Ilustrim

Çka është PISA dhe cili është këndvështrimi i saj për Kosovën?

Rezultatet e Kosovës në PISA nga këndvështrimi i ekspertëve të arsimit kanë qenë të pritshme dhe kanë ngjallur shumë reagime, mirëpo çka realisht është ky program dhe si shihet arsimi në Kosovë në sytë e PISA-së.

Sipas rezultateve në PISA 2022, nxënësit kosovarë kanë performuar rreth 83% dobët në lexim, rreth 79% dobët në shkencë, rreth 85% dobët në matematikë.

Ndërsa, sipas niveleve të vlerësimit të PISA-së, deri në 21% ka shkuar përqindja maksimale e nxënësve kosovarë që kanë arritur në nivelin e dytë të PISA-së, i cili konsiderohet niveli minimal që të gjithë studentët duhet ta arrijnë pas përfundimit të shkollës së mesme të ulët.

PISA apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është program i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo 3 vjet.

Qëllimi i PISA-së është t’i vlerësojë një numër nxënësish të moshës 15-vjeçare rreth njohurive dhe shkathtësive të tyre në tri fusha: matematikë, shkencë dhe lexim.

Për përzgjedhjen e nxënësve që do t’i nënshtrohen këtij testi, shkollat duhet t’iu dërgojnë drejtorive komunale të Arsimit listën me emrat e nxënësve të moshës 15-vjeçare, të cilët janë në klasë të dhjetë.

Pastaj bëhet përzgjedhja e tyre rëndom dhe u dërgohen shkollave emrat e nxënësve që do të testohen, së bashku me datën se kur ata do të testohen.

Testimi zgjatë dy orë dhe plotësohet në kompjuter, ndërkohë që monitorimi i këtij testimi kryhet nga zyrtarë të DKA-ve.

Në test ka pyetje me disa opsione dhe pyetje të hapura, të cilat kërkojnë përgjigje të ndërtuar nga nxënësit.

Pyetje në matematikë, PISA 2022
Pyetje në matematikë, PISA 2022

Përveç testimit, ata plotësojnë një formular i cili ka disa pyetje në lidhje me nxënësin, arritjet, prirjet dhe besimet e tij, eksperienca e tij në shkollë dhe mësim, gjendja e tij ekonomike dhe familjare.

Në raportin e PISA-së për rezultatet e Kosovës janë nxjerr disa të dhëna se sa dinë dhe nuk dinë nxënësit kosovarë në fushën e matematikës, shkencës dhe leximit.

Të gjitha këto referohen në 6 nivelet e PISA-së. Niveli i parë përfshinë studentët që kanë nivel më të ulët të njohurive, niveli i dytë studentët me aftësi të nivelit bazik (konsiderohet niveli minimal që të gjithë studentët duhet ta arrijnë pas përfundimit të shkollës së mesme të ulët), niveli i tretë dhe katërt përfshinë studentët me njohuri mesatare, dhe niveli i pestë dhe i gjashtë studentët me njohuri të larta.

Raporti i PISA 2022 për Kosovën

Çka dinë dhe mund të bëjnë në lexim nxënësit kosovarë?

Kosova ka arritur të zë vendin e 76 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 342 pikë, në lexim.

Sipas kësaj, nxënësit kosovarë kanë performuar rreth 83% dobët në lexim, nën nivelin e dytë.

Ndërsa, 17% e nxënësve kosovarë kanë arritur nivelin e dytë. Në minimum këta studentë mund të identifikojnë idenë kryesore në një tekst mesatar, të gjejnë informata bazuar në eksplicit dhe mund të reflektojnë në qëllim dhe formë të teksteve.

Në Kosovë pothuajse asnjë studentë nuk ka arritur në nivelin e pestë. Këta studentë mund të kuptojnë tekste të gjata, të merren me koncepte që janë abstrakte ose kundërintuitive, të vendosin dallime në mes faktit dhe opinionit, bazuar në shenja të nënkuptuara që kanë të bëjnë me përmbajtjen ose burimin e informacionit.

