ajo.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala tha se pas gjetjeve të nxjerra nga PISA, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është dashur qysh sot të japë dorëheqje.

“Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të bëjë prioritet adresimin e problemeve të cilat i ka evidentuar PISA”,-shtoi ai.

Kosova të martën ka pranuar rezultatet e testit PISA për vitin 2022 ndërsa të dhënat tregojnë rënie të statistikave krahasuar me vitin 2018.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.

Në konferencën për media në Ministrinë e Arsimit, ministrja Arbërie Nagavci ka folur për rezultatet e testit PISA të vitit 2022.

“Ka më shumë se një faktor që ka ndiku në rezultate, politikat, tekstet, infrastruktura shkollore, praktikat e konsoliduara që mungon komplet llogaridhënia dhe shumë faktorë të tjerë. Pra nuk është vetëm një fajtor dhe nuk është vetëm një veprim që do të mundësonte përmirësim të rezultateve”- deklaroi ministrja Nagavci.

PISA 2022 ka qenë cikli i tretë për Kosovën, teksa fushë kryesore ka qenë matematika dhe në të kanë marrë pjesë 6,027 nxënës të 229 shkollave.