Ilustrim

Kompanisë i ndalohet dërgimi i SMS-ve me oferta

Një qytetare është ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi se një kompani i kishte dërguar me SMS një ofertë. Sipas ligjit, dërgimi i mesazheve pa lejen e qytetarëve është i ndaluar.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia për Privatësi tregojnë se në muajin janar një qytetare ishte ankuar se një kompani për asistencë në siguri rrugore i kishte dërguar një SMS pa lejen e saj.

Fillimisht A.A., kishte dorëzuar ankesë në Agjenci ndaj kompanisë së lartcekur, me shqetësimin se ka pranuar mesazhe në numrin e saj me qëllim të marketingut të drejtpërdrejtë, pa pëlqim paraprak të saj.

Lidhur me ketë ankesë, A.A., kishte ofruar edhe provë (mesazhet telefonike që kishte pranuar nga kjo kompani).

Agjencia kishte njoftuar kompaninë në fjalë për ankesën e ku edhe ishte realizuar një takim në mes palëve për t’u kumtuar ankesa e subjektit.

Nga ana e Agjencisë, kompanisë i janë bërë me dije se cilat kushte duhet të plotësohen për bërje të marketingut të drejtpërdrejtë.

Tri ditë pas atij takimi, kompania kishte deponuar në emalin e Agjencisë një shkrese elektronike në të cilë thuhej se ishte bërë një test me diku rreth 20 numra, e për numrin e ankuesit nuk e dinin se nga ka hyrë në listën e nurmave.

Në këtë shkresë, kompania është shprehur se nuk kanë qenë në dijeni se aktiviteti i tillë është i ndaluar, gjë për të cilën edhe kanë shprehur keqardhje në rast të ndonjë shqetësimi.

Në vendimin e Agjencisë, duke iu referuar Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, specifikohet se e dhënë personale konsiderohet çdo informacion që ka lidhje me personin fizik, i cili mund të identifikohet drejtpërdrejtë ose në ndonjë mënyrë tjetër.

Sipas nenit 3, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, të LMDhP-së, me të dhëna personale nënkuptojmë çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm (“subjekt i të dhënave”); një person fizik i identifikueshëm është ai, i cili, mund të identifikohet drejtpërdrejtë ose jo drejtpërdrejtë, veçanërisht duke iu referuar një identifikuesi në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes, një identifikues online, ose një apo më shumë faktorë specifikë për identitetin fizik, psikologjik, gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose social të atij personi fizik. Në kuptimin e kësaj dispozite edhe numri i telefonit në bazë të të cilit mundet të identifikohet një person fizik, cilësohet e dhënë personale dhe përdorimi, në kuptimin e nenit 3, paragrafi 1, nën paragrafi 1.2 të LMDhP-së, përbën përpunim të të dhënave personale dhe si i tillë duhet të jetë i ligjshëm”- thuhet në vendimin e Agjencisë.

Tutje, Agjencia përmendi faktin se duhet të ekzistojë pëlqimi paraprak i subjektit që po i merren të dhënat që kontrolluesit e të dhënave të mund t’i përpunojnë të dhënat e tyre personale.

“Gjithashtu neni 73, paragrafi 2, i LMDhP-së, ka përcaktuar se “kontrolluesit e të dhënave, për qëllime të marketingun të drejtpërdrejtë mund të përdorin vetëm të dhënat personale të grumbulluara në pajtim me paragrafin 1, të këtij neni: emrin personal, adresën e vendbanimit të përhershme apo të përkohshme, numrin e telefonit, dhe adresën e postës elektronike (e-mailin). Në bazë të pëlqimit paraprak të subjektit të të dhënave, kontrolluesit e të dhënave mund të përpunojnë edhe të dhëna të tjera personale.”- thuhet tutje në vendim

Agjencia gjithashtu ka bërë të ditur se në rastet e kryerjes së marketingut të drejtpërdrejtë, subjektet e të dhënave duhet të informohen me të drejtat e tyre.

Vendimi i Agjencisë thotë se pëlqimi i dhënë nga subjekti duhet të jetë i dhënë lirshëm, që do të thotë mos t’i imponohet dhënia e pëlqimit ose t’i jepen pasoja negative në rast të mos pranimit.

Gjithnjë sipas vendimit të kësaj Agjencie, subjekti i cili kontrollon të dhënat duhet të ndërpres përpunimin e të dhënave të personave në momentin që këta të fundit japin një mendim për këtë.