Çka dinë dhe mund të bëjnë në shkencë nxënësit kosovarë?

Në shkencë Kosova ka arritur të zë vendin e 77 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 357 pikë. Sipas kësaj, nxënësit kosovarë në shkencë kanë performuar rreth 79% dobët, nën nivelin e dytë.

Rreth 21% nxënës kosovarë kanë arritur nivelin e dytë. Në minimum, këta nxënës mund të njohin shpjegimin e saktë për fenomene shkencore të njohura dhe mund të përdorin këtë njohuri për të identifikuar, në raste të thjeshta, nëse një konkludim është valid bazuar në të dhënat e poseduara.

Në Kosovë, pothuajse asnjë nxënës nuk ka qenë top performues në shkencë, që do të thotë se ata kanë qenë të aftë në nivelin e pestë dhe të gjashtë. Këta nxënës mund të aplikojnë diturinë e tyre në mënyrë kreative dhe të pavarur në shkencë në situata të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të panjohura.

Çka dinë dhe mund të bëjnë në matematikë nxënësit kosovarë?

Në matematikë Kosova ka arritur të zë vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 355 pikë. Sipas kësaj, nxënësit kosovarë kanë performuar rreth 85% dobët në matematikë, nën nivelin e dytë.

15% të nxënësve kosovarë kanë arritur nivelin e dytë në matematikë, numërisht më pak sesa mesatarja e shteteve tjera. Në minimum, këta nxënës mund të interpretojnë dhe njohin, pa instruksione direkte, se si një situatë e thjeshtë mund të prezantohen matematikisht (p.sh. krahasimi i distancës totale përgjatë dy rrugëve alternative ose konvertimi i çmimeve në një valutë tjetër).

Pothuajse asnjë nxënës kosovarë nuk ka qenë top performues në matematikë, që do të thotë se ata kanë arritur nivelin e pestë dhe gjashtë në testin e matematikës. Në këto nivele, nxënësit mund të modelojnë situata komplekse matematikisht dhe mund të përzgjedhin, krahasojnë dhe vlerësojnë starategji të përvetësuara të zgjidhjes së problemit.

Disa të dhëna nga formulari i PISA-së i plotësuar më 2022 nga nxënësit kosovarë 

Sipas raportimit të nxënësve në formularin e plotësuar në vitin 2022, rreth 30% e nxënësve kanë raportuar se nuk mund të punojnë mirë në shumicën apo në të gjitha mësimet, 36% e nxënësve nuk e dëgjojnë mësuesin se çka thotë, 30% e nxënësve janë të shpërqendruar duke përdorur pajisje digjitale, dhe 27% janë shpërqendruar nga studentët tjerë që përdorin pajisje digjitale.

Mesatarisht në vendet e OECD-së, nxënësit kishin më pak gjasa të raportonin se shpërqendroheshin duke përdorur pajisjet digjitale kur është i ndaluar përdorimi i telefonave në mjedisin e shkollës.

Në Kosovë 12% e studentëve kanë raportuar se nuk ndjehen të sigurt rrugës së tyre për në shkollë, 7% e studentëve kanë raportuar se nuk ndjehen të sigurt në klasë, 14% e nxënësve kanë raportuar se nuk ndihen të sigurt në vendet tjera të shkollës (korridor, menzë).

Rreth 35% e vajzave dhe 31% e djemve kanë raportuar se kanë qenë viktimë e akteve bullizuese të paktën disa herë në muaj.

Testi PISA 2022 është mbajtur nga data 25 prill deri më 20 maj të vitit 2022 dhe janë testuar 6,027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla.

Rezultatet në PISA 2022 Kosova i pranoi më 5 dhjetor.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencën për media ku janë prezantuar këto rezultate ka përmendur pandeminë, ndërrimin e qeverisë, tekstet e infrastrukturën shkollore si faktorë që kanë ndikuar në këto rezultate.

Kurse, për njohësit e fushës së arsimit në Kosovë, faktorë janë të mësuarit mekanik, mos-prioritizimi i arsimit e mungesa e llogaridhënies